E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kulmin e krizës Bode rregullon zyrën me 100 milion lekë

Me paratë e taksapaguesve shqiptarë do rikonstruktohet edhe një vilë moderne për Presidentin Nishani

Ndërkohë që shqiptarët janë zhytur në borxhe, funksionarët e lartë të shtetit po bëjnë realitet ëndrrat me gjellë pasanikësh.

Pas publikimit të super-vilës qeveritare me kosto 500 milionë lekë, duket që as ministri i Financave nuk e lë dot pas luksin. Në gazetën Shqip bëhet e ditur se prej një muaji është kontraktuar një firmë private për të ribërë nga e para zyrën e Ridvan Bodes dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Tenderi është zhvilluar në qershor dhe konsiston në ndërtimin e zyrës, përfshirë edhe mobilet në vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra. Në fillim për modernizimin e zyrave, të cilat ishin moderne, u vunë në dispozicion 120 milionë lekë, por në tender firma fituese ofroi 90 milionë lekë të vjetra (me TVSH). Vetëm për pajisjet e zyrave janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 60 milionë lekë.

Sakaq vetë ministri Bode ka lëshuar para disa muajsh një urdhër, ku iu drejtohej institucioneve të ndryshme duke i kufizuar fondet për shkak se buxheti ishte në krizë. Kështu që administrata tatimore nuk gjen dot para për të blerë letër A4, zyrtarët nuk kanë naftë për automjetet, borxhet me firmat e shumta të ndërtimit kanë prekur çdo limit, pasi detyrimi që shteti u ka atyre arrin në 120 milionë euro (pa TVSH), dhe në listë janë mbi 50 shoqëri private, por kjo nuk e shqetëson Boden.

Ndërkohë ka filluar rikonstruktimi për një vilë moderne edhe për Presidentin Bujar Nishani. Mësohet se ai do të qëndrojë në vilën nr.4 që ndodhet në zonën e Pallatit të Brigadave. Por, meqë ish Presidenti Topi nuk qëndroi në këtë vilë thuhet se ajo është amortizuar, kështu që ka filluar menjëherë puna për modernizimin e saj. Rikonstruktimi i kësaj vile pritet të përfundojë në fillim të shtatorit, kur Presidenti së bashku me familjen të kthehen nga pushimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›