E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne, konstruktorët që prodhuam një milion kundragaz “Made In Albania”



afrim imaj

Ishte koha kur duhej t’i sfidonim të gjithë! Pas historisë së çuditshme të divorcit me Moskën dhe Pekinin, besonim se rrezikut mund t’i bënim ball të vetëm, pa aleancën e kërkujt. Fabula komuniste “Vetëm me forcat tona” nuk parakuptonte thjesht aftësitë njerëzore, por edhe arsenalin e armëve dhe pajisjeve luftarake për prodhimin e të cilave u krijuan dhjetëra uzina e fabrika.
Ishte një proces që nisi me fishekun, pushkën, automatikun, granatën, pastaj me paketën e mbrojtjes kimike dhe kulmoi, në kulmin e Luftës së Ftohtë, me kundragazin “Made In Albania”. Një revolucion, brenda revolucionit, e quante Tirana e atyre viteve suksesin e industrisë ushtarake, pavarësisht kostos marramendëse për ekonominë e drobitur. Produktet e shtuara rishtas, artikuloheshin si vlerë e sigurisë absolute për mbrojtjen dhe sovranitetin kombëtar. Modeli shqiptar i militarizimit, përfaqësonte një precedent plot mistere e të panjohura, që nuk u zbardhën kurrë sa ishte në këmbë modeli politik që i prodhoi. Sprovat e para për të depërtuar te to, i përkasin një periudhe të mëvonshme. Me rikthimin te kronikat e kohës dhe kujtimet e protagonistëve, filloi të zbulohej e vërteta e këtij kapitulli të mistërshëm me të pathënat për Poliçanin, gjigandin e municioneve, çekinin, kombinatin e kallashit, Mjeksin, uzinën e eksploziveve, për të vijuar me Fabrikën e Kimisë së Ushtrisë, që prodhoi një milon kundragaz shqiptar. Pikërisht me këtë të fundit u mbyll cikli i prodhimit në vend të armatimeve dhe pajisjeve luftarake. Enver Lagji, ish-drejtori i Drejtorisë së Kimisë së Ushtrisë, sjell për herë të parë për gazetën një retrospektivë të zgjeruar të përpjekjeve disavjeçare për të siguruar për çdo qytetar nga një kundragaz “Made In Albania”...
Zoti Enver, Ju keni qenë njëri nga konstruktorët e kundragazit “Made In Albania”. çfarë mbani mënd nga periudha kur nisi prodhimi i tij?
Në kohën kur u hodh ideja për prodhimin e kundragazit, unë isha drejtor i Drejtorisë së Kimisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Funksioni që kryeja lidhej drejtpërdrejt me këtë sfidë të rëndësishme për kohën. Megjithatë, në procesin e prodhimit të kundragazit, u përfshinë një numër i madh specialistësh, madje nga më të njohurit...
Cilat ishin arsyet që diktonin prodhimin në vend të kundragazit?
Të tilla kishte disa, por dy ishin ndër më kryesoret. Së pari, përparësitë e goditjeve kimike dhe bërthamore në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe situata e vështirë politike pas divorcit me Kinën e largët. Motua e komunizmit “I gjithë populli ushtar”, parakuptonte përmbushjen e detyrimit madhor për mbrojtjen e Atdheut tërësisht me forcat e veta. Pikërisht në këtë kontekst, prodhimi në vend i kundragazit dhe mjeteve të tjera mbrojtëse kundrakimike, vinte si nevojë imediate...
Pra, procesi i prodhimit të kundragazit ka nisur pas divorcit me Kinën...
Armët dhe pajisjet luftarake, historikisht janë siguruar nëpërmjet aleatëve. Në mesin e viteve 40 nga armata e Jugosllavisë, më vonë nga Bashkimi Sovjetik, pas divorcit më Moskën nga Kina. Kur u prishëm me të, e mbetëm të izoluar, ju kthyem faktorit të brendshëm. Ishte koha kur çdo gjë duhej ta prodhonim me forcat tona...
çfarë kundragazi kishte në përdorim deri në atë kohë ushtria jonë?
Deri në atë periudhë kishim dy modele, atë sovjetik, i cili ishte bërë pjesë e arsenalit më herët dhe kundragazin kinez. Të dy ishin funksional, por ai “Made In Cina” ishte më i avancuar dhe më i përshtatshëm si pajisje personale. Sidoqoftë, sasia edhe pse ishte e konsiderueshme, nuk rezultonte e mjaftueshme në kushtet tona. Nuk bëhej fjalë këtu vetëm për pjesën e ushtrisë aktive, por për tërë popullatën. Kundragazi, parashikohej si pajisje e domosdoshme mbrojtëse jo vetëm për ushtarët, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Synimi ishte që në kushtet e një sulmi bërthamor të evitoheshin në maksimum pasojat e goditjes helmuese e bakteriologjike...
U kujtohet kush e hodhi idenë e prodhimit në vend të kundragazit?
Përpjekjet për prodhimin e kundragazit kanë për ideator Mehmet Shehun, ish kryeministrin komunist që në atë kohë kryente dhe detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Mbaj mend që në pranverën e vitit 78 më thirri në zyrë. Ishte hera e parë që takohesha me të. Mjaft nga kolegët e tjerë të shtabit të Përgjithshëm, ishin takuar disa herë. Asokohe Mehmet Shehu kishte imazhin e njeriut të rreptë e autoritar dhe njihej nga ushtarakët si lider absolut. Gjatë takimit, pasi u interesua në vija të përgjithshme për detyrat e sektorit, doli te problemi: A mund ta prodhojmë me forcat tona kundragazin e mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë? Të them të vërtetën pyetja e tij nuk më zuri në befasi. Gjatë vizitës së fundit në Kinë, isha munduar të siguroja informacion rreth kësaj teknologjie, po kinezët si kinezët ma mbyllën çdo hapsirë. Për këtë çështje kishim diskutuar më parë në rrethe specialistësh, por na rezultonte se zgjidhja ishte e pamundur në kushtet e strukturave të ushtrisë. Ja vura në vëmendje këtë fakt dhe aty për aty i konfirmova se diçka e tillë mund të arrihet po të angazhojmë një grup me specialistët më të mirë të vendit. Mehmet Shehu më dëgjoi me kujdes dhe u interesua për emrat dhe profilet e profesioneve të tyre. I përmenda disa syresh që mu kujtuan aty dhe kërkova mbështetjen e tij për ta institucionalizuar si procedurë...
Folët për çështje teknike në takimin e parë me Mehmet Shehun?
Aty pak a shumë përcaktuam rrethin e konstruktorëve, që do ti thërrisnim nga institucione jashtë ushtrisë. Në kushtet e Ministrisë së Mbrojtjes kjo ishte e pamundur. Fakti që Mehmet Shehu ishte njëherazi dhe kryeministër, i jepte tagrin e urdhërdhënësit edhe për strukturat joushtarake. Kjo si të thuash ishte fillesa e procesit. Natyrish, në takimin e parë folëm edhe për zgjidhjen teknike. Mehmet Shehu shquhej si njohës i mirë i armatimeve dhe pajisjeve luftarake. Në pjesën më të madhe të kohës debatuam për llojin e modelit që do prodhonim. Ai kishte bindjen se kundragazi ynë mund të prodhohej duke u mbështetur në konstruksionin e tipit kinez...
Ju mbështeti kryeministri në zgjidhjen që i propozuat?
Mbështetja e kryeministrit ishte e menjëhershme dhe shumë energjike. Me urdhrin e tij puna nisi që të nesërmen. U ulëm me kolegët e drejtorisë dhe përgatitëm listën me specialistët që do merrnim nga institucionet e tjera. Pjesa më e madhe e tyre ishin pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atij të Inxhinierisë. Kishte ndërkaq dhe ekspert të tjerë të profileve të ngushta që punonin në qendra shkencore. Në një farë kuptimi ata u bënë dhe konstruktorët e kundragazit shqiptar. Listën e tyre ja çuam për ta miratuar Mehmet Shehu. Reagimi i tij ishte flakë për flakë. I thirrëm dhe nisëm nga puna. Bëmë planin e masave dhe ndamë detyrat për çdonjerin. Ditët e para u morëm me studimin e detajuar të konstruktit të kundragazit kinez...
Pastaj...
Zbatimi i detyrës kërkonte që grupi i konstruktorëve të ndahej në tre nëngrupe, sipas çështjeve që do të ndiqte në proces. Nëngrupi që merrej me prodhimin e karbonit aktiv drejtohej nga profesor Viron Kola dhe fillimisht u vendos në Laboratorin e Kimisë të ushtrisë. Ai që punonte për pjesët e gomuara të kundragazit drejtohej nga inxhinier Stavri Kallanxhi dhe vepronte në Fabrikën e Gomës në Durrës. Tjetri që merrej me prodhimin e kartonit filtrues nisi nga puna në Fabrikën e Letrës në Kavajë.
Cilat ishin vështirësitë që dolën gjatë procesit?
Sfida kryesore që kishte përball grupi i konstruktorëve ishte prodhimi i karbonit aktiv, lëndës bazë për mbushjen e kutive filtruese dhe prodhimi i pjesëve të gomuara e kartonit filtrues për mbrojtjen nga aerozolet dhe helmet në gjendje tymi.
Pjesa më e vështirë ishte ajo e prodhimit të karbonit aktiv, për të cilin u punua në tre faza. Fillimisht realizuam prodhimin e tij në kushte laboratorike, pastaj në kushte gjysmë industriale, për të mbërritur te prodhimi në fabrikë...
Kush ishin specialistët që u morën me prodhimin e karbonit aktiv?
Grupi që merrej me këtë çështje ishte grupi më i madh dhe kishte në përbërje dhjetëra specialistë. Suksesi i parë i tij ishte sigurimi i lëndës së parë për prodhimin e karbonit aktiv. Pas dhjetëra eksperimentimesh, përcaktuam si të tillë shfrytëzimin e guackave të bërsisë së ullirit. Mandej prodhuam sasinë e parë të karbonit aktiv, e cila ju nënshtrua analizave cilësore dhe rezultoi me parametrat e kërkuara. Që këtej u kalua në prodhimin gjysmë industrial. Këtë proces shumë delikat e realizuam në ndërmarrjen Ushqimore të Tiranës. Aty u krijua një repart special ku operonin specialistët e njohur Viron Kola, Koço Gjika, Maks Karai, Tahir Voshtina, Gani Xhaja, Maksim Kapo dhe Janko Konomi. Në fillim u montua furra e karbonizimit që punonte në temperaturë deri 700 gradë celsius. Në vazhdim ajo e aktivizimit që përballonte temperaturat mbi 1100 gradë...
Aty më në fund realizuat prodhimin e karbonit aktiv...
Për të shkuar deri te impianti që montuam në Ndërmarrjen Ushqimore, u zgjidhën një sërë çështjesh teknike teknike. Me vështirësi siguruam tullat zjarrduruese dhe çelikun special për nxehtësitë e larta. Probleme dolën gjithashtu gjatë montimit të linjave industriale. I kapërcyem hap pas hapi deri sa vumë në punë linjat e prodhimit. Nisëm pastaj me procesin teknologjik për t’i dhënë materialit aftësi absorbuese ndaj avujve helmues. Fenomeni i karbonizimit rezultoi i suksesshëm që në provat e para. Nuk ndodhi kështu me procesin e aktivizimit. U ulëm në të tjera konsulta. Më në fund arritëm ta përmbushim duke e mbajtur materialin në gjendje pezull...
Sidoqoftë, deri këtu bëhet fjalë për prodhimin gjysmë industrial...
Prodhim me metodë gjysmë industriale i karbonit aktiv ishte arritja krysesore. Ndërkaq, ishte dhe një faktor përcaktues për operacionet e mëtejshme. Që këtej mundëm të orientoheshim me qartësi për projektimin dhe ndërtimin e fabrikës. Njëherazi punonim në rrugë teknologjike për t’i dhënë karbonit aktiv cilësitë e mbrojtësit universal që të garantonte edhe mbrojtjen nga aerozolet dhe lëndët helmuese në gjendje tymi. Kanalizimi, siç quhej ky proces, kishte të bënte me përpunimin e materialit me disa okside(oksid bakri, kromi dhe oksid argjendi) në një përqindje të caktuar. Ky në një farë kuptimi ishte epilogu i procesit teknik. Pra, për herë të parë në vendin tonë, u bë i mundur prodhimi në rrugë gjysmë industriale i karbonit aktiv katalitik me të cilin u mbushën kutitë filtruese të kundragazit...
Pastaj u ndërtua fabrika që filloi të prodhojë në seri kundragazin “Mad In Albania”...
Projektimi dhe ndërtimi i fabrikës u bë në një kohë rekord. Për të interesohej gati dita ditës vet kryeministri. Gjithçka në të ishte një zgjidhje e specialistëve dhe mjeshtërve duarartë shqiptar. Fabrika më vonë u quajt Ndërmarrja Kimike e Ushtrisë.
U arrit që në të të punonin mbi 1000 veta me tre turne...
Po pjesët e tjera të kundragazit si u prodhuan?
Pjesët e gomuara të kundragazit u prodhuan në fabrikën e Gomës në Durrës. Aty u ngrit një repart special që prodhonte deri në 25 mijë copë në vit. Ky repart operoi me Uzinën e Precizonit të Lartë në Korçë për prodhimin e pjesëve metalike të konstruksionit të kundragazit të cilat montoheshin në trupin prej gome. Në fabrikën e Letrës në Kavajë u prodhua kartoni filtrues. Lëndën e parë për prodhimin e tij e siguruam pas shumë përpjekjesh e siguruam në Suedi, në kombinatin e prodhimit të mjeteve të mbrojtjes kimike të NATO-s...
Kur u prodhua për herë të parë kundragazi shqiptar?
Ka qenë fundi i vitit 79 kur raportuam krerët e vendit për prodhimin e kundragazit të parë “Made In Albana”. Të parin ja kam çuar me dorën time Mehmet Shehut në zyrë. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm për të. Pastaj kaluam te prodhimi në seri. Në periudhën e parë fabrika prodhonte rreth 20000 copë në vit, por me zgjerimin e kapaciteteve shifra u tre-fishua. Në vitet e fundit arritëm deri në 100000 mijë copë. Duhet thënë se në fabrikë, paralel me prodhimin e kundragazit realizoheshin dhe procese të tjera...
çfarë prodhohej tjetër në fabrikën e kimisë së ushtrisë?
Në fabrikë sipas porosisë direkt të Mehmet Shehut kishte disa grupe shkencore. Njëri prej tyre merrej me prodhimin e llojeve të kundragazit për fëmijë dhe kafshë. Një tjetër merrej me krijimin e rrjetit të vëzhgimit të ndotjeve kimike e bakteriologjike. Specialistë të tjerë vazhdonin përpjekjet për të realizuar detyrën e vënë nga Mehmet Shehu për prodhimin e flakëhedhësit stacionar, e cila u përbush cilësisht nën drejtimin e inxhinierit Niko Zakës. Sakaq për një kohë të gjatë u punua për prodhimin e lëndës helmuese të tipit Iprit, proces ky i drejtuar nga profesori i Fakultetit të Shkencave Jorgo Dhimarko.

Kundragazi i parë në zyrën e Mehmet Shehut
Ka qenë mesi i vitit 79 kur Enver Lagji kreu i grupit të punës për prodhimin e kundragazit “Made In Albania”, shkoi në zyrën e kryeministrit për t’i çuar produktin e parë. “Për djall, kujton ish drejtori i kimisë së ushtrisë, sa e mori në dorë Mehmeti, ra në tokë njëri nga kapakët metalik të gypit. Pastaj hajde ta dëgjoje! Në vend të përgëzimeve për arritjen, u përballa me një valë qortimesh. Vetëm ndërhyrja e Adil çarçanit e zbuti disi situatën”. Gjithsesi, shton Lagji, pasi u ktheva në uzinë, bashkë me shokët u mora me korrigjimin e defektit dhe po atë ditë e çuam kundragazin te zyra e Shehut.

Basti me Kryeministrin në maj ‘79:E djeg apo jo flakëhedhësi tankun?!

Takimet me Mehmet Shehun, kujton Enver Lagji, mjaft herë kalonin në debate të ndezura. Këmbëngulja e tij deri në kufijtë e kapriços, sidomos kur ishte fjala për çështje të artit luftarak, shton ish drejtori i kimisë së ushtrisë, krijonte një lloj makthi e të bënte të ndjeheshe keq. Sakaq njeriu që ka punuar nga afër me Mehmet Shehun, veçon njërin nga rastet kur gati sa nuk është kacafytur me të. “E djeg apo jo flakëhedhësi tankun?!” Dilema është shfaqur papritur gjatë një takimi me kryeministrin. Mehmet Shehu, thotë ish drejtori i kimisë, shprehej i bindur se zjarri i flakëhedhësve paralizonte sulmin me tanke. Jo, e kundërshtoja unë. E ke gabim, këmbëngulte Mehmeti duke ju referuar temperaturës së lart të flakëhedhësit. është e pamundur, u përgjigja aty për aty. Ai prapë në të tijën. Unë këmbëngulja te argumentet. Kur e pa që nuk mund të vazhdohej, u çua në këmbë dhe urdhëroi prerë: Ta provojmë në terren! Që këtej, shton Lagji, shkuam në uzinën e tankeve. Erdhi aty dhe një grup i madh specialistësh. Në njërin nga tanket e gatishmërisë, futëm brenda pesë dele dhe e afruam te pozicioni i zjarrit. Për minuta të tëra qëlluam mbi të me flakëhedhës të rëndë. Shkuam në fund për të parë efektin. Asnjë gërvishtje! Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Aftësitë e flakëhedhësit ishin parashikuar vetëm për asgjësimin e desantit mbi tank. Po hajde t’i mbushje mendjen kryeministrit, përfundon ish drejtori i kimisë që fitoi bastin me kryeministrin, por nuk mundi t’i shpëtojë tërbimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›