E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të parajsës së humbur

Pas atentatit të ndërmarrë nga Anders Breivik, kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, i ndihmoi bashkëkombasit e tij që të kuptojnë atë që nuk arrinin ta kuptonin. Rrallë herë ka ndodhur që një kryeministër të jetë më i afërt me popullin, në ato orë të errëta. Më shumë demokraci, më shumë tolerancë ishte motoja e Norvegjisë. Por një vit pas sulmeve, po vërehen të çarat e para në këtë pamje të idiles.

Me kujdes nga pylli del një mashkull i gjatë dhe i hollë dhe vazhdon të ecë drejtë brigjeve të ishullit Utoja. Drejtë vendit, ku në shkëmbinj ka të vendosur qirinj dhe letra, për të nderuar 69 personat, të cilët këtu para një viti i vrau Anders Behring Breivik. Ky mashkull është Jens Stoltenberg, kryeministri i Norvegjisë.

Stoltenberg qëndron pothuajse i vetmuar në ishull, një person me radiolidhje qëndron prapa tij, e pranë tij është edhe këshilltari i tij për shtyp. Ekipet e kamerave, të cilat e kishin shoqëruar më herët, u tërhoqën.

“Është kjo hera e dytë pas sulmit terrorist që vij në Utoja. Më herët, vija çdo verë këtu, që nga viti 1994. Ishte kjo parajsa e rinisë time, e cila u shndërrua në ferr”, rrëfen Stoltenberg.

Utoja dhe sulmet janë vetëm një pjesë e identitetit dhe historisë së Norvegjisë, thotë Stoltenberg. “Por shoqëria jonë, vendi ynë, në thelb nuk kanë ndryshuar”, shton ai. Stoltenberg nuk e përmend Breivikun me emër. Thotë vetëm “ai”.

“Është një e arritur e madhe e njerëzve këtu, që ai-përkundër faktit se mori aq shumë jetë dhe plagosi aq shumë njerëz-megjithatë dështoi në përpjekjet e tij për të ndryshuar shoqërinë norvegjeze. Ngase ky ishte synimi i tij. Norvegjia ruajti vlerat e saj”, thotë Stoltenberg.

Ata që dëshirojnë të dinë se a kanë ndryshuar norvegjezët pas sulmeve të 22 korrikut të vitit 2011, mund të lexojnë shumë nga kjo skenë me kryeministrin në shkëmbinj: jeta pa komplekse e politikanëve ka mbetur. Edhe besimi. Nuk ka pasur histeri sa i përket temës së sigurisë. Në afërsi të Stoltenbergut nuk mund të vërehet asnjë truproje i armatosur. Sipas disa anketave të fundit, që nga viti i kaluar është shtuar besimi i norvegjezëve në demokraci.

Por gjatë disa javëve të fundit, pamja e Norvegjisë tolerante dhe njerëzore ka pësuar disa çarje. Çfarë vendi zë Breiviku në këtë Norvegji?

A ka ndryshuar politikisht vendi, në të cilin në vitin 2009 çdo i pesti norvegjez në zgjedhjet parlamentare votoi për Partinë populliste të Përparimit?

Partia e Përparimit (FRP), pjesëtar i organizatës rinore të së cilës ishte pjesëtarë edhe Breivik, para se të radikalizohej, sërish po fiton në fuqi. Sipas disa anketave, kjo parti gëzon një përkrahje prej 22 për qind, përkrahje kjo pothuajse dy fish më e lartë, se sa në zgjedhjet lokale, të cilat u zhvilluan disa javë pas atentatit të Breivikut.

Historiani nga Oslo, Einhart Lorenz, i cili studion temën e popullizmit të djathtë, është i befasuar për përkrahjen, të cilën e gëzojnë tani popullistët. “Edhe pse nuk ekziston përgjegjësia e drejtpërdrejtë, ekziston së paku një lidhje mes atmosferës së armiqësisë kundër të huajve, të cilën e ka krijuar FRP dhe sulmeve të 22 korrikut”, thotë Lorenz.

Një temë tjetër është që ka joshur këtyre ditëve vëmendjen e medieve norvegjeze: Në Oslo është vendosur një komunitet i romëve dhe është nevojitur një kohë e gjatë, deri sa është gjetur një vend për ta. Në forumet norvegjeze në internet ka shpërthyer një urrejtje e vërtetë, romët fyhen dhe kërcënohen madje edhe me vdekje. Ky grup i romëve nga Rumania nuk është pritur mirë as nga popullata. Shefi i FRP-së madje kërkoi edhe dëbimin e tyre.

Si mund të ndodhë kjo pas Utojës? Ish-ministri Shtetëror, Thorbjorn Jagland, shkroi në një artikull se “pa marrë parasysh se çka do të vendosë Gjykata për gjendjen mendore të Breivikut, vrasjet në Utoja dhe lagjen qeveritare kanë një prapavijë shoqërore”.

Stian Bromark është komentues në gazetën e majtë “Dagsavisen”. Ai beson se në sulmet kundër romëve është kanalizuar frustrimi i grumbulluar gjatë viteve të kaluara. Norvegjezët duhet të mësojnë që të kenë mendime të ndryshme, të grinden, pa mbjellë urrejtje, thotë filozofi Henrik Syse. Këto do të jenë sfidat e së ardhmes.

Pas sulmeve në Utoja, Stoltenberg u shndërrua në baba të kombit. Ai arriti të ngushëllojë bashkëkombësit e tij, ngase edhe ai ishte goditur si njeri, pasi që sulmet ishin të drejtuara kundër partisë së tij. Por përditshmëria politike gjatë këtyre ditëve duket se është shumë larg Stoltenbergut. Ai qëndron pranë vendit, ku Breivik vrau shumë të rinj. “Ndjej pikëllim dhe brengë të madhe”, thotë ai. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›