E Diel, 1 Nëntor 2026

Në luftë me Drejtësinë për Drejtësi, zvarritet muaj të tërë gjyqi ndaj Halimit

—-Nga Dorina Bilbili—-

Tiranë- Pak ditë më parë ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi bëri thirrje se zvarritja e proceseve gjyqësore për shkak të avokatëve, duhet të marrë fund.

Askush nuk mund të nënvlerësojë rolin e gjykatës, të nëpër këmbë drejtësinë, gjykatën, ligjin. Askush nuk duhet të sillet në kundërshtim me procedurën e parashikuar me ligj për një proces të rregullt- tha Halimi para një paneli me ekspertë vendas dhe të huaj.
Por çfarë mase duhet marrë në rast se vetë Ministria e Drejtësisë paditet por gjyqi ndaj saj zvarritet për muaj të tërë me dhe pa kërkesë të vetë tempullit të Drejtësisë shqiptare?

Rasti në fjalë është regjistruar në Gjykatën e Tiranës me 27.01.2012 ku shtetasi Rexhep Bica padit Ministrinë e Drejtësisë për prishje të kontatës së punës. Ai kërkon që Ministria e Drejtësisë ta dëmshpërblejë: a. me pagën e një viti për zgjidhjen e marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar , b. me pagën e dy muajve për mosrespektimin e procedures së njoftimit.

Gjyqtari Agim Bendo deri më tani ka mundur të zhvillojë 6 seanca në 182 ditë nga 222 ditë që merr zakonisht një çështje e ngjashme.

Seanca përgatitore e 15.02.2012 prodhoi vetëm përjashtimin e gjyqtares Enkeleda Bajo Vlora me kërkesë të palës paditëse, seancë që nisi me vonësë 13:12 minuta dhe që u argumentua nga gjykata si vonesë nga gjyqi në gjyq.

Sakaq seanca e rradhës përgatitore e datës 15.03.2012 konkludoi sërish me shtyrje të seancës me argumentin për të përsëritur edhe njëherë njoftimin për të paditurin për të cilin nuk kish konfirmim të letërthirrjes për marrjen dijeni.

Çështja arrin të kalojë në seancë gjyqësore mbi tre muaj pas regjistrimit, me 12.04.2012 duke caktuar mbi 30 ditë më vonë raundin e rradhës.

Më 18.05.2013 seanca për këtë çështje shtyhet nga gjykata pasi duhej përsëritur edhe njëherë njoftimi për Ministrinë e Drejtësisë pasi sërish nuk kishte konfirmuar se ishte njoftuar se një gjykatë një ish-punonjës i saj po kërkonte Drejtësi.

Shtyrje pësoi edhe seanca e datës 21.06.2012 pasi gjykata pranoi kërkesën e palës paditëse për kohë në plotësimin e  kërkesës me shkrim për saktësimin e ndërgjyqsësisë.

Seanca e fundit u mbajt dje dhe IDEA në pritje të fatit që pati beteja e rradhës me Drejtësinë për Drejtësi bën me dije se do të vijojë denoncimin e fenomeneve të tilla që siç tha vetë ministri Halimi janë të turpshme dhe të patolerueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›