E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Abuzimet me ARMO-n, për shkak të lidhjeve të Taçit me fondacionin e Liri Berishës

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka denoncuar edhe një herë abuzimet e mëdha me ARMO-n dhe borxhin prej 60 milionë dollarë që ka Rezart Taçi ndaj shtetit. Braçe thotë se, përveç borxhit ndaj shtetit, ARMO ka hyrë në borxh edhe ndaj punëtorëve të vet, që ka tre muaj që nuk i paguan. Sipas Braçes, të gjitha këto abuzime ndodhin për shkak të lidhjeve të Rezart Taçit me Liri Berishën, duke parë që financon fondacionin e kësaj të fundit.

KLSH, përmes një raporti bën me dije se kompania ARMO- blerë në një proces privatizimi prej biznesmenit Rezart Taçi- ka borxh të madh ndaj shtetit:

-mbi 40 milion dollarë borxh ndaj kompanisë shtetërore- nxjerrë në shitje-ALBPETROL;

-mbi 20 milion dollarë borxh ndaj Drejtorisë së Tatimeve si detyrim i papaguar.

Por ka edhe një borxh tjetër:

Rrogat, sigurimet shoqërore e shëndetësore të punëtorëve, për tre muaj të paktën.

Në fakt unë personalisht kam 2 vite që tregoj shifrat që rriten për vit si borxh i ARMO-s ndaj shtetit. Dëgjojnë, por kërkush nuk reagon, vetëm mbajnë shënim ne defteret e qeverisë borxhin ditë pas dite!

Marrëdhënia e Sali Berishës me Rezart Taçin, pagesat e tij në emër të një fondacioni që drejtohet nga gruaja e Sali Berishës e që kurrë si bën publike financat e tij, janë elementët kyç që stimulojnë rritjen e borxhit privat të ARMO-s ndaj shtetit.

Ndërkohë Rezart Taçi zotëron 85% të aksioneve në kompani! 15% të aksioneve i ka Ministria e Ekonomisë, pjesë e qeverisë së Sali Berishës.

Ministria e Ekonomisë ka një anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të ARMO! Ka qenë Ardian Alushi më parë e tani është Selfo Kapllani!

Interesat e kujt mbrojnë këta?

A mblidhet ky këshill mbikëqyrës dhe a kërkojnë hesap përfaqësuesit e shtetit për borxhin ndaj shtetit dhe punëtorëve?

Natyrisht, pronari dhe përfaqësuesi ligjor i ARMO, Rezart Taçi, është përgjegjës.

Por, përgjegjës sa ai është qeveria e Sali Berishës.

Punëtorët duan paratë e rrogave! Qeveria tua japë! Të vihet në lëvizje, siç u vu në lëvizje për banken e Alievit, shprehet deputeti socialist.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›