E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimet në fushatë Zgjedhjet, PD dhe PS harxhojnë mbi 100 milionë lekë

Autori i Lajmit: Redaksia
Partitë politike kanë shpenzuar qindra milionë lekë për të financuar fushatën e tyre elektorale. Ky është përfundimi i nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas auditimit të bërë nga ekspertët kontabël për shpenzimet e secilës parti që mori pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në bazë të këtyre të dhënave Partia Demokratike ka shpenzuar 157.054.067 lekë, Partia Socialiste 101.746.870 lekë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 22.889.831 lekë. Ndërkohë që janë më të ulëta shpenzimet e partive të tjera politike. Në relacionin e vendimit të KQZ-së informohet dhe për shkeljet e një sërë procedurash ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor siç është rasti i moshapjes së një llogarie bankare dhe kur donacionet kanë qenë mbi 100 mijë lekë. Relacioni vëren parregullsi të tjera në dokumentacion, siç është mosmbajtja e dokumeneteve të nevojshme që vërtetojnë burimin e shumave të dhuruara.

Relacioni

KQZ ka bërë një verifikim të plotë të gjithë dokumentacionit të dorëzuar nga ekspertët kontabël lidhur me auditimin e financave të partive për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në bazë të këtyre verifikimeve janë dorëzuar brenda afatit të caktuar 26 raporte për auditimin e 26 partive politike ndërkohë që nuk janë dorëzuar ende, raporti për auditimin e Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian për të cilën ishte caktuar eksperti Sali Preçi. Në bazë të verifikimeve ekspertët kanë arritur në përfundimin se subjektet politike kanë marrë financime vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas, ndërkohë që nuk ka të tillë që të kenë dhuruar më shumë se 1 milion lekë. Po ashtu, subjektet politike PD, PS, LSI, G99, PLL, PDMR, PRL kanë bërë publike listën e personave që kanë dhuruar mbi 100 mijë lekë. Lidhur me çeljen e llogarive bankare për dhurimet mbi 100 mijë lekë është vënë re se disa parti si PAD, PDMR, PLL, PBDSH, PSD, PDS, PBDNJ, PDK, PADS, PLIDR, PDRE, PGJ, LZHK, PR, PLD, PBK, PDI dhe PK nuk kanë çeluar llogari bankare. Në bazë të të dhënave të ekspertëve kontabël kanë përfituar fonde nga donatorë, 13 parti politike dhe ato janë PD, 81.588.880 lekë, PS, 6.855.136 lekë, PR, 500.000 lekë, LSI, 6.810.073 lekë, PDMR, 8.800.000 lekë, PADS, 452.000 lekë, PRRL, 324.000 lekë, G99 4.830.000 lekë, PDI, 2.755.750 lekë, PSV 91 769.800 lekë, PLL 162.500 lekë, POSH 90.000 lekë dhe PLIDR, 492.100 lekë. Në total fondet e përfituara nga donatorët janë 114.430.239 lekë. Asnjë nga partitë politike nuk ka shpenzuar më shumë se 165.733.420 lekë (10-fishi i shumës më të madhe që një parti ka përfituar nga fondet publike sipas nenit 87 të Kodit Zgjedhor). Në përgjithësi në të gjitha raportet tërhiqet vëmendja nga ana e ekspertëve kontabël për respektim të legjislacionit tatimor, rregullave të kontabilitetit si edhe për mungesë të stafit administrativ. Partitë politike për të cilat ka vërejtje në raport për mosdokumentim të shpenzimeve në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, janë PSD, PAA, PDK, PDMR, PADS, PRRL, PTR, PDI, PRDSH dhe PLL. Shkeljet e këtyre dispozitave të konstatuara në raportet e auditit, rezultojnë si shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, nga ana e financierëve të partive politike. Neni 173 i Kodit Zgjedhor parashikon që, në rast të shkeljeve të dispozitave të Kodit Zgjedhor nga ana e përgjegjësit të financës të partisë politike, ndëshkohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

Box
Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›