E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kohë

Konferenca e Kryetarëve të grupeve kuvendarë vendosi të shtyjë seancën e planifikuar për dje në mbrëmje për diskutimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Vendimin e kundërshtuan Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, deputetët të cilave janë në grevë urie meqenëse nuk pranojnë miratimin e kodit zgjedhor vetëm me votat e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e të dy forcave, Dritan Prifti dhe Jak Ndokaj thanë se votimi do të ishte në shkelje të procedurave, pasi projektligji sipas tyre mund të miratohet vetëm pas 15 ditësh.

Shtyrja e seancës synon që grupet kuvendarë të kenë një kohë të mjaftueshme për të parë dhe diskutuar projektin e kodit të ri, pavarësisht mospëlqimeve të forcave të vogla. Rrjedhimisht, më shumë se 24 orë në dispozicion u shërbente edhe palëve për të parë mundësi negociatash teknike. Kalimi në seancë për sot nuk e cenon afatin kohor për diskutime, negociata apo parashtrim të vërejtjeve po objeksioneve për përmbajtjen e kodit. Sakaq, qëndrimi i grevistëve në sallën e Kuvendit pritet të jetë i ngjashëm me atë të seancës plenare të së hënës. I vetmi ndryshim, për shkak të gjendjes së rënduar të dhjetë deputetëve, që janë pjesë e grevës, mund të jetë qëndrimi i tyre në seancë. Ndryshe nga herën e kaluar, kur ata qëndruan poshtë tryezës ku ulen anëtarët e Këshillit të Ministrave, pritet të mos pozicionohen më aty, por të qëndrojnë të shtrirë në sallë. Prej disa ditësh gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar e për këtë pasojë, siç thotë edhe zëdhënësi i grevistëve, Dritan Prifti, një pjesë e tyre nuk mund të qëndrojnë dot as në karrige. Ai garanton në krahun tjetër, se sjellja do të jetë paqësore. “Do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë të shtrirë në krevat, pasi nga gjendja e keqe një pjesë e grevistëve nuk qëndron dot më në karrige. Do të qëndrojmë në sallë, por nuk do të jemi agresivë”, - i tha “Korrierit” nënkryetari i LSI-së. Ndërkaq, vendimi për të shtyrë me një ditë zhvillimin e seancës plenare u mor në unanimitet të plotë me të gjithë përfaqësuesit e partive në Konferencën e Kryetarëve, përjashto përfaqësuesit e PDK-së e LSI-së. Shtyrja e seancës u bë për t’iu dhënë mundësi deputetëve të njihen me draftin, por për përfaqësuesit e dy partive që kanë nisur grevën e urisë, Dritan Prifti e Jak Ndokaj, votimi në seancën e sotme do të ishte në shkelje të procedurave, pasi projektligji sipas tyre mund të miratohet vetëm pas 15 ditësh. Ndërkaq, drafti i kodit të ri zgjedhor pritet të kalojë pa asnjë ndryshim, ndërsa përfaqësuesit e grevistëve kanë bërë tashmë propozimin e tyre, çka nëse do të merrej në konsideratë, do të pasohej me ndërprerjen e grevës. Sipas tyre, në komisione duhet të ketë përfaqësues të çdo partie, ose zgjedhja e komisionerëve jopolitikë, pra njerëz nga shoqëria civile. Por edhe ky propozim nuk është marrë në konsideratë nga partitë e tjera, të cilat kanë shprehur tashmë mbështetjen ndaj draftit të kodit të ri. Edhe nëse kodi i ri zgjedhor do të miratohet sot, greva e urisë do të vijojë. “Do ta vazhdojmë derisa të vdesim”, - i tha “Korrierit” nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, i pyetur lidhur me këtë çështje. Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, dhjetë deputetët do të vijojnë t’u mbeten besnikë kërkesave të tyre, duke mos ndërprerë grevën e urisë. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›