E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania pranon të financojë projektin 37 milionë euro

Kredia

Qeveria harron linjën e Podgoricës, miraton tri kontrata 110 kv për Jugun
Mbështetja e qeverisë gjermane për të financuar projektet energjetike në Shqipëri po vazhdon. Pas linjës 400 kv të Tiranë-Podgoricë, qeveria ka lidhur dhe tri kontrata të reja që kanë të bëjnë me ndërtimin e linjës 110 kv që lidh pjesën e Jugut. Projekti do të financohet nga banka gjermane KfW, me vlerë rreth 37 milionë euro. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka vlerësuar projektet e reja, por, nga ana tjetër, nuk ka shtuar asnjë fjalë sa i takon linjës 400 kv që po ndërtohet aktualisht po me financim gjerman. Sipas projektit, linja Tiranë-Podgoricë ka një ecuri të ngadaltë, rreth 6 muaj vonesë, për shkak të problemit me shpronësimet. Në rast se linja do të ishte në funksion, do të kishim më shumë mundësi eksporti dhe pak dëme nga përmbytjet.
Duke u ndalur te projekti i unazës së Jugut, Kryeministri tha se ky investim madhor i qeverisë do të përmirësojë gjendjen e furnizimit me energji të zonave kryesore turistike të vendit, siç është Vlora, Saranda dhe zonat ndërmjet. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi vendimet për ratifikimin e marrëveshjeve të huas dhe projektit, nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe operatorit të Sistemit të Transmetimit si agjenci e zbatimit të projektit KfW, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kv e Shqipërisë së Jugut, nëpërmjet akordimit të tre huave”.Duke e vlerësuar të rëndësishme këtë marrëveshje dhe duke falënderuar qeverinë gjermane, Kryeministri u shpreh se zbatimi i këtij projekti përbën investimin e dytë madhor që qeveria ka bërë pas ristrukturimit të plotë të Bistrica 1, Bistrica 2 për të përmirësuar gjendjen e furnizimit me energji të zonës kryesore turistike të vendit, siç është Vlora, Saranda dhe zonat ndërmjet. “Marrëveshja apo linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut ka një faturë prej 37 milionë eurosh, kurse projekti i saj ka një faturë prej 500 mijë eurosh”.
Vendimi është marrë edhe për linjën tjetër 400 kv me Kosovën, vlera e së cilës i kapërcen 40 milionë eurot.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›