Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha informoi publikun lidhur me vlerësimet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili iu dorëzua dje qeverisë shqiptare nga K
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha informoi publikun lidhur me vlerësimet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili iu dorëzua dje qeverisë shqiptare nga Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmuth Lohan.
Kryeministri Berisha vuri theksin në rëndësinë e veçantë që paraqet ky raport, nëpërmjet të cilit Komisioni Europian u bën të ditur shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar vlerësimet e tij, për reformat e qeverisë shqiptare dhe angazhimin total të saj në arritjen e standardeve ekonomike, politike dhe sociale, të domosdoshme për integrimin e vendit në BE.
Kryeministri nënvizoi se raporti trajton përgjegjësinë dhe përkushtimin e autoriteteve shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si një hartë rruge apo kontratë e Shqipërisë me BE-në, në përpjekjet e saj për realizimin e integrimit.
Ndër të tjera në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht raportin e Komisionit Europian për Shqipërine që iu dorëzua dje qeverisë shqiptare nga ambasadori Lohan dhe u publikua në Tiranë dhe Bruksel.
Raporti vjetor për Shqipërinë, vendin që si projektin më madhor për të ardhmen e çdo qytetari të saj ka integrimin në BE, ka një rëndësi tejet të vecantë. Nëpërmjet ketij raporti Komisioni Europian informon shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar mbi vlerësimet e tij për reformat e qeverisë shqiptare, përpjekjet e saj dhe të shoqerisë në tërësi për arritjet e standarteve ekonomike, politike dhe sociale të domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Raporti i Komisionit Evropian merr për Shqipërinë, në këtë stad, një rëndësi akoma më të madhe, pasi trajton përkushtimin dhe përgjegjësinë e autoriteve shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një hartë rruge apo kontratë e Shqipërisë me BE-në, në përpjekjet e saj për realizimin e integrimit.
Raporti me përmbajtjen e tij është një përgjigje shumë e rëndësishme për të gjithë ata të cilët kanë në memorien e tyre Shqipërinë si vendin e lajmeve dhe kronikave të zeza, vendin e imazhit të nxirë nga krimi i organizuar, trafiqet kriminale dhe korrupsioni.
Unë kam kënqësinë të konstatoj, por edhe të informoj qytetarët se në raportin e parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Komisioni Evropian shpreh vlerësimin e tij të qartë pozitiv për një numër të madh reformash në tërësi, të ndërmarra gjatë këtij viti dhe në prioritetet kyçe të partneritetit europian në veçanti. Inkurajuese për ne janë vlerësimet qartësisht pozite të arritjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krijimit të klimës së favorshme për biznesin, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, kushte themelore dhe përparësi kyçe këto të partneritetit europian.
Në raport shprehet vlerësimi i qartë për vendosmërinë dhe masat e marra nga qeveria për reduktimin e korrupsionit, duke vlerërësuar në këtë aspekt, reduktimin e rolit të shtetit në ekonomi, largimin e stafeve korruptive, si psh nga doganat, thjeshtimin e procedurave të licensimit, reformat e propozuara e të ndërmarra për administrimin e taksave, prokurimeve publike, regjistrimin e biznesit etj.
Raporti shpreh vleresimin për "task forcën" antikorrupsion të kryesuar nga Kryeministri, amendimin e ligjit të konfliktit të interesit, miratimin e ligjit për pjesëmarrjen e publikut në luftën kundër korrupsionit, ligj, i cili është në përputhje të plotë me nje direktivë të GREECO-s të grupit të vendeve antikorrupsion të Këshillit të Evropës, propozimin e qeverisë për heqjen e imunitetit të deputetëve, por thekson dhe kundërshtimin që i bëri opozita heqjes së këtij imuniteti.
Raporti thekson se në betejën e luftës kundër korrupsionit, mendoj se është një nga konstatimet më themelore, frika nga shkarkimet për korrupsion, për qëllime politike nuk u provua, pasi në këtë aspekt nuk u kursyen as zyrtarët që i përkasin partisë qeverisëse. Ata, avokatët e kleptoktracisë që deklaruan se lufta kunder korrupsionit po bëhet si lufta kundër komunizmit, vetëm se identifikuan veten e tyre me komunizmin apo korrupsionin, por nuk ia kanë dalë të bindin asnjeri. Në të kundërt, u aplikua motoja luftën kundër korrupsionit ta nisim nga vetja jonë.
Raporti vlerëson hapat e ndërmarra për rritjen e transparencës në administratën pulike, botimin në web-in e Këshillit të Ministrave të të gjitha urdhërave, vendimeve dhe akteve të tjera publike, vendosjen e linjave falas, ngritjen e zyrave të informimit publik. Duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si kusht themelor për zbatimin e MSA, raporti thekson se masa të tjera duhen ndërrmarrë si përmirësimi ligjor, rritja e rrogave, rritja e mëtejshme e transparencës, përmirësimi i profesionalizmit në administratë. Kam kënaqësinë të informoj se pikërisht këto janë dhe drejtimet themelore në të cilat është e angazhuar qeveria jonë.
Raporti i Komisionit Evropian në kapitullin e të drejtave të njeriut thekson se liritë e të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri janë të garantuara me ligj dhe qeveria shqiptare i respekton ato në tërësi. Ky është një vlerësim real për përkushtimin e qeverisë sonë ndaj lirive dhe të drejave të qytetarëve, si një nga përkushtimet dhe zotimet më parësore të saj.
Raporti, pasi vlerëson progresin e arritur në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, ngre një seri shqetësimesh që kanë të bëjne me sistemin e drejtësisë si dhe me gjendjen e të burgosurve dhe të paraburgosurve, trashëgimi kjo nga më të hidhurat që la pushteti kleptokratik. Kam kënaqësinë të theksoj se ne nuk e kemi mohuar gjendjen e papranueshme, përkundrazi këto cështje janë dhe shqetësimet madhore të qeverisë që unë kryesoj. Ndaj dhe qeveria është e angazhuar në një seri masash të gjithanshme ndër të cilat, rritjen me rreth 40 per qind të investimeve për institucionet e vuajtjes së dënimit dhe përmirësimin e gjendjes në këto institucione. Paraburgimi po kalon nën Ministrinë e Drejtësisë. Në datën 1 janar hynë në fuqi normat e reja ushqimore për ata që vuajnë dënimet, rregullore të reja janë hartuar për trajtimin e të burgosurve, një trajnim i vazhdueshëm bëhet për të gjithë punonjësit e paraburgimit, burgimit, por edhe të sistemeve te tjera, në përputhje me të gjitha standartet. Sidoqofte duhet të theksoj se kjo është një fushë jshtëzakonisht sensitive, në të cilën nevojiten ndryshime të thella, për të hequr emrin jo të mirë që institucionet e vuajtjes së dënimit të këtij vendi kanë krijuar për shkak të gjendjes së tyre.
Raporti vlerëson lart liritë fetare.
Në raport vlerësohet se është përmirësuar statusi i gazetarit, si dhe vlerëson reformat në fushën e mediave si një mundësi e një supervizioni më përfaqësues, më eficent, me neutral dhe më në përputhje me standartet evropiane, nga bordi i reformuar i drejtuesve të medias, i përbërë nga shoqëria civile
Pra, ajo reformë që ngjalli gjithë atë zhurmë, merr përgjigjen e duhur nga Komisioni Europian, i cili e konsideron atë një lidhje që shkon në drejtim të pavarësisë reale të mediave të vendit.
Por, raporti shpreh shqetësimin dhe kërkon që marrëveshja e gushtit të zbatohet në mënyrë të tillë që të mos kufizojë efektet pozitive të kësaj reforme, siikundër denoncon presionet për interesa politike dhe ekonomike mbi mediat.
Këtu gjej rastin ta garantoj median për qëndrimin me transparent dhe korrekt të qeverisë ndaj pavarësisë së tyre dhe i nxis ata të denoncojnë të gjithë ata të cilët me presione absurde, monetare dhe ekstra-monetare, po djegin çdo ditë ekrane dhe faqe të tëra gazetash, duke i shndërruar në zëdhënës të mashtrimit publik. Unë i siguroj mediat se edhe kjo situatë do të marrë zgjidhjen e duhur në muajt që vijnë. Pavarësia e tyre - dhe jo nën sqetulla qeveritare – eshte qëllimi dhe qëndrimi im.
Raporti shtron një seri detyrash të rëndësishme për të drejtat dhe mbrojtjen nga dhuna të grave dhe fëmijëve. Qeveria është e vendosur të marrë të gjitha masat për përmirësimin e gjendjes së grave, për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës ndaj tyre për shancet e tyre të barabarta. Po kështu, një qëndrim tërësisht ndryshe po adaptohet ndaj fëmijëve të Shqipërisë.
Raporti njeh progresin e bërë në drejtim të garantimit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, por kërkon progres të mëtejshëm në tërësi në këtë çështje dhe të gjendjes sociale dhe ekonomike të romëve në veçanti. Qeveria ka një projekt të rëndësishëm për të ndryshuar statusin e tyre në drejtim të arsimimit, punësimit dhe strehimit.
Raporti vlerëson programin dhe sukseset në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, si dhe rezultatet e qarta në reformën e policisë. Në raport po citoj: "vullneti i fortë politik për të shtypur krimin e organizuar, bëri të mundur një numër operacionesh të policisë kundër grupeve të mëdha kriminale dhe individëve, të cilët, - thotë raporti, - gëzonin më parë imunitet". Realisht imunitet. Dhe kjo, siç dihet, jo se Shqipëria nuk kishte ligje, por se lidhjet e tyre me qeveritarët dhe zyrtarët e niveleve më të larta, ndarja e trofeve të veprimtarive të tyre kriminale me këta zyrtarë, kishte paralizuar tërësisht ligjet e vendit. Ata kishin kapur kreun e akuzës, duke e shndërruar atë në "kaput medusse" të krimit të organizuar shqiptar.
Raporti konstaton se është bërë progres i qartë në luftën kundër trafikut të drogës, konkretizuar me arrestimin e mbi 100 trafikantëve të klaneve të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, si dhe kapjen e sasive të konsiderueshme të kanabisit, hashashit, heroinës, kokainës, etj.
Raporti thekson bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën e çmuar të agjencive të specializuara, PAMECA, ICITAP, Inter Force dhe bashkëpunimin e frytshëm me interpolin dhe vendet partnere. Raporti vlereson se ligji që sanksionoi përgjegjësinë e autoriteve lokale në luftën kundër kanabisit, ka bërë të mundur shkatërrimin e sasive më të mëdha të saj në Shqipëri. Ndaj le të qetësohen edhe ata që u shprehën se po cënohet autonomia vendore. Në fakt, është cënuar autonomia e trafikantëve të kanabisit dhe aspak e qeverisjes vendore.
Por në raport shtrohen një seri detyrash shumë të rëndësishme, për ministrinë e mbrojtjes, autoritetet vendore, shërbimet inteligjente, ministrinë e financave, për konsolidimin dhe thellimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve kriminale, pastrimit të parave dhe në mënyrë të veçantë për një koordinim më të përsosur të veprimtarive të tyre në këto drejtime.
Raporti i Komisionit Europian i bën një analizë të gjerë reformave ekonomike sociale dhe politike të vendit. Në raport vlerësohet me nota pozitive stabiliteti makroekonomik i vendit. Reformat e ndërmarra për liberalizimin e ekonomisë, thjeshtimin e barrierave burokratike për biznesin, veprimtarinë e task force-s së reformës rregullatore, shkurtimin e kohës së rregjistrimit të bizneseve në 8 ditë, liberalizimin e licensave.
Vlerësohet reforma fiskale dhe qëndrimi ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël në vecanti, si dhe krijimi i Agjencisë Kombëtare të kthimit të kompensimit të pronave dhe ligji i legalizimeve, si hapa pozitivë, zbatimi i të cilave do të mundë të japë rezultatet e duhura në reformën e pronësisë. Treguesit fiskalë, - thekson raporti, ekonomia, ka bërë progres drejt një ekonomie tregu funksionuese.
Raporti vlerëson ligjin e ri të sistemit bankar në tërësi, rolin e Bankës së Shqipërisë, si dhe ngritjen e Autoritetit Mbikqyrës, duke shtruar një seri detyrash për të ardhmen. Raporti vlerëson arritjet dhe kërkon progres më thelbësor në fushën e standardeve europiane të certifikimit, standartizimit dhe mbikqyrjes.
Raporti thekson se është rritur ndjeshëm aftësia administrative dhe operacionale e doganave, cmimet e referencës janë bërë transparente, kontrabanda e mallrave të akcizës është zvogëluar.
Raporti kërkon progress më të madh në fushën e prokurimeve publike. Ligji i ri i prokurimeve që ndodhet në parlament, ligji i koncensioneve dhe ai i ankandeve që do të shkojnë së shpejti, përbëjnë një bazë të re ligjore për të përmirësuar ndjeshëm këto procese themelore në shpenzimin e të ardhurave publike të vendit.
Një theks i vecantë në raport vihet tek pronësia intelektuale dhe mbrojtja e saj. Ministritë e linjës duhet të nxjerrin të gjitha detyrimet që rrjedhin nga këto kërkesa, të cilat janë të domosdoshme për t'u plotësuar, në mënyrë që Shqipëria të bëhet e vlefshme për zbatimin e MSA-së dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Raporti vlerëson pozitivisht përpjekjet e qeverisë dhe reformat në fushën e arsimit, rritjen e investimeve dhe rrogave në këtë fushë, nxjerrjen e maturës shtetërore jashtë praktikave korruptive. Por, ai thekson se shqiptarët kanë 5 vite shkollë më pak se vendet e zhvilluara dhe konstaton se numri i studentëve në universitete është ende i ulët. Vlerëson liberalizimin e universiteteve, por shton gjithashtu se është shumë i ulët numri i studentëve në shkollat e mesme. Ndaj edhe ne jemi të përkushtuar që pas dyfishimit të numrit të studentëve, të bëjmë të gjitha përpjekjet që cdo fëmijë shqiptarë që mbaron shkollën 9-vjecare, të ketë mundësi reale për të ndjekur shkollën e mesme, në rast se dëshiron, nëpërmjet krijimit të një sistemi konviktesh në të gjitha qendrat e vendit dhe dhënien dhe garantimin e bursave për familjet e varfëra. Pra, prioritetet tona në fushën e arsimit janë të njëjta me kërkesat për arritjen e standardeve europiane në këtë fushë.
Zonja dhe zotërinj,
Në raport bëhet një vlerësim i veçantë i rolit të Shqipërisë në stabilitetin e rajonit dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ne mbetemi të angazhuar të japim të gjithë kontributin tonë për paqen dhe stabilitetin në rajon, sikundër jemi të bindur se pavarësia e Kosovës është faktor vendimtar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Unë u ndala në disa nga aspektet më kryesore të këtij raporti. Dua të theksoj se, para së gjithash, arritjet e vlerësuara në këtë raport, dëshmi e qartë e vullnetit dhee vendosmërisë sonë për të integruar vendin, tregojnë se ne kemi kapur një stacion të ri në këtë proces, por që të gjitha këto i përkasin vitit që kaloi. Prandaj është vendimtare që, gjatë vitit në të cilin hyjmë, të shpejtojmë ritmet e reformave, të zbatojmë reformat, të afrohemi sa më shpejt e më mirë drejt standarteve të BE-së në tërësi dhe, në veçanti, në fushat kyce të përparësive të partneritetit evropian.
Me këtë rast, i siguroj qytetarët shqiptarë se ne do të bëjmë çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme, se qëllimi më madhor për mua dhe qeverinë është një proces zgjedhor i liri e i ndershëm, në të cilin qytetarët shqiptarë të mund të japin me dinjitet të plotë, si qytetarët evropiane, verdiktin e tyre për qeveritarët e ardhshëm vendorë.
Dua të falenderoj përzëmërsisht Komisionin Evropian për këtë raport, i cili ka një rëndësi të madhe për qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë në tërësi dhe është një ndihmë e çmuar dhe reale për ne në procesin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja, por edhe një ndihmë e çmuar për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë."
Pyetje: Zoti Kryeministër, dëgjuam të flisnit për qeverisjen, por jo për Këshillin e Ministrave apo për zotin Kryeministër. Jeni kritikuar në raport se po mblidhni kompetenca apo po përqendroni pushtetin në duart tuaja, se keni veprime horizantale dhe jo vertikale. Keni ndonjë shpjegim për këtë?
Kryeministri: E vërteta është se agjencitë që varen nga Kryeministri nga 19 që kanë qenë tani janë 11 gjithsej. Gjatë këtij viti, unë kam shkëputur një numër të madh agjencish, të cilat i kam gjetur të gjitha në varësi të Kryeministrit. Sikundër po përpiqemi të heqim të tjera nga kryesimi i Kryeministit, ka rrezik të jenë në arkiva mbi 100 komitete, pasi në rast se Kryeministri do t'i kryesojë të gjitha këto komitete nuk do t'i mbetej kohë të kryesojë mbledhjet e qeverisë.
Pyetje: Testi i radhës për Shqipërinë janë zgjedhjet vendore, për të cilat edhe komisioneri për zgjerimin i ka cilësuar si test për maturinë e klasës politike në Shqipëri. Ju deklaruat se angazhoheni për zgjedhje të lira e të ndershme, por në raport theksohet edhe bashkëpunimi me opozitën për të arritur reformat kyçe. Duhet thënë se hapi i parë janë pikërisht këto zgjedhje. Si mund të bëhen?
Kryeministri: Gjithçka, që kemi nënshkruar me opozitën, ne jemi të gatshëm ta votojmë. Gjithçka, që është kërkuar në dokumentin e quajtur ‘non paper' nga OSBE-ja, jemi të gatshëm ta votojmë. Uroj që opozita të mbajë të njëjtin qëndrim dhe të mos predominojnë rryma, e cila ka përcaktuar si sukses të saj dëmtimin e zgjedhjeve. Kjo është një zgjedhje nga e cila nuk ka asnjë leverdi. Ne jemi shumë të inkurajuar se këto zgjedhje do të monitorohen në dritën e diellit dhe do të duken që të gjithë faktorët sesa përgjegjësi marrin në këtë proces, se vërtet kontribuojnë për zgjedhje të lira apo konsiderojnë si sukses prishjen e tyre, që në fakt vetëm do të dëmtonin. Kjo është një skemë e vjetër, që nuk do të mund të ketë rezultate.
Pyetje: Është folur edhe për reformat në drejtësi. Komisioneri Rehn e ka bërë të ditur se do t'i ndjekë shumë afër të gjitha reformat. Ju keni deklaruar se keni patur pengesa në drejtësi. Si do të arrini t'i realizoni reformat?
Kryeministri: Këtë nuk e deklarova unë, por e kanë deklaruar një sërë raportesh ndërkombëtare nga më seriozet. Shqiptarët do të ishin shumë të lumtur po të lexonin një raport ku të thuhej se jo vetëm qeveria e Shqipërisë, por edhe qeveria e drejtësisë në Shqipëri ka bërë përpjekje serioze në luftën kundër korrupsionit. Por, faktikisht, ai që quhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe që është ‘de juro' e ‘de facto' qeveri e drejtësisë është shndërruar në peng të gjermenëve dhe të sollakëve.
Kur drejtësia e Shqipërisë vlerësohet shumë më e korruptuar se ajo e Bjellorusisë, Moldavisë dhe e disa vendeve të tjera, ju e vetëkuptoni se çfare rreziku të madh përbën kjo për liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Qytetarët shqiptarë nuk mund të gëzojnë realisht liritë e të drejtat e tyre, nëse nuk ka një sistem drejtësie të pavarur.Çfarë të drejtash mund të gëzojnë apo kanë gëzuar qytetarët shqiptarë kur banda dhe kriminelë i ekzekutonin ata në mes të ditës e në mes të sheshit të qytetit dhe vrasësit nuk dënoheshin vetëm e vetëm se ishin të mbrojtur nga Gjermeni apo Sollaku. Për çfarë të drejtash mund të bëhet fjalë për qytetarët, kur u merret prona në të katër anët për t'u bërë pronë e anëtarëve të KLD-së apo e Sollakut.
Problemet janë shumë serioze. Është e lëhte të dalësh e të lash duart si pilati, pasi ndëshkon një popull të tërë me korrupsionin e babëzinë e papërmbajtur. Nuk ka asnjë tendencë për të akuzuar askënd. Këto nuk i them unë, por të gjitha raportet ndërkombëtare dhe kjo përbën një ndëshkim real për vendin dhe qytetarët. Janë po këto raporte që faktojnë dy qeveri në kahje të ndryshme.
Ne do t'i vazhdojmë reformat, sepse ato janë rruga e demokracisë, ky është ligji i saj. Do të bëjmë që zëri dhe vullneti i qytetarëve shqiptarë të mbizotërojë, do të bëjmë që shteti ligjor të funksionojë më mirë. Jam shumë i bindur se në sistemin e drejtësisë, të prokurorisë ka gjykatës e prokurorë të shkëlqyer e të betuar për ligjin, që do të dinë, sapo të çlirohen nga një qeveri e tillë, e përbërë nga shefa bandash e trafikantësh, që uzurpojnë postet në KLD, nga pseudo-juristë, që në dhunim të Kushtetuetës, uzurpojnë vendet, nga ata që emërojnë duke prerë fatura 300-400 mijë euro për një emërim. Reformat do të marrin përgjigje dhe drejtësinë do ta bëjnë gjykatësit, prokurorët e shkolluar mirë dhe të përkushtuar, ashtu siç oficerët dhe inspektorët e policisë kapën bandat, ashtu siç i dënuan ata prokurorët e krimeve të rënda, kur shohin se ka një vullnet kombëtar e ndërkombëtar në tërësi.