Dhimbjet dhe gëzimet në jetë

“Jeta ime? Si një lojë bowling, vetëm se ndonjëherë kam përfunduar në anën e gabuar, atë të birilave”. Goditje të ashpra, në 65 vitet e jetës së tij, Eric Clapton ka pasur shumë. Disa prej tyre i ka kërkuar vetë, duke e ekzagjeruar me drogën dhe alkoolin, të tjera ja ka rezervuar fati, si vdekja e djalit 4 vjeç (nga lidhja me Lory del Santon), që ra nga kati i 49-të i një grataçele në Nju Jork, më 20 mars të vitit 1991.
“Në kokën time, ashtu si në stomakun tim, ka një sërë dhimbjesh dhe gëzimesh të ndërthurura së bashku. Kështu, për të zgjidhur ndonjë nyje, u rizhyta sërish në të kaluarën dhe përmblodha në albumin e ri të gjitha këngët e adoleshencës time. Ato që më bënë muzikantë. Për shumë janë këngë të trishtueshme, por që për mua ngjallin shijen, aromën dhe tingujt e një jete të largët: kur në darkë hipja në këmbë mbi karrige për të kapur frekuencat e radios që transmetonte muzikën time të preferuar, që ishte bluzi, por që atëherë nuk e dija që quhej kështu”. Gjithçka ndodhte në Ripley, një fshat i vogël rural në Surrey, në Angli. Aty ku ka lindur pikërisht Eric Patrick Clapton, në vitin 1945, nga një 16- vjeçare me emrin Patricia dhe një ushtarak 24-vjeçar kanadez, i kthyer në Keberk shumë pak ditë nga lindja e tij.
“Nuk pata kurrë mundësinë të shihja në sy babain tim. Për nëntë vjet me radhë më bënë të besoja se gjyshërit ishin prindërit e mi, ndërsa nëna ime ishte motra ime e madhe. Nuk kujtoj asgjë nga dita kur zbulova të vërtetën. Më kujtohet vetëm një heshtje e madhe dhe gishtërinjtë që më lëviznin shpejt mbi butonat e radios për të gjetur një këngë apo diçka tjetër që të mbushte boshllëkun që ishte hapur në zemrën time”. Në ndryshim nga shumë kolegë të tij të bërë rockstar në vitet ‘60 dhe ‘70, Clapton preferoi diçka tjetër. Dukej sikur donte të largohej nga mitologjia që emri i tij evokonte dhe të theksonte se jeta dhe jetëgjatësia e një artisti varen në shumë raste nga ruleta e fatit. “Një shembull? Momentin e parë të famës botërore ia detyroj goditjes me kokë të një fansi të fiksuar, që në vitin 1966 shkroi në stacionin e metrosë së Islingtonit në Londër, me të madhe:
“Clapton është Zoti”. Pas asaj të shkruare u panë të tjera, gjithmonë në muret e metrosë londineze. Kjo ngjarje përfundoi në gazetë, u transmetua në televizion dhe unë u bëra i famshëm jo prej meritave të mia muzikore. U bëra zot, zot i kitarës”. Një famë që dhjetë vjet më vonë do t’i rikthehej kundër, kur Londra dhe rrethanat e saj u bënë fortesa e lëvizjes më anarkike dhe nihiliste të historisë së muzikës: “punk”-ët. “Objektivi i atyre djemve ishte të shkatërronin gjithçka që ishte ndërtuar dhe që po lulëzonte në atë moment. Papritur e gjeta veten në listën e muzikantëve të vjetër e të mërzitshëm, që mbante mbi shpinë fajin që ishte përpjekur për të bërë muzikë cilësore.
U shndërrova në një armik, një borgjez reaksionar, një pengesë për të renë që avancon. Nuk iu pëlqente mënyra se si i bija kitarës, si këndoja. Me pak fjalë, gjithçka”, - shprehet Clapton. Ajo që nuk e imagjinonin ‘punk’-ët kërcënues në vitin 1976, ishte se një ditë Clapton do t’u jepte atyre pjesërisht të drejtë, të paktën për sa u përket kordave vokale. “Me kalimin e viteve e kuptova se nuk më pëlqente mënyra ime e të kënduarit.
Kur dëgjoj zërin tim, më ngrihen nervat. Nëse mendoj për një këngëtar të madh të asaj kohe, më vjen ndër mend Ray Charles, një njeri që përpara mikrofonit dinte të jepte zemrën dhe shpirtin”. Në epokën e muzikës digjitale, të këngëve komerciale, të blerjeve të shpejta në imunes, Clapton nuk do të duket si armik i progresit, alien i botës që ndryshon. “Gjithçka që po ndodh është e mrekullueshme, e adhuroj muzikën digjitale, sepse para se të paguash për të shkarkuar një album, të lejojnë të dëgjosh 30 sekondat e çdo kënge. Kjo në kohët e mia nuk ndodhte. E blije diskun, dhe të pëlqenin apo jo këngët që ai kishte brenda, ky ishte vetëm problemi yt. Me pak fjalë, asnjë nostalgji? “Do të gënjeja hapur nëse do të thosha se nuk më mungon diçka. Po shpjegohem: në këtë pikë të jetës nuk ka gjëra që nuk mund t’ia lejoj vetes. Nëse dua një ‘Ferrari’ mund ta blej. Nëse është një kitarë që më pëlqen dhe dua ta blej, dal nga shtëpia dhe e blej. Të gjitha gjërat që kanë një çmim mund t’i blej pa problem. Por, ka diçka që për fat të keq, askush nuk mund të ma kthejë më: regjistruesi im i parë me kaseta, një “Grunding” jeshil që kishte kushtuar 10 sterlina. Ai mjet ka qenë porta ime e hyrjes në jetë, atje kam regjistruar këngët e mia të para. Pikërisht mbi atë kanë rënë lotët e mi të parë. Ëndërroj ta kem në dorë, qoftë edhe për pak sekonda”.
Rivalë në dashuri
Miq në jetë, bashkëpunëtorë në muzikë dhe rivalë në dashuri. George Harrison dhe Eric Clapton kanë pasur të përbashkët një grua, modelen bukuroshe angleze Patty Boyd. “Nëse do të kthehesha pas, - tregon sot kitaristi, - nuk do t’ia ‘vidhja’ më gruan mikut tim të ngushtë”. Marrëdhënia mes Clapton-it dhe Boyd-it, e nisur në vitin 1979, u ndërpre dhjetë vjet më vonë. Nga ish-‘Beatles’ që vdiq në vitin 2002, Claptoni kujton: “më ka mësuar truket e zanatit, para së gjithash akordimin e kitarës”.