Pse po flitet kaq shumë për autoritarizmin shqiptar?
Blendi Kajsiu
Arsyeja është sepse diskutimi dhe denoncimi ...pafund i autoritarizmit të politikanëve shqiptarë legjitimon dhe riprodhon modelin aktual politiko-ekonomik shqiptar, pasojë e të cilit është edhe lidershipi autoritarist. Në thelb të këtij modeli janë dy dimensione të ndërthurura, ai neoliberal dhe ai neokolonial. Denoncimi pafund i autoritarizmit nga njëra anë e fsheh dhe nga ana tjetër e riprodhon domosdoshmërinë e këtyre dimensioneve.
Duke denoncuar pafund autoritarizmin e Berishës apo Ramës, krijohet përshtypja e gabuar se problemi themelor në Shqipëri është pushteti i tepërt i ekzekutivit. Për pasojë, zgjidhja që ofron anti-autoritarizmi është kufizimi i pushtetit të politikanëve, duke forcuar ligjin dhe institucionet. Ndaj dëgjojmë të flitet pafund për sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve, të cilat një ditë do na shpëtojnë nga tirania politike ku jetojmë sot. Ajo që humbet në këtë diskutim është fakti i thjeshtë se modeli ynë tejet neoliberal i zhvillimit e ka kufizuar tmerrësisht hapësirën qeverisëse të ekzekutivit. Aq sa sot ekzekutivi ynë më shumë sesa me qeverisje, merret me sherre politike dhe shërbime klientelore.
Sot sektori financiar me gjithë kursimet e shqiptarëve si dhe Banka Qendrore me gjithë politikat monetariste janë jashtë kontrollit dhe ndikimit të Qeverisë. Me pak fjalë, Qeveria nuk mund të mobilizojë burimet financiare shqiptare për zhvillimin e industrive lokale dhe hapjen e vendeve të punës. Ne sot nuk kemi asnjë bankë shtetërore apo edhe private, bujqësore apo industriale, që ka si prioritet kreditimin afatgjatë dhe të favorshëm të sipërmarrjes vendëse. Këto janë instrumente të rëndësishme të zhvillimit që Qeveritë perëndimore si ajo Gjermane, Franceze dhe Japoneze historikisht i kanë përdorur me sukses. Ndërsa tek ne gjithçka varet nga dëshira e një sektori privat bankar, që nuk ka pikën e interesit të ofrojë kredi afatgjata dhe me interesa të favorshme për investime afatgjata në teknologji. Ndërkohë si pasojë e monitorimit nga FMN dhe e detyrimeve që burojnë nga borxhi i jashtëm, që veçse rritet si pasojë tregtisë së lirë, çdo Qeveri shqiptare është e detyruar të ndjekë një model të disiplinimit të lartë buxhetor dhe të stabiliteti makroekonomik, që synon uljen e inflacionit, por që ngushton hapësirat për investim në shërbimet publike, në ekonomi apo në administratë. Në fakt, Shqipëria sot ka një nga administratat publike më të vogla në Evropë. Ama kjo do të thotë që shtetit i mungon ekspertiza apo institucionet që bëjnë studimet, vlerësimin e politikave, ligjeve dhe projekteve të zhvillimit. Ndaj zhvillimi ynë sot vazhdon të jetë kuturu, cilësia e ligjeve e dobët, mungojnë studime mbi impaktin e politikave dhe ligjeve që prodhohen pafund. Ndërkohë, detyrimet e ndërmarra në kuadrin e integrimit euroatlantik kanë eliminuar mundësinë e politikave proteksoniste për mbrojtjen e prodhimit vendës. Ndërsa miratimi i shumicës së legjislacionit tonë është bërë i detyrueshëm. Ndaj nuk është çudi që në Shqipëri pushtetet shkojnë e vijnë po qeverisja mbetet po ajo.
Denoncimi i autoritarizmit si pushtet i pakufizuar i liderëve jo vetëm fsheh kufizimin e thellë të pushtetit ekzekutiv shqiptar, por edhe e legjitimon këtë kufizim. Kur liderët tanë abuzojnë me pushtetin që kanë, imagjino sa do abuzonin po t'u jepej më shumë pushtet; kontroll mbi kursimet tona, hapësirë për zhvillimin e politikave proteksioniste apo financimin e industrive lokale. Me pak fjalë, denoncimi i autoritarizmit përforcon premisën mbi të cilën ngrihet dimensioni neoliberal; politikanit sa më shumë pushtet t'i japësh aq më shumë do abuzojë. është pikërisht ky arsyetimi nëpërmjet të cilit modeli ekonomik neoliberal (apo neoklasik) justifikon kalimin e pushtetit ekonomik nga shteti tek tregu; shtetarët abuzojnë me pushtetin ekonomik, tregu jo.
Ajo që nuk thuhet është fakti që autoritarizmi i lidershipit aktual shqiptar është pasojë direkte e modelit tonë neoliberal të zhvillimit. Sikurse jemi përpjekur ta argumentojmë më parë, duke eliminuar grupet sociale dhe fragmentizuar shoqërinë, ky model i ka kthyer partitë politike në grupe klienteliste dhe jopërfaqësuese, çka prodhon edhe personalizimin e pushtetit, apo autoritarizmin. Ne kemi liderë autoritarist, që kanë dalë jashtë kontrollit, sepse ata nuk ka kush t'i kontrollojë; grupet e organizuara sociale janë shkërmoqur si pasojë e tërheqjes së shtetit dhe konkurrencës nga jashtë. Ato nuk mund të zëvendësohen me analistë, që u kërkojnë llogari politikanëve në studio televizive. Mungesa e përfaqësimit do të thotë mungesë kontrolli. Një model alternativ zhvillimi, që do investonte me politika shtetërore në krijimin e grupeve sociale (fermerët, sindikatat, industrialistët, pensionistët, studentët, etj.) do krijonte edhe 'elektoratet' që do ta kontrollonin politikisht liderin. Ama diçka e tillë kërkon më shumë dhe jo më pak pushtet për ekzekutivin. Pikërisht këtë alternativë eliminon denoncimi i autoritarizmit si pushteti i tepruar i lidershipit politik.
***
Këtu vijmë tek dimensioni neokolonial, që është i lidhur ngushtë me dimensionin neoliberal, por prek më shumë momentin politik sesa atë ekonomik. Në parim, dimensioni neokolonial thotë që Shqipëria nuk mund të bëhet demokraci apo të zhvillohet po nuk e mori në patronazh Perëndimi. Pra, zhvillimi i saj si politik dhe ekonomik do vijë nga jashtë, sepse tendenca e 'natyrshme' e Shqipërisë është drejt kaosit, diktaturës, varfërisë dhe primitivizmit. Ndaj zhvillimi politik i Shqipërisë ndodh brenda paradigmës së kushtëzimit (conditionality paradigm), që është vetë procesi i integrimit në BE. Ky është një proces në të cilin Shqipërisë i vendosen kushte politike dhe ekonomike nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Botërore. Duhet theksuar se neo-kolonializmi është diçka, që përveçse është imponuar nga jashtë, është përqafuar me zell edhe nga brenda. Kjo për faktin e thjeshtë se paradigma dominuese sot në Shqipëri që e dëgjon te tregu fshatar, te berberi, te parukjerja, te taksisti apo te rubrika Zululand është "Ky popull nuk bohet!" Denoncimi i autoritarizmit riprodhon pikërisht tezën e paaftësisë sonë qeverisëse. Ai thotë se politikanët tanë janë autoritaristë për nga natyra apo mentaliteti, se ata sa më shumë t'i lësh, aq më shumë abuzojnë me pushtetin, liritë dhe paratë tona. Për pasojë, kontrolli ndërkombëtar është jo vetëm legjitim, por edhe i domosdoshëm, për dy arsye: së pari, denoncimi i autoritarizmit të politikanëve tanë injoron kontekstin politik që i ka prodhuar ata, kontekst që është sendërtuar thellësisht nga ndërkombëtarët. Së dyti, theksimi i autoritarizimit si shkelje apo shpërfillje e ligjit injoron problemin e një procesi legjislativ, që buron nga jashtë dhe për pasojë prodhon jo thjesht ligje që nuk zbatohen, por ligje që janë të pazbatueshëm. Le t'i shqyrtojmë këto dy elementë.
Së pari, teksa denoncohen prirjet autoritariste të liderëve, tanë injorohet konteksti ndërkombëtar brenda të cilit ato janë zhvilluar. Kështu autoritarizmi i Berishës së parë nuk mund të kuptohet jashtë mbështetjes që iu dha atij nga SHBA-të, në kuadrin e fushatës kundër komunizmit në Evropën Lindore. Anti-komunizmi i Berishës nuk ishte një produkt thjesht shqiptar, por pjesë e një qasjeje më të gjerë të politikës së jashtme amerikane dhe deri diku evropiane, që mbështeste forcat anti-komuniste kudo në Lindje. Kjo ishte një politikë që mbështeste një dorë të fortë, që duhej jo vetëm për të ndaluar kthimin e komunistëve, por edhe zbatimin e reformave ekonomike jopopullore (rritja e çmimeve, eliminimi i 80 përqindëshit, mbyllja e vendeve të punës, etj). Në Shqipërinë e fillimit të viteve 1990, socialistët shikoheshin nga komuniteti ndërkombëtar si pengesë për reformat, pasi fillimisht ata ishin kundër terapisë së shokut dhe si pengesë për demokratizimin si pasardhës të komunizmit. Ndaj Berisha kishte mbështetjen e plotë të SHBA-ve për burgosjen e Fatos Nanos. Pas këtij arrestimi, Shqipërinë e vizitoi Xhimi Karter, që shprehu admirim për progresin demokratik të Shqipërisë dhe më pas vendi u pranua në Këshillin e Evropës. Në të njëjtën mënyrë, është e pamundur të kuptosh autoritarizmin e socialistëve pas vitit 1997 pa anti-Berishizmin e komunitetit ndërkombëtar.
Një tjetër shembull domethënës se si denoncimi i autoritarizmit ka eliminuar ndikimin negativ të komunitetit ndërkombëtar është kriza e famshme e piramidave të 1997-ës. Duke ia veshur pothuajse të gjithë krizën autoritarizmit Berishian është eliminuar roli themelor i komunitetit ndërkombëtar në acarimin e kësaj krize. Nuk e kam fjalën thjesht për qëndrimet politike të Evropës pas zgjedhjeve të 1996-ës. As për pasojat e modelit financiar të zbatuar nga FMN, që për të ulur inflacionin, bllokoi kreditimin nga bankat shtetërore, duke stimuluar kreditimin informal, që ishte gjeneza e piramidave. E kam fjalën për insistimin e Qeverisë së kohës për të mos marrë përsipër garantimin e depozitave, sepse diçka e tillë do nxiste inflacionin, qëndrim që u përshëndet dhe mbështet fort nga FMN-ja, por që i hodhi benzinë zjarrit të revoltës. Imagjinoni çdo kish ndodhur në krizën e fundit financiare që kaloi Amerika dhe Britania sikur liderët përkatës të kishin mbajtur të njëjtin qëndrim si Qeveria jonë në vitin 1997, duke u thënë qytetarëve amerikanë dhe britanikë se Qeveria nuk merr përsipër garantimin e depozitave të tyre apo shpëtimin e sistemit bankar. Anglezët dhe amerikanët do kishin shpërthyer në revolta, duke djegur dyqane dhe ndërtesa qeveritare. Natyrisht, askush nuk do ta kish shpjeguar këtë si pasojë e primitivizmit ballkanik apo e mungesës së kulturës demokratike. E megjithatë, sot kur flitet për 1997-ën, gjithçka reduktohet ose tek autoritarizmi i Berishës, ose te teza banale e 'rebelimit të kuq' që Berisha ende vazhdon ta përdorë pa pikë turpi.
Së dyti, anti-autoritarizmi duke denoncuar shkeljen e ligjit anashkalon problemin e cilësisë së ligjeve tona, që në shumicën e tyre lindin të vdekura, po të përdorja një koncept të dobishëm që e ka shtjelluar mjaft mirë Koli Bele (shiko Kur Lohani foli për duhanin!, Panorama, 29.03.2010). Një pjesë e mirë e ligjeve tona janë të pazbatueshme që kur aprovohen, sepse në vend që të reflektojnë dhe t'i përgjigjen realitetit shqiptar, ato janë kopjuar pa rezerva nga realitetet ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i legjislativit tonë sot është prodhimi i ligjeve në mënyrë që të integrohemi në BE, ndaj shumica e ligjeve tona janë mish i huaj. është folur shumë për rastin e ligjit që ndalon duhanin si rast tipik i këtij fenomeni. Por i gjithë legjislacioni ynë në thelb është i kësaj natyre. Kështu prej kohësh ne kemi kriminalizuar ryshfetin apo korrupsionin (sepse kemi nënshkruar Konventat e Këshillit të Evropës për Korrupsionin, Civile dhe Penale ), çka do të thotë që jo vetëm ai që merr, por edhe ai që jep ryshfet dënohet me gjobë dhe deri burg. Ama nëse këto nene të Kodit tonë Penal do zbatoheshin realisht, atëherë të gjithë ne duhet të përfundonim në burg. Nuk mjafton arrestimi i një apo dy mjekëve për korrupsion, nëse realisht e adhurojmë ligjin, duhet të fusim të gjithë mjekët në burg! Po kështu 'shitja' e votës në shkëmbim të një vendi pune në Kodin tonë Penal dënohet me gjobë për votuesin dhe deri me burgim për premtuesin. Ama, sikur të zbatohej ky nen, një pjesë e mirë e elektoratit duhej gjobitur, ndërsa Parlamenti duhej futur i gjithi në burg. Raste të ligjeve që janë të pazbatueshëm ose sepse nuk reflektojnë realitetin shqiptar, ose sepse nuk kanë mbështetje lokale, ose sepse tejkalojnë mundësitë tona administrative, ose sepse janë të keqformuluar, mund të jepen pafund. Ashtu sikurse mund të flitet gjatë për kontradiktat mes ligjeve të ndryshme në kohë të ndryshme, siç është rasti i ligjeve mbi kthimin dhe kompensimin e pronës. Ashtu sikurse mund të flitet shumë edhe për përplasjet mes ligjit, akteve nënligjore dhe urdhrave që lëshohen nga ministrat. Në të gjitha këto raste, problemi nuk është tek autoritarizmi, por tek fakti që shumica e ligjeve tona që në gjenezë lindin të vdekura, sepse ne nuk kemi takat të prodhojmë ligje të gjalla.
Që të prodhosh 'ligje të gjalla' duhet minimalisht të kesh një sovranitet konceptual dhe politik që të lejon të njohësh realitetin e vendit tënd, realitet të cilin ligji që ta rregullojë, duhet më parë ta marrë parasysh. Ligjet britanike apo amerikane nuk janë cilësore sepse janë kopjuar mirë, por sepse i përgjigjen mirë realitetit që i prodhon. Ndërsa ne na mungon aftësia për të njohur dhe rregulluar realitetin ku jetojmë si konceptualisht, si politikisht edhe administrativisht. Konceptualisht dhe politikisht ne ende e lexojmë realitetin tonë te raportet e BE-së, sepse sytë i kemi nga Evropa dhe veten e shohim vetëm në reflektimin e saj. Administrativisht teoria neoliberale e 'shtetit të vogël' ka reduktuar burimet administrative dhe njerëzore që do duheshin për të njohur realitetin dhe formuluar ligje që i përgjigjen atij. Për ta kuptuar këtë mjafton të shohësh numrin e kufizuar të stafit që merret me përgatitjen e ligjeve (p.sh. në Parlament), dhe mungesën e institucioneve kërkimore që merren me vlerësimin e realitetit ku këto ligje aplikohen. Tek ky pikëtakim i dimensionit neoliberal me atë neokolonial duhet parë një pjesë e mirë e katastrofës sonë ligjore. Pikërisht këtë problematikë eliminon denoncimi i autoritarizmit. Ai jep një shpjegim të thjeshtë; ligji te ne nuk zbatohet, sepse ai shkelet nga 'i madhi'. Dhe kur ligjin e shkel 'i madhi' çfarë pret nga 'i vogli'. Kjo është logjika bazë e anti-autoritarizmit, që shpjegon sot mungesën e shtetit ligjor tek ne. Nuk kemi të bëjmë me një gënjeshtër. Kemi të bëjmë me një të vërtetë të thjeshtë, që fsheh një realitet kompleks. Fsheh të vërtetën e madhe se sistemi ynë ligjor jo vetëm nuk zbatohet, por është në esencë i pazbatueshëm, sepse u përgjigjet interesave që vijnë nga jashtë dhe jo nga brenda.
Kështu, duke kritikuar autoritarizmin e politikanëve shqiptarë që shkelin ligjin, legjitimohet modeli neo-kolonial i kopjimit të ligjeve, që është një nga bazat e integrimit tonë në BE. Kemi të bëjmë me një model tërësisht fiktiv, ku mijëra ligje që nuk kanë lidhje me realitetin shqiptar, ose që administrata jonë nuk ka kapacitet t'i zbatojë, aprovohen shpejt e shpejt në emër të integrimit në BE. Nga këtu buron edhe kultura anti-ligjore shqiptare, që ligjin e sheh si diçka fiktive, sepse në fakt ai i tillë është. Në kushte të tilla, të kërkosh me patos 'sundimin e ligjit' do të thotë të kërkosh qiqra në hell. Ndërsa të denoncosh autoritarizmin do të thotë t'i biesh samarit, sepse nuk ke ç'i bën gomarit.
Kjo nuk do të thotë se autoritarizmi nuk është problem në skenën tonë politike, apo se politikanët tanë janë burra të mirë. Ama duke u marrë me autoritarizmin e politikanëve tanë, ne injorojmë kontekstin nga buron. është një kontekst që nuk mund dhe nuk duhet të reduktohet tek Berisha, Rama apo Meta siç ndodh rëndom në hapësirën tonë publike sot. Vetëm kur të mos merremi më me Berishën, Ramën apo Metën do arrijmë të kuptojmë se çfarë i prodhon ata. Fatkeqësisht mediat tona, që shpesh janë ndërtuar për të marrë nga Berisha, Rama dhe Meta, e kanë të pamundur të mos merren me ta. Nuk kemi pse të biem në këtë grackë.