E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime të rëndësishme në fushën e kulturës kombëtare. Kështu, u miratua vendimi "Për funksionimin e Fototekës Kombëtare "Ma

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime të rëndësishme në fushën e kulturës kombëtare.

Kështu, u miratua vendimi "Për funksionimin e Fototekës Kombëtare "Marubi" dhe për kalimin e përgjegjësisë së administrimit nga Bashkia e Shkodrës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve".

Në fondin e kësaj qendre të rëndësishme dokumentacioni për historinë, kulturën dhe artet tona, gjenden rreth gjysëm milion negativë, nga këto 150.000 të familjes Marubi, 70.000 të familjes Pici, 50.000 të familjes Jakova, 3000 të familjes Raboshta dhe 230.000 të familjes Nenshati.

Kronologjia e kësaj qendre fillon me fotografin e parë Pjetër Marubi, i cili realizoi të parën fotografi në pranverën e vitit 1858, duke vijuar punën e tij si artist deri në vitin 1904. Veprimtarinë e Pjetër Marubit e ndoqi Kel Marubi, i cili punoi me mjeshtrin e madh që në moshën 15 vjeçare. Duke fiksuar ngjarje historike, figura të shquara të kohës, njerëz të thjeshtë, pamje të ndryshme nga qyteti i Shkodrës e qytete të tjera të Shqipërisë, Kel Marubi e ngriti fotografinë shqiptare në nivelin e artit. Kjo traditë vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore me veprimtarinë e Gegë Marubit, i cili studioi në Shkollën e Kinematografisë dhe Fotografisë "Lumiere" në Paris.

Aktualisht, Fototeka "Marubi", me organikë prej 2 punonjësish, është në varësi të Muzeut Historik, Shkodër, muze i cili financohet minimalisht nga buxheti për kulturën i Bashkisë Shkodër. Për këtë arësye, kjo pasuri kombëtare nuk ka ndjerë në këto vite asnjë lloj investimi, me përjashtim të disa ndërhyrjeve nga donatorë të huaj.

Përmes vendimit të miratuar synohet t'i jepet mbështetja dhe vlerësimi i duhur këtij institucioni për ta shpëtuar atë nga degradimi, duke i dhënë statusin "kombëtar", gjë që do të sjellë financime të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme nga buxheti i vitit 2004 i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Dhënia e këtij statusi do të sillte edhe thithjen e investimeve të huaja nga partnerë dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndryshimi i statusit të Fototekës "Marubi" nga institucion lokal në kombëtar, do të sjellë edhe një administrim më të mirë të vlerave që ka kjo fototekë, si dhe një kontroll të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mbi këto vlera dhe investimet e menjëhershme që do të kryhen në këtë institucion, si pasqyrim i drejtpërdrejtë i politikës së shtetit shqiptar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua edhe vendimi "Për miratimin e rregullores së funksionimit të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit".

Vendimi "Për miratimin e Rregullores së funksionimit të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit", synon të përcaktojë rregullat dhe mënyrën e funksionimit të Zyrës në fjalë, si dhe strukturën dhe përgjegjsitë e stafit të kësaj Zyre.

Qyteti Antik i Butrintit dhe rrethinat e tij përbëjnë një nga zonat me vlerë të rëndësishme kulturore, arkeologjike, histotike, natyrore dhe turistike, duke zënë vend të veçantë në fondin e trashëgimisë sonë kulturore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›