E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia përcjell Kaczynskin në banesën e fundit



Liderët e Polonisë dhe Rusisë morën pjesë në funeralin shtetëror të Presidentit të ndjerë Lech Kaczynski në Poloni dhe bashkëshortes së tij, që humbën jetën bashkë me 94 zyrtarë të tjerë në një aksident ajror në Rusi. Presidenti rus, Dimitri Medvedev sfidoi mbylljen e hapësirës ajrore evropiane për shkak të hirit vullkanik, për të marrë pjesë në funeralin e organizuar në Krakov. Xhesti u vlerësua si shenjë solidariteti që përforcoi shpresat e polakëve për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, të dëmtuara që nga epoka komuniste. Pas homazheve solemne të mijëra njerëzve, arkivolet me trupat e Kaczynskit dhe gruas së tij, Maria, u mbuluan me flamurët kombëtarë, dhe u transportuan nga ushtarë të gardës mes rrugëve me erë të Varshavës deri në vendin ku do të preheshin përfundimisht, në katedralen Vavel. Dhjetëra mijëra polakë thërrisnin “Lech Kaczynski, ne të falënderojmë” dhe valëvitnin banderola anti komuniste të lëvizjes “Solidariteti” të themeluar prej vëllezërve binjakë Kaczynski. “Testamenti i Presidentit, Lech Kaczynski duhet të përmbushet nëpërmjet pajtimit me Rusinë”, tha presidenti në detyrë i Polonisë, Bronislav Komorovski. Duke folur në televizionin polak përpara se të merrte sërish avionin e tij për në Moskë, Presidenti rus, Medvedev tha se “Në këndvështrimin tim për këto humbje të rënda, besoj se ne mund të bëjmë përpjekje serioze për të sjellë kombet tona më afër, për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike dhe për të gjetur zgjidhje për probleme të vështira, përfshirë Katinin”. Shumë liderë botërorë s’kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit, si pasojë e mbylljes së hapësirës ajrore në Evropë, të shkaktuar nga hiri vullkanik në Islandë. Presidenti amerikan Barak Obama, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez Nikollas Sarkozi, princi britanik çarls, presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso dhe presidenti i Turqisë Abdullah Gyl, janë disa nga liderët, që kanë deklaruar se nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në varrim në qytetin Krakov të Polonisë. Ndërkohë polakët me duartrokitje në heshtje, kanë hedhur lule dhe kanë valëvitur flamujt polakë, derisa kortezhi i përmortshëm ishte nisur për në Katedralen historike në këtë qytet. Sipas agjencisë AP, duke u mbështetur në Ministrinë e jashtme të Polonisë, në ceremoninë e varrimit të presidentit të ndjerë, Leh Kazcinski, kanë marrë pjesë presidentë dhe zyrtarë të lartë nga shumë vende. Mes tyre edhe Fatmir Sejdiu, president i Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›