E Diel, 1 Nëntor 2026

Në luginën e lotëve të zinj

Autori i Lajmit: Nga Enver Robelli
Në ditët e zakonshme qytetarët e Serbisë qëndrojnë në radhë para Ambasadës së Austrisë në Beograd për të dorëzuar një kërkesë për vizë të Schengenit. Ata që kanë fat të marrin leje për shëtitje të lirë nëpër Evropë largohen nga Ambasada me një ndjenjë triumfi. Edhe të enjten në mëngjes mijëra njerëz u mblodhën para Ambasadës së Austrisë, e cila gjendet afër rrugës “Knez Mihajlova” dhe Kështjellës së Kalemegdanit. Fytyrëngrysur dhe me sy të përlotur njerëzit në këtë ditë nuk prisnin për viza, por për t’i dhënë lamtumirën e fundit patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Pavle, kufoma e të cilit ishte vendosur në Katedralen përballë (Saborna crkva). Prej Katedrales së ndërtuar në vitin 1840, jehojnë këngë të vjetra kishtare. Qytetarët që presin në diellin e ngrohtë vjeshtor bëjnë kryqin në çdo pesë minuta.
Pavle vdiq të dielën e kaluar në moshën 95-vjeçare në Spitalin ushtarak të Beogradit. Dhe Serbia menjëherë rrëshqiti në një greminë pikëllimi. Pavle u quajt autoritet moral, shenjtor dhe prijës i kombit serb. Qeveria menjëherë shpalli tri ditë zie, logot në ballinat e gazetave katër ditë dolën me ngjyrë të zezë, disa televizione të huaja u bllokuan me qëllim që të mos i pengonin serbët në dhembjen e tyre të përshpirtshme. Pas vdekjes së Pavlit në Serbi filloi një garë e pikëllimit: politikanët dhe personalitetet publike shtyheshin me popullin se kush po derdh më shumë lot. Kryetari i shtetit, Boris Tadiq, e quajti vdekjen e Pavlit një humbje të pazëvendësueshme për popullin serb, politikanët e tjerë e quajtën patriarkun “një njeri të paqes dhe të pajtimit”.

Populli i pikëlluar

Pavle u varros të enjten pasdite në manastirin “Shën Arhangjeli” në Rakovicë në periferi të Beogradit, sipas amanetit që e kishte lënë në testament, ku kishte kërkuar një varrim modest. Ceremonia filloi të enjten në mëngjes me meshën e përshpirtshme në “Saborna crkva”. Pastaj kufoma e vendosur në një arkivol të hapur u dërgua para Tempullit të Shën Savës, që është një prej objekteve më të mëdha të ortodoksisë në botë (supozohet se në këtë tempull kishtar mund të zënë vend 12 mijë besimtarë). Televizioni publik i Serbisë njoftoi se nëpër rrugët e Beogradit kishin dalë 500 mijë njerëz për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Pavlit. Për këtë ishte kujdesur Qeveria e kryeministrit Mirko Cvetkoviq: Për nëpunësit e shtetit dita e enjte ishte ditë e lirë dhe me pagesë, madje Qeveria u kishte bërë thirrje firmave private që punëtorëve t’ua jepnin një ditë të lirë për të marrë pjesë në varrimin e Pavlit. Shkollat dhe universitetet në Serbi ishin të mbyllura, nga Mali i Zi erdhi një tren i veçantë me besimtarë, nga Republika Sërpska e Bosnjës erdhën dhjetëra autobusë me serbë të pikëlluar. Në ceremoninë e salikimit para Tempullit të Shën Savës mori pjesë e gjithë udhëheqja shtetërore serbe, pastaj shumë mysafirë nga vendet e rajonit, mes tyre edhe një delegacion i Kishës Ortodokse Shqiptare etj. Mysafiri më prominent klerikal ishte patriarku ekumenik Bartolomej I. nga Stambolli (Konstantinopoja). Tempulli i Shën Savës ka filluar të ndërtohej në vitin 1935 dhe ende nuk ka përfunduar. Themeli i tij është vendosur në kodrinën Vraçar në Beograd, ku me urdhër të kryevezirit Sinan Pasha gjatë sundimit osman ishin djegur eshtrat e Shën Savës.

Nga Kroacia në Kosovë

Pavle u lind më 11 shtator 1914 në Kuçani, një vendbanim që gjendet në Kroacinë e sotme dhe atëbotë ishte pjesë e Monarkisë Austro-Hungareze. Pasi ndoqi mësimet në gjimnazin e Tuzlës në Bosnjë, Pavle, atëherë i njohur me emrin tokësor Gojko Stojçeviq, studioi teologjinë në Beograd dhe në Athinë. Në vitin 1957 ai u emërua peshkop i Peshkopatës Rashkë-Prizren. Në Kosovë ai shërbeu mbi tri decenie. Pavle u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe në vitin 1990, pasi patriarku German ishte sëmurë rëndë (shëndeti i Germanit e kishte marrë tatëpjetën gjatë kremtimeve të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës më 1989, kur ai ishte rrëzuar dhe kishte thyer kërdhokullën). Në mesin e serbëve Pavle çmohej për shkak të modestisë së tij dhe stilit asketik të jetesës. “Ai na ka mësuar ta përqafojmë jetën dhe ta mposhtim të keqen përmes të mirës”, thotë një burrë rreth moshës 50-vjeçare, i cili pret para Katedrales afër Kalemegdanit. Arsyeja pse Pavle ishte i popullarizuar në Serbi ka të bëjë me historinë më të re të këtij vendi dhe me shumë zhgënjime të përjetuara nga populli serb. Pavle ishte personaliteti i vetëm publik që në njëfarë dore gëzonte besimin e miletit ortodoks. Në vitet ‘90 serbët e zgjodhën për idhull Slobodan Milosheviqin, të cilit i duartrokitën derisa ky e çoi vendin në kaos. Me vite të tëra heronj të serbëve ishin Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mladiqi, sot shumica e serbëve, megjithatë, nuk i shohin si të tillë këta dy të akuzuar për krime lufte. Pas rrëzimit të Milosheviqit jo pak serbë, sidomos në trevat urbane, i varnin shpresat te Zoran Gjingjiqi, i cili u vra nga mafia gjysmështetërore. Në mungesë të personaliteteve të besueshme serbët gjetën prehje në prehrin e patriarkut.

Regjistri i mëkateve

Mbi njollat në biografinë e Pavlit është duke heshtur Serbia zyrtare – dhe jo vetëm ajo. Në një deklaratë skandaloze Papa Benedikti XVI e lavdëroi Pavlin si “njeri të ekumenizmit”, pra si njeri të dialogut mes kishave krishtere. Kreu i Konferencës së Ipeshkëve të Gjermanisë, Robert Zollitsch, i thuri lëvdata angazhimit të Pavlit për paqe. Sidomos reagimi i ipshkvit Zollitsch është befasues. Si klerik i lindur në Vojvodinë në një familje të gjermanëve të Danubit, Zollitsch do duhej të kishte njohuri më të mëdha jo vetëm për rolin e patriarkut Pavle, por edhe të Kishës Ortodokse Serbe gjatë luftërave të viteve ‘90. Qëndrimet e Pavlit janë të dokumentuara. Që nga zgjedhja e tij në detyrë në vitin 1990, Pavle është luhatur mes nacionalizmit dhe pragmatizmit. Ai nuk kishte ndërhyrë kur klerikët e tij bekuan tytat e armëve dhe kokat e paramilitarëve; pas masakrës së Srebrenicës Pavle gjatë një ceremonie kungimi u kishte dhënë bukë të bekuar Karaxhiqit dhe Mladiqit. Në vitin 1997 ai nënshkroi një peticion për heqjen e aktakuzës kundër këtyre dy liderëve të serbëve të Bosnjës. Pavle heshti edhe kur u shkatërrua Vukovari dhe Dubrovniku. Ndoshta ishte rastësi që Patriarku serb u varros pikërisht në 18-vjetorin e pushtimit të Vukovarit nga forcat serbe të prira nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ). Regjistri i mëkateve të Pavlit është i gjatë. Në gusht të vitit 1991, ai i kishte dërguar një letër ndërmjetësit të atëhershëm të bashkësisë ndërkombëtare për Ballkan, Lordit Carrington, në të cilën shkruante se serbët nuk mund të jetojnë bashkë me kroatët. Në po atë kohë Pavle kishte mbajtur një fjalim para 30 mijë serbëve në fshatin Prebilovci në Hercegovinë me ç’rast kishte deklaruar: “Nëse është vullnet i Zotit që të luftojmë, atëherë secili serb duhet të luftojë si kreshnik dhe si hero, duke besuar në frymën historike të popullit serb”. Në lidhje me rrethimin e Sarajevës Pavle kishte thënë: “Serbët vetëm nga pak po gjuajnë granata”. Në revistën “Glas Crvke” (Zëri i Kishës) në vitin 1991 kishte shkruar: “Naçertania (programi ekspansionist i ministrit të Brendshëm serb, Ilija Garashanin, publikuar në vitin 1844, v.j.) e re dhe e plotësuar duhet të caktojë kufij të qartë dhe të padyshimtë të shtetit të ri serb dhe duhet të mbrojë popullin tonë, i cili jeton në shtetet e tjera”.

Feja dhe kombi

Patriarku i 44-t serb, Pavle, u distancua nga regjimi i Slobodan Milosheviqit vetëm pasi ky i fundit dështoi në luftën e tij për krijimin e Serbisë së Madhe. Me manipulimin e zgjedhjeve lokale në vitin 1996 dhe me ndezjen e luftës në Kosovë në fund të vitit 1997, Milosheviqi vetëm vazhdoi aventurën e tij vrastare. Kisha Ortodokse Serbe dhe kreu i saj më në fund e kuptuan se nuk mund të përfitonin asgjë nëse vazhdojnë të mbështesin pa rezervë regjimin e Milosheviqit. Pas rrëzimit të Milosheviqit Kisha serbe e gjeti mbështetësin e saj kryesor. Ai ishte Vojislav Koshtunica, i cili i krijoi mundësi të mëdha Kishës për të determinuar jo vetëm debatet publike mbi vlerat e shoqërisë. Nën drejtimin e Pavlit ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe u shtua: u bë mishërimi i pushtetit dhe Kishës, zyrtarët për çdo gjë kërkonin bekimin e Pavlit, u shtua prania e Kishës në ushtri, spitale, shkolla, kulturë, u hapën tri shkolla të larta teologjike, u ndërtuan disa kisha dhe në shkolla u imponua mësimi fetar. Gjatë negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës dinjitarë të Kishës ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në vendimet politike të delegacionit serb.
Kisha ortodokse nuk është vetëm instanca më e lartë religjioze e serbëve. Ajo e sheh veten edhe si mbrojtëse të interesave kombëtare serbe. Për këtë arsye për politikanët e Beogradit është me rëndësi se kush do të drejtojë Kishën në të ardhmen. Si pasardhës i mundshëm konsiderohet mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije, i cili shpesh ka rënë në sy me parulla antiperëndimore dhe me vite të tëra është dyshuar se simpatizon të akuzuarin për krime lufte, Radovan Karaxhiq. Gjatë dy vjetëve të fundit, derisa Pavle ndodhej në spital, Amfilohije e ka përfaqësuar Kishën në opinion. Vitin e kaluar Amfilohije kishte vizituar disa fshatra në rrethinën e Shkodrës në kërkim të varreve të ushtarëve serbë.
robelli@bluewin.ch

Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›