E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kryeministri, tani po instalohet teatri i kukullave

15-09-2013 / Nga Sejdi Peka

Nuk ishte e papritur dhe as për t’u çuditur me paraqitjen që Edi Rama i zgjedhur si Kryeministër i Shqipërisë bëri në Parlament, duke paraqitur programin e qeverisë që ai do të kryesojë. Opinioni priste në të vërtetë një program që mundet të ishte sadopak i besueshëm që mundet të ndryshonte gjendjen ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve. I ashtuquajturi “program”, aq shumë i trumbetuar, nuk ishte tjetër vetëm një fjalim tendencioz, pa asnjë lidhje me një program qeverisës 4 vjeçar. Gafa më e paskrupullt, duke treguar edhe njëherë tjetër kokëboshin bolshevik të atij që do të bëhet kryeministër i shqiptarëve, ishte ajo kur 23 Qershorin kur sipas tij “shqiptarët votuan skuadrën e Rilindjes, ishte si 22 Marsi 1992 kur shqiptarët përmbysën regjimin komunist”. Sipas Ramës edhe 23 Qershori ishte një përmbysje sistemi. Po çfarë sistemi vallë do t’u ofrojë tani Edi Rama shqiptarëve? Kjo mbetet për t’u parë. Nuk është e mundur të instalohet sistemi komunist por rreziku i instalimit të një sistemi neokomunist është i rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri dhe më gjerë. Historikisht me 22 Mars 1992, Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha, përmbysi regjimin komunist dhe vendosi sistemin demokratik perëndimor. Me reforma demokratike të monitoruara nga institucionet ndërkombëtare, e orientoi Shqipërinë në proceset euro-atlantike. Shqipëria në qeverisjen e demokratëve ka bërë përparime të jashtëzakonshme në rrugën e vështirë të demokracisë. Anëtarësimi në NATO në aleancën e 27 vendeve më të fuqishme të globit e udhëhequr nga ShBA, ndërkohë kur vendet e rajonit nuk janë antare të NATO-s, liberalizimi i vizave, plotësimi i kritereve për anëtarësimin në BE, por që u pengua nga bojkoti i votimit të tre ligjeve në Parlament nga Edi Rama, vizita e Presidentit Amerikan në Shqipëri dhe deklarata e tij në takimin me Berishën për pavarësinë e Kosovës, bëjnë hi e pluhur gënjeshtrat e Ramës se “Shqipëria është sot si në vitin 1992”. Janë më shumë se 400 mijë vila të ndërtuara nga shqiptarët në Tiranë dhe anekënd Shqipërisë. Shqiptarët panë dhe dëgjuan kryeministrin e tyre të zgjedhur se “do të bënte këtë dhe atë”, por në fakt asgjë konkrete. Asnjë fjalë për rritjen e mirëqenies së shqiptarëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve. Përmendi në infrastrukturë vetëm Rrugën e Arbërit, asgjë tjetër. Po se ku do të merret buxheti dhe sa do të jetë kostoja për hapjen e në fakt 470 mijë vendeve të reja pune të premtuara së bashku me LSI në fushatën elektorale, asnjë shifër nuk u dha dhe nuk u tha. Premtimi elektoral i legalizimeve falas, u tkurr paturpësisht si gënjeshtra më e madhe se “do të përfundojë deri në fund të mandatit”. Deri atëherë do të ketë kohë Rama të bëjë çfarë të dojë me djersën e shqiptarve, duke i bërë rrafsh me tokën shtëpitë e tyre, si të dojë dhe kur të dojë sipas interesave të karteleve të ndërtimit me të cilat është i lidhur me një klientelë kriminale e kundër interesave kombëtare. Duke mos patur kohën dhe hapësirën të analizojmë mashtrimet e tjera si shëndetësi falas, asnjë taksë për biznesin e vogël, uljen e çmimeve, heqjen e tvsh për mallrat ushqimore e shumë të tjera, janë premtime utopike ashtu siç ishte utopi teoria e tyre marksiste. Gënjeshtra ditën për diell më të paftyrë nuk mundet të riprodhojë as edhe Nastradini. Shqiptarët nuk mundet që ta hanë sapunin për djathë. Edhe shqiptari më i thjeshtë është i informuar se “skuadra e rilindjes” ka fituar një deputet më pak me 23 Qershor, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Zgjedhjet i ka fituar LSI. Se cilat ishin gabimet taktike të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në këtë linjë, mbetën për t’u parë dhe analizuar. Në këtë pikëpamje, në godinën e Kryeministrisë është instaluar Teatri i Kukullave. Dhe opinioni shqiptar sipas Edi Ramës është një spektator i rëndomtë që mendon ashtu siç mendojnë fëmijët e vegjël se kukullat që ngrihen në ekran që herë qeshin dhe herë qajnë, janë të prej te vërteti, pa kuptuar se është Edi Rama në rastin konkret që e ka shndërruar Këshillin e Ministrave në Teatër, ku kukullat janë ministrat e tij të emëruar, që me të ashtuquajturin “kod të etikës” atyre nuk duhet t’u funksionojë truri dhe as gjuha për të folur. Ata janë thjeshtë kukulla me një mekanizëm të tillë që kalon nga Edi Rama. Ata nuk kanë veshë të dëgjojnë dhe as sy të shikojnë; të gjitha i dëgjon dhe shikon Edi Rama. Pa asnjë fjalë këto janë praktika të sistemit diktatorial komunist ku Enveri ishte “ syri dhe zemra e popullit”.Kështu si ka filluar kjo qeveri,duket se ditët i ka të numëruara. Performanca e saj është abstrakte, e panjohur në protagonistët e saj. Thonë se disa nga ministrat e Ramës asnjë shkollë nuk kanë mbaruar dhe njihen në adoleshencën e tyre si rrugeçër nëpër rrugët e Tiranës. Disa prej tyre janë të lidhur me krimin e organizuar. Të tjerë bëjnë pjesë në brezin e dytë të kastës së kuqe enveriste dhe të bllokmenëve.
Unë shkruaj për ata që besojnë në Zotin dhe në të vërtetën, që e duan Shqipërinë dhe interesat kombëtare. Sinqerisht nuk dëshiroj që Shqipëria jonë e vuajtur shumë të ketë përpara ditë të vështira. Se pushtetarët që morën pushtetin i kanë mbushur thasët. Ata duan të sundojnë dhe jo të qeverisin. Shqiptarët do të paguajnë haraçin e 23 Qershorit, njerëzit e varfër dhe në nevojë do të jenë më të varfër, të tjerët duhet të shtrëngojnë rripin, të gjithë ne. Po kush na e ka fajin që nuk dimë të zgjedhim?        

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›