Në lagjen e shkrimtarëve

Banorët e Brooklyn tashmë janë mësuar të shohin yllin e kinemasë Paul Giamatti që shoqëron çdo ditë vajzën për në shkollë. Nëse Bjork shëtit pa dashur të bjerë ne sy, me xhinse dhe bluza të gjera, për Brooklyn-in e bukur, kjo nuk është diçka e pazakontë. Por kur u përhapën zëra se Martin Amis shpenzoi plot 2.5 milionë dollarë për një shtëpi trekatëshe në “Cobble Hill” lajmi u përhap me shumë shpejtësi në qytet.
“Një anglez në Brobo” e titulloi “New York Observer”, duke përdorur emrin më në modë të Brooklyn, pjesës perëndimore të qytetit, distriktit më të populluar të New York City. Menjëherë nëpër blogje nisën të shpërndaheshin me shpejtësi shkrimet për t’i dhënë këshilla Amis se si të shmangte hajdutët e iPhone-it apo se si të regjistrohej nëpër kurset e tenisit sa më afër lagjes ku do jetonte. Por pas këtyre shakave një gjë duhet të jetë e vërtetë: nëse Martin Amis preferoi të zgjedhë Brooklyn në vend të Manhattan-it, atëherë me siguri duhet të ketë diçka shumë tërheqëse për shkrimtarët.
Qyteti
Tashmë Amis është i lidhur në mënyrë natyrore me rilindjen letrare të Brooklyn-it. Ndoshta ka hipur në metronë që shkon për në “Fort Green”, ku jeton Jennifer Egan, që vitin e kaluar mori çmimin “Pulitzer” me librin “Koha është bastarde” e që jeton jo shumë larg një tjetër fitueseje të këtij çmimi, Jumpa Lahririt.
Disa stacione metroje më në lindje, në “Park Lope” mund të mbushësh një librari me veprat e shkrimtarëve më të njohur dhe fqinjëve si Paul Auster, Rick Moody apo çiftit gjenial Jonathan Safran Foer dhe Nicole Krauss. Por për të krijuar një ide më reale të fermentit letrar që ka shpërthyer në Brooklyn, Amis duhet të provojë edhe “produktet” vendase si revistat lokale, shtypin e pavarur, libraritë dhe madje edhe shkolla shumë të vjetra që po e transformojnë këtë lagje, dikur rebele, në atë që shumë kanë nisur ta quajnë “shpirti i jetës letrare dhe intelektuale” njujorkeze.
Brooklyn prej kohësh ka ftuar shkrimtarë në gjirin e tij, madje thuhet që prej vitit 1855. Por për pjesën më të madhe të historisë së tij, qyteti është njohur më shumë për aktivitetin e tij industrial, sesa për vitalitetin artistik. Qyteti ka rënë shpesh pre e flukseve të ndryshme migratore. Por ringjallja e tanishme letrare e Brooklyn-it lidhet me zhvillimin e tij industrial. Pallatet e mrekullueshme të ndërtuara në vitet 1800, i kanë bindur shumë artistë dhe krijues të largohen nga çmimet e çmendura të qirave në Manhattan, për ta gjetur këtu qetësinë.
Një industri e integruar
Zonat e vjetra industriale të Brooklyn-it ofrojnë shumë zyra me çmim ekonomik dhe hapësirë të mjaftueshme për shtëpi të vogla botuese të vendosura për t’u larguar nga çmimet stratosferike të Manhattan-it.
Në këtë mënyrë është krijuar një lloj industrie letrare e integruar, ku aspirantët për poetë dhe shkrimtarë, nuk mjaftojnë vetëm që mund të takojnë idhujt e tyre nëpër kafenetë e qytetit, por kanë në dispozicion shkolla shumë të mira shkrimi, librari të jashtëzakonshme, shtëpi të vogla botuese dhe njerëz shumë të mirë. “Sackett Street Writers Workshop”, është një nga shkollat më të famshme të shkrimit në vend që ka “formuar” më shumë se 1400 shkrimtarë.
“Brooklyn është plot më shkrimtarë fantastikë. Këtu takon shumë njerëz që i kanë dorëshkrimet e romaneve të tyre të mbyllura në sirtar”, thotë një prej shkrimtarëve vendas i formuar në këtë shkollë. Pasi të ketë mbaruar kursin në “Sackett Street”, një shkrimtar i ri mund të nisë punën në një nga revistat më të mira letrare në vend si “One story”, apo në ndonjë nga shtëpitë e shumta botuese në këtë lagje. Mundësitë janë të shumta, mjafton të kesh dëshirë dhe të punosh shumë për të arritur aty ku do.