Basha: Presidenca e BE-së njohu reformat tona, Edvini bën mirë të heshtë

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi sot se "Presidenca e radhës e BE-së mirëpriti aplikimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nisur nga suksesi i reformave të Qeverisë shqiptare". Një ditë pas aplikimit zyrtar të Shqipërisë në Pragë, për statusin e vendit kandidat në BE, ministri i Jashtëm gjatë një konference për shtyp, deklaroi se "Presidenca e radhës e BE-së dhe Komisioni Europian mirëpritën aplikimin e Shqipërisë nisur tërësisht nga suksesi i reformave të saj. Kjo erdhi pas votëbesimit të këtyre reformave dhe arritjeve të Shqipërisë nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, përmes ratifikimit të MSA-së në një kohë rekord". Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria në prill 2009 përjetoi dy arritjet më historike që nga pavarësia e saj: anëtarësimin në NATO dhe aplikimi për anëtarësim në BE. "Këto dy akte janë vlerësimi më brilant i reformave të mëdha dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo Qeveri dhe nga kjo maxhorancë. Këto dy akte janë arritje madhore, historike për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike", theksoi ministri Basha. Duke reaguar ndaj deklaratës së sotme të opozitës për këtë çështje, ai tha se "z. Rama dhe zëdhënësit e tij duhet, së paku, të heshtin sot, sepse në mënyrë të përsëritur, gjatë 2 muajve të fundit, kanë kërkuar që Shqipëria të mos aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE". Një ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha, gjatë një ceremonie në Pragë, i dorëzoi zyrtarisht kryeministrit çek, Mirek Topolanek, kërkesën për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Aktualisht, Çekia është vendi që kryeson Presidencën e radhës së BE-së.
...