“Ministri i ri Brendshëm, Sajmir Tahiri një individ depresiv që ka tentuar vetëvrasjen”

Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka në parlament
Ish -ministri i Brendshëm Flamur Noka, duke diskutuar dje në seancën plenare të Kuvendit, theksoi se në këto 8 vite, Policia e Shtetit ka shënuar arritje ne luftën ndaj krimit, duke marre vlerësime dhe nga partneret ndërkombëtare. “Policia e Shtetit është kthyer në një trup që ka rezultate konkrete dhe ka fituar vlerësimin maksimal tek partnerët ndërkombëtare. Sot ajo është duke ecur drejt standardeve evropiane, theksoi Noka. Më pas deputeti Noka u ndal tek programi qeverisë “Rama”. “Nuk u tha asgjë për atë që mund të quhet program, por vetëm shpalosi disa faqe me përralla. Fjalë dhe vetem fjalë në një hartim që kërkon të tregoje se z. Rama dhe shpura e tij do të bëjnë historinë, duke harruar se historia e këtij vendi nuk fillon e as mbaron me ardhjen e tij në pushtet. Një fjalim vetëm nihilist që nuk tregon në asnjë frazë të tij se si do realizohen premtimet e dhëna në fushatë, shumë prej të cilave janë lënë jashtë”, theksoi ai. Sipas tij, ministri i ri i Brendshëm është i paaftë mendërisht dhe fizikisht. “Ju i servirni shqiptarëve për drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policise se Shtetit një individ gjysmak i cili pasi nuk mbaroi dot shkollën në Xhenova, u kthye për ta vazhduar në Shkodër, pasi dhe atje nuk e mbaroi dot erdhi e gjeti një zgjidhje për të marrë një diplomë në Tiranë. Ju i servirni shqiptarëve, si Ministër të Brendshëm, nje individ depresiv që ka tentuar suicid dhe që për këtë është mjekuar në spitalin San Martino në Xhenova”. Sipas tij, do kemi Ministër te Brendshëm një njeri i cili kohë më parë, “ka qenë kontingjent i Policisë si hajdut kasetofonash, dhe se fundmi shoqërues i Shullazit &co, biles duke shëtitur edhe në skafin e tij. Si mund të motivojë Ministri gjysmak policinë e shtetit kur babai i tij ka qenë objekt i saj për kontrabandë ilaçesh”.