E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kopshtin e ëndrrave

Ekspozita “Kopshti i ëndrrave” është paraqitja më e madhe e artit shqiptar, në Poloni, e hapur me 10 dhjetor, në Galerinë Miejska të Bashkisë së Bidgoshcit (Bydgoszcz) e cila do të qëndrojë në këtë hapësirë për rreth një muaj, për t’u zhvendosur edhe në galeri tjera të njohura në Poloni. Nga Albana S. Muja më 27 dhjetor 2010 në ora 09:58

Rreth 26 artistë kryesisht nga Kosova dhe Shqipëria, me pikturë, skulpturë, qeramikë, video instalacion, performancë, fotografi, paraqesin përmbajtjen e ekspozitës “Kopshti i ëndrrave”, e hapur në Poloni në Galerinë Miejska të Bashkisë së Bidgoshcit (Bydgoszcz).
Ekspozita "Kopshti i ëndrrave", e hapur me 10 dhjetor, prezanton artin modern shqiptar në Poloni. Arti i këtij vendi është krejt i panjohur për publikun polak, ndërsa kjo ekspozitë është një mundësi e mirë për të njohur artin bashkëkohor të Kosovës dhe Shqipërisë.

Koncepti i "Kopshtit të ëndrrave" përfshin tregimin e fatit të një kombi të ballafaquar me luftën e pakompromis, interesat, ideologjitë, ekonominë dhe dëshirën për pushtet.

Artistët, të cilët përfaqësuan vendin dhe punën e tyre, janë: Adem Rusinovci, Majlinda Kelmendi, Ardian Isufi, Albes Fusha, Ali Oseku, Ardian Kapo, Artan Peqini, Fatmir Miziri, Gazmend Leka, Genc Permeti, Ilir Butka, Lumturi Blloshmi, Merita Selimi, Najada Hamza, Oert Miziri, Sadik Spahija, Vladimir Myrtezai, Gentiana Meta, Jetmir Lubonja, Kedi Meniku, Renato Alickolli, Rezarta Hoxha.

“Pjesëmarrja jonë në këtë ekspozitë kushtuar artit shqiptar në Poloni, vjen si një ftesë nga profesorët e Akademisë së Arteve të Tiranës, dhe si rezultat i një bashkëpunimi mes profesorëve të Akademisë së Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Prishtinës. Ndërsa mënyra e prezantimit të veprave tona në këtë ekspozitë, ishte përmes dorëzimit të disa punimeve tona, ndërkaq që ishte kuratori polak ai që përzgjodhi ato punime që përputheshin me konceptin e tij, dhe që i përkasin zhanrit instalacion dhe performancë”, tha artistja Majlinda Kelmendi.

Ekspozita është e bazuar në përvojën e së ardhmes së veprimeve shoqërore në shumë dimensione, në formë dhe përmbajtje. Artdashësit polakë do të jenë në gjendje të krahasojnë aspiratat e të dy shoqërive të shprehur në gjuhën e artistëve shqiptarë. Mediat polake e kanë vlerësuar këtë ekspozitë si të projektuar për t’i shërbyer artit polak. Kompleksiteti i kulturës shqiptare, e ardhmja pavarësisht nga dallimet e caktuara, në esencë është një element i kopshtit evropian të ëndrrave.

Kelmendi shprehet se titulli i kësaj ekspozite, përveç tjerash, është shumë domethënës dhe ka rëndësi të veçantë për të si artiste. “Është shumë e rëndësishme për të qenë pjesë e kësaj ekspozite që është më e madhja kushtuar ndonjëherë artistëve shqiptarë në Poloni, sepse aty ne prezantojmë artin tonë. Duke i treguar kështu Evropës sesi arti është përpjekur për të qenë një opozitë e fortë e sistemeve politike shqiptare dhe sesi është përcjellë kjo frymë te publiku”, tha Kelmendi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj në galerinë në fjalë, ndërsa do të shëtisë nëpër galeritë e njohura të Polonisë deri më datën 27 shkurt të vitit 2011.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›