E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin e planit strategjik të Qeverisë Shqiptare për Integrimin Europian" Qëllimi i këtij plani është që të qartësojë r

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin e planit strategjik të Qeverisë Shqiptare për Integrimin Europian"
Qëllimi i këtij plani është që të qartësojë rolin dhe detyrat për secilin pjesëmarrës në këtë proces integrimi si dhe të realizojë mirëkuptimin, angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë pjesëmarrësve në këtë projekt strategjik.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe plotësimi i kritereve për negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përbën prioritetin kryesor të Qeverisë së Shqipërisë. Prespektiva që Bashkimi Europian i ka hapur Shqipërisë për fillimin e negociatave për këtë marrëveshje, detyron Qeverinë shqiptare të ndërmarrë masat e nevojshme për përmbushjen e standarteve politike, sociale, ekonomike dhe teknike që rrjedhin nga ky proces. Plani strategjik i Qeverisë shqiptare për Integrimin Europian është hartuar në bazë të Planeve Strategjikë Sektorialë, përmban masa konkrete dhe afate te përcaktuara për t'u arritur deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Ne mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për miratimin e planit te veprimeve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, 2002-2003".

Pas një pune dy –vjeçare, duke analizuar ecurinë e zbatimit të masave të Planit të rishikuar Anti-Korrupsion rezultoi se pjesa më e madhe e tyre janë realizuar dhe se zbatimi i këtij plani e kishte arritur qëllimin e tij. Nisur nga zhvillimet e reja, plani duhej të rishikohej, duke përcaktuar përparësitë e punës së institucioneve në luftë kundër korrupsionit për vitet 2002-2003. Ky plan veprimesh u prezantua në Konferencën e Dytë Kombëtare që u mbajt më 10-11 Qershor të këtij viti ku u terhoqën sa më shumë ide dhe faktore në diskutimin për miratimin e tij.

Nisur nga rëndësia e madhe që ka lufta kundër korrupsionit, si dhe nga fakti, se suksesi i kësaj lufte varet nga përfshirja në të i të gjithë faktorëve shqiptarë dhe i strukturave ndërkombëtare të specializuara, Plani i veprimeve ka një sërë prioritetesh. Ata kanë të bëjnë me realizimin e veprimeve të cilat synojnë: forcimin e zbatimit të ligjit; rritjen e transparencës së administratës publike; intensifikimin e bashkëveprimit me shoqërinë civile si dhe bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar. Gjithashtu plani i veprimeve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit 2002-2003, vendos relacione të shumëfishta me programet e tjera të strukturave të pavarura si Prokuroria, gjykatat, Avokatin e Popullit, shoqërinë civile, sindikatat e biznesin dhe harmonizon përpjekjet në arritjen e objektivave të tyre, duke u fokusuar në shkaqet dhe rrënjët e fenomenit me qëllim që stabilizimi ekonomik e financiar, të zhvillohet paralelisht me stabilizimin politik dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në Planin e masave, për secilin objektiv, parashikohen në mënyrë të detajuar institucionet përgjegjës për zbatimin, efektetet e pritëshme, pengesat e mundëshme, treguesit konkretë të suksesit dhe afatet kohore te realizimit të objektivit. Këto e bëjnë këtë plan më të thjeshte dhe më efektiv ndjekjen e zbatimin e tij si nga strukturat e qeverisë shqiptare ashtu edhe nga shoqëria civile dhe komunitetit ndërkombëtar.

Masat e reja në planin e veprimeve antikorrupsion 2002-2003, të parashikuara nga Qeveria në fushën e luftës kundër korrupsionit janë brenda limiteve ligjore dhe kushtetuese. Qëllimi është që qeveria të ndërmarrë masat e duhura ligjore për të plotësuar boshllëqet ligjore që mund të ekzistojne, të krijojë strukturat e duhura dhe efikase të luftës kundër korrupsionit dhe të mbështesë institucionet e pavarura në këtë luftë. Plani i veprimeve antikorrupsion 2002-2003 i plotëson parametrat e duhura për të ndikuar në rritjen e intensitetit te luftës kundër korrupsionit dhe në arritjen e rezultateve konkrete.

Po kështu Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për "Përbërjen, funksionet, detyrat, përgjegjësitë dhe organizimin e brendshëm të Këshillit të Zhvillimit të Turizmit". Këshilli i Zhvillimit të Turizmit është organ ndërministror. Ne vendim janë përcaktuar detyrat, funksionet dhe përgjegjësitë e anetareve te Keshillit.

Gjithashtu në mbledhjen e djeshme Qeveria miratoi edhe vendimin "Për përcaktimin e organeve shtetërore të autorizuara për përgatitjen për realizimin e kontratës së koncesionit, për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane, të qarqeve Tiranë e Durrës".

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe projektligji "Për dergimin e një toge të Batalionit Special Komando, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në dërgohet në Afganistan, Kontribut i Republikës së Shqipërisë në kuadër të Koalicionit Ndërkombëtar Kundër Terrorizmit". Ky kontigjent, përveç kontributit konkret në kuadrin e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, do të shërbejë edhe si një prezantim dinjitoz i angazhimit të vendit tonë në kuadër të proceseve integruese në NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›