E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimet, KQZ gjobit 24 parti politike

Autori i Lajmit: Redaksia
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur me nga 50 mijë lekë 16 parti politike që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore mbi financimin e partive politike. Po kështu, KQZ, ka vendosur gjobitjen me nga 60 mijë lekë, për tetë parti politike, të cilat gjithashtu janë gjetur me shkelje në financimin e aktivitetit dhe fushatës së tyre elektorale. Shkeljet e këtyre partive janë mungesa e një regjistri të posaçëm të miratuar nga KQZ për regjistrimin e fondeve të përftuara nga personat fizikë apo juridikë, mosrespektimi i kërkesës së parashikuar në nenin 91, pika 2 të Kodit Zgjedhor, pasi nuk kanë hapur një llogari të posaçme për dhurimin e fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, si dhe mosrespektimi i nenit 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor pasi shpenzimet e kryera prej tyre për fushatën zgjedhore nuk janë dokumentuar duke respektuar legjislacionin tatimor. Në bazë të këtyre shkeljeve, PAD, PBDSH, PDRE, PGJ, LZHK, PFA, PK, PR, PDS, PBDNJ, PBK, PLD, POSH, PLIDR, PLDLNJ, dhe PK janë sanksionuar me 50 mijë lekë, ndërsa PSD, PDK, PDMR, PADS, PTR, PDI, PRDSH, dhe PLL, janë gjobitur me 60 mijë lekë.

Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›