E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u përqendrua në përshpejtimin e fillimit të zbatimit të projektit për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, duke

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u përqendrua në përshpejtimin e fillimit të zbatimit të projektit për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, duke e konsideruar atë si një përparësi që do të përmbushë jo vetëm një angazhim të qeverisë në kuadër të programit të saj, por njëkohësisht do të lehtësojë qytetarët nga barra burokratike e lëshimit të certifikatave. Kryeministri kërkoi nga ana e Ministrisë së Brendshme përshpejtimin e punës për fillimin në kohën më të shkurtër të këtij projekti madhor.

Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Kryeministri bëri këto komente:

"Do të doja të sillja në vëmendje problemin e kartave të identitetit. Ministria e Brendshme, por edhe qeveria në tërësi, duhet që ta nisë këtë projekt nga zbatimi me përparësinë më të madhe. Nga ana e Ministrisë së Brendshme janë bërë disa përgatitje, por projekti është shumë imperativ dhe duhet të fillojë në kohën më të shkurtër të mundshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të mund të pajisen me kartat më moderne të identitetit.

Ky është një detyrim i shumëfishtë, është detyrim i programit tonë dhe një nga ato detyrime që ka pasur një shtytje, është gjithashtu një kërkesë imperative për lëvizjen e lirë. Në të gjitha negociatat tona për liberalizimin e lëvizjes në mënyrë konstante ne jemi zotuar se do të procedojmë me shpejtësinë më të madhe të mundshme me kartat e identitetit. Gjithashtu ky është një detyrim për identifikimin e zgjedhësve, që përbën një kërkesë të rëndësishme në mënyrë që të arkivohet përfundimisht diskutimi mbi vërtetësinë e dokumenteve të lëshuara nga gjendja civile dhe të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të çlirohen nga certifikatomania. Megjithëse, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për fotokopjimin e tyre nga zyrat e shtetit, është kufizuar në mënyrë të ndjeshme lëshimi i tyre, sërish mbetet një problem që rëndon edhe burokracinë shtetërore, edhe arkën e xhepin e qytetarëve, pavarësisht se çmimi i tyre është shumë i lirë, por edhe koha për nxjerrjen e certifikatës ka çmimin e vet.

Të gjitha këto së bashku bëjnë të domosdoshme që shqiptarët të çlirohen sa më shpejt nga kjo barrë burokratike. Ndaj duhet të procedohet me shpejtësi. Është marrë një ekspertizë e mirë lidhur me tiparet që duhet të ketë karta e identitetit. Natyrisht duhet të jetë më e mira e mundshme, pasi kemi avantazhin se mund të përfitojmë nga të gjitha përditësimet që i janë bërë asaj deri më sot dhe të kemi një kartë identiteti moderne. Ndoshta është e domosdoshme të funksionojë një grup më i gjerë sesa Ministria e Brendshme, në mënyrë që të zgjidhet çështja e numerëzimit të saj dhe qytetarëve. Në këtë aspekt ekziston një arkiv, është numri i të siguruarve, por duhet parë nëse do të përdoret ky arkiv apo do të ndërtohet nga e para numerëzimi i qytetarëve.

Edhe një herë e theksoj se ky është një problem madhor. Duhet që Ministria e Brendshme të marrë të gjitha masat për fillimin sa më shpejt të jetë e mundur zbatimin e këtij projekti. Në varësi nga forma që do të përzgjidhet për lëshimin e saj, në rast se është e nevojshme mund të bëhet edhe një rialokim fondesh. Nëse nuk përballohet me fondet e mundshme që mund të mobilizohen për këtë qëllim, atëherë mund të bëhet edhe një rialokim fondesh në parlament. Duhet të ecim me shpejtësi. Është ecur për përzgjedhjen e karakteristikave teknike, por duhet përzgjedhur mënyra se kush dhe si do të lëshohet karta, çmimi, i cili duhet të jetë detyrimisht i arsyeshëm dhe jo një çmim që të rëndojë buxhetin e qytetarëve, ndonëse nga pikëpamja ekonomike është me interes shumë të madh për qytetarët, pasi me marrjen e kartës së identitetit ata shpëtojnë nga dëshmia e pafundme e certifikatave."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›