E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të varrit të artistit Ylli Bebeziqi

Homazh kushtuar  artistit te vrare nga diktatura komuniste

Në rubrikën „Varre të thjesh të, njerëz të mëdhenj“, të cilën e botojmë çdo të hënë e të enjte, sot po ia kushtojmë një shkrimi  të shkruar bukur, me aq thjeshtësi e vërtetësi nga Emel Koka, që i dedikohet një artisti të ri, një diktatura komuniste ia theu ëndrrat në rini dhe që i mori edhe jetën, dhe më keq akoma i zhduku edhe varrin, Ylli Bebeziqi. Ai nuk është ndonjë njeri i madh, por mund të ishte i tillë sot, nëse do të jetonte në nj vend të lirë e demokratik, ku ëndrrën për t’u bërë artisti nuk do ia vriste shteti. E motra e tij, Melushe Bebeziqi, ishte primabalerina e parë si në TOB, në ato pak vite që interpretoi në këtë skenë dhe që ra në sy përveç bukurisë, edhe për interpretimin  e saj, por edhe në „Balshoi Teatër“, ku interpretoi dhjetëra role, në qindra shfaqje, si gruaja e një koreografi të shquar rus, Perkun, i cili dha edhe në Shqipëri ndihmesën e tij për artin e baletit.
Janë me qindra e mijëra viktimat e komunizmit, janë me qindra ata që nuk patën kurrë një varr për t’u prehur e një vend ku familjarët e tyre të derdhin lot e të luteshin  për shpirtrat e tyre. Rasti i Yllit është pjesë e kësaj liste të gjatë, por ai është i veçantë se kemi të bëjmë me një artist, që përjetoi në vitet 50-të forcën e egër të pushtetit komunist: e hoqën nga puna, e mbyllën në çmendinë, e vranë në qeli dhe i zhdukën edhe varrin. Krime të tilla vetëm diktatura komuniste njeh.

***

Prilli i vitit 1956 na sjell në kujtesë vdekjen e parakohshme dhe mjaft tragjike të njërit nga pionierët e baletit shqiptar, Ylli Bebeziqi, vëllai binjak i balerinës më të madhe shqiptare Melushe Bebeziqi.
Binjakët kanë lindur në Sofje të Bullgarisë, në vitin 1934, në një familje patriote e intelektuale të asaj kohe. Kjo familje, në 1938 kthehet në atdhe.
Babai i binjakëve, Xheladin Bebeziqi, rridhte nga një familje e madhe e dëgjuar shkodrane, me profesion tregtar i pasur. (manifakturë). I ati vdiq në moshën 42 vjeçare nga një sëmundje e rëndë në vitin 1943. Kështu, rritjen dhe edukimin e fëmijëve e mori përsipër e ëma (Sabiha Serezi, Bebeziqi). Kjo zonjë e madhe përfaqësonte në atë kohë kulturë dhe emancipim. Ajo ishte një intelektuale e mirëfilltë. Sabihaja, mbasi mbaroi studimet e larta në Stamboll për pedagogji, u kthye në atdhe. Në vitin 1923-24 u caktua drejtoreshë në shkollën e vashave në qytetin e Korçës, ku punoi dhe për emancipimin e gruas në atë qytet.
Themeloi për herë të parë organizatën, ose më mirë shoqërinë e gruas shqiptare po në Korçë. Falë arsimimit, ajo edukon edhe dashurinë për artin e kulturën si te brezi i ri ashtu dhe te fëmijët e saj.
Ylli e Melushja, shumë të vegjël, shfaqën talentin për gjininë e baletit, kurse vajza e madhe, Vullnetja, kishte pasion – gjininë e kantos.
Të dy binjakët mbahen mend dhe kujtohen deri në ditët tona me shumë dashuri dhe respekt nga qytetarët autoktonë të Tiranës. Ato u rritën në zemër të kryeqytetit, të rrethuar me gjithë ngrohtësinë e brezit të tyre. Ky brez i mrekullueshëm djem e vajzash, që nxorën të parët balerinë, artistë dhe sportistë, të cilët me talentet e tyre dhe me punë të palodhur ngritën vlerat e popullit tonë brenda dhe jashtë vendit.
Viti 1950 i gjeti artistët e rinj të emëruar zyrtarisht në Filarmoninë e Shtetit që do të thotë vite pune, lodhjeje, suksesesh dhe kënaqësish të shoqëruar me shfaqje brenda dhe jashtë shtetit. Emri i baletit e suksesi i i tij rritej në sajë të punës drejtuese të mjeshtrit të madh Panajot Kanaçi dhe profesorit rus të ardhur në Shqipëri, Xhorxh Perkun.
Artistëve binjakë natyra i kishte falur bukurinë fizike, shpirtin e dëlirë të artistit dhe, mbi të gjitha, talentin e madh të artit të të kërcyerit. Ky art shpërthen botën e tyre të brendshme me anë të lëvizjeve elegante trupore, të njehsuara me një muzikalitet të brendshëm shpirtëror. Melushja ishte soliste e grupit në sajë të të dhënave të saj artistike dhe Ylli kishte të dhëna të pallogaritura për të qenë një solist i parë. Trupa, në vitin 1950 bëri një turne të madh në gjithë vendet e demokracisë popullore dhe, mbas një suksesi të jashtëzakonshëm, u kthye në atdhe. Po këtë vit u nisën për në Bashkimin Sovjetik 6 studentët e parë. Mes tyre dhe motra e Yllit, Melushja. Në vitin 1951, Ylli mori pjesë në një turne në Festivalin e Rinisë në Berlin, ku suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Ndarja me motrën i kishte sjellë shumë dhimbje. Atij tashmë i humbi mbështetja morale. Ndjeu se gjithçka po i rrëshqiste nën këmbë lufta e ftohtë po bënte punën  e saj shumë shpejt po ndihej një raprezalje. Djali, pak gjaknxehtë nga natyra, provoi goditje dhe tronditje kur i lajmëruan pushimin nga puna. Në vitin 1953 e flakin në rrugë të madhe. Lumturia dhe gëzimi u larguan një herë e përgjithmonë nga djali 20-vjeçar.
Çfarë faji kishte bërë ky artist i ri? Fajin e kujt duhet të paguante? Largimi i tij i papritur nga trupa e baletit kishte çuditur dhe hidhëruar njëkohësisht, të gjithë shoqet e shokët e punës, sepse ata e donin dhe e vlerësonin talentin e tij, ishin rritur bashkë që nga mosha 10 vjeç, atëherë kur krijuan grupin e parë të baletit të vogël në Pallatin e pionierit. Në atë kohë djali jetonte me nënën e tij, që ishte i vetmi burim gëzimi dhe ngrohtësie për të.
Tashmë, djali 20 vjeçar ishte përplasur rrugëve për të siguruar bukën e gojës. Ai u gjend duke shitur plaçkat e shtëpisë në Pazarin e vjetër, ose duke punuar si ndihmës i ndonjë rrobaqepësi zemërgjerë tiranas.
Në një nga rrugët e Tiranës në vitin 1956 Ylli Bebeziqi u arrestua dhe për 9 muaj u mbajt në hetuesi. Një arsye e paditur flitej për një veprim banal (çështje dashurie). Kujt mund t’i kishte shfaqur dashurinë? Ky lajm i tmerrshëm u përhap si era, duke tronditur e shkatërruar familjen që, njëherësh ishte dhe e pazonja për ta ndihmuar. Ishte urdhri i tmerrshëm i ministrit të Brendshëm të atëhershëm (K. Azbiu).
Mbas 9 muajve hetuesi erdhi radha e gjyqit. 20 vjeçari u paraqit në gjyq në gjendje tragjike: i pavetëdijshëm në gjendje depresive. Bukuria fizike e atij djali ishte kthyer në një gjendje mjerane, tashmë me një trup në 35 kg. Ai kishte luftuar me jetën, me rininë, me urinë, me dëshpërimin e shpresën. Ai i ishte dorëzuar totalisht kuçedrës komuniste.
Në mbrojtje të Yllit foli e motra,  Vullnete Papa. Ky gjyq u mbyll duke e çuar të pandehurin në spitalin e burgut. Dhimbje, heshtje, në sallë dënohej një disident 24-vjeçar. E keqja për të do të vazhdonte nga qelia te çmendia.
Dërgimi në spital zgjati 3 muaj, me shpresën se jeta e tij do të ndryshonte dhe ai do të kthehej në familje, pranë nënës së tij të dashur. Ajo tashmë ishte e paralizuar krejtësisht.
Data 14 prill 1956, e premte, data e lajmërimit për daljen nga spitali. Mbasi motra Vullnete i çoi rrobat për të dalë, e përqafoi duke i dhënë shpresë – shpresë për të nesërmen. Gjendja e djalit të brishtë ishte përmirësuar, në sytë e tij shikohej një rreze drite. Nesër do të fillonte një jetë e re. Do të ishte dita e lirisë, sepse liria ishte gjëja më e çmuar për të. Por kuçedra komuniste e kishte vendosur dënimin me vdekje.
E nesërmja erdhi. Data 25 prill 1956, ditë e shtunë ora 12 e drekës. Në spital kishte ndodhur tragjedia e tmerrshme Ylli Bebeziqi ishte ekzekutuar nga dora e mallkuar e krimit. Ai u gjend i gozhduar në krevatin e vdekjes, i vetëm i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Trupi i tij ishte i bërë vula-vula të zeza. Djaloshi 21-vjeçar ishte përplasur me jetën e vdekjen, deri sa vdekja e kishte përpirë. Ai nuk ishte vrarë me armë, por me një gjilpërë (insulinë) ashtu siç vriten kriminelët në botë, gjithnjë në prezencë të shefit të pavijonit. Kuçedra e kishte kryer ekzekutimin. Djaloshi 21-vjeçar ndodhej i shtrirë në mes të korridorit të spitalit, i vetëm, duke pritur pjesëtarët e familjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit. U përcoll nga morgu nga motra, Vullnete, me të shoqin, Aristotel Papa, dajen e tij, fëmijët e tezes Faruk dhe Emil Koka dhe shokun e tij të ngushtë, Dedin Suli. Jeta e tij u këput në lule të rinisë. Heshtje dhe hidhërim i madh në shtëpinë e tij. E qau i gjithë brezi i tij, shokët e shoqet e trupës së baletit. Por, më shumë e qau, dhe e qau në heshtje, nëna, e cila nuk e pa deri sa dha shpirt. Që nga dita e varrimit të tij, e motra, Vullnetja, u bë një paciente e psikiatrisë deri në ditët tona.
E qau motra binjake, Melushja në Moskë, sepse e kishte të ndaluar të vinte në Shqipëri. Vdiq pa u takuar me të vëllanë që e donte aq shumë.
Ky qe dhe fundi i kësaj familjeje të pafajshme, vetëm sepse i takonte një shtrese tjetër shoqërore.
U kërkua varri i djaloshit nga kushërinjtë e tij – por nuk u gjend asnjëherë. Për të s’pati një varr për t’i vendosur një fotografi të tij e tufa me lule nga miqtë dhe të dashurit e tij. Ai i meritonte lulet, sepse në lule të jetës u largua nga kjo botë. Të dashur lexues, ndihem e lehtësuar në ndërgjegje që munda të shkruaj me thjeshtësi këtë histori tragjike të këtij djaloshi.
U kujtoftë me respekt e dashuri i riu 21-vjeçar, Ylli Bebeziqi.
 Me respekt
 Emel Koka

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›