Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti në në një takim të veçantë Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, amasadorin Helmuth Lohan, i cili i dorëzoi Kryeministrit ra
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti në në një takim të veçantë Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, amasadorin Helmuth Lohan, i cili i dorëzoi Kryeministrit raportin e progresit për vitin 2006 për Shqipërinë, të Bashkimit Europian, si dhe dokumentin mbi strategjinë, i cili parashtron sfidat kryesore për vitin 2006 -2007.
Kryeministri Berisha shprehu në emër të qeverisë shqiptare falenderimet për Komisionin Europian dhe përfaqësinë e tij në Shqipëri, Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të tij për ndihmën e madhe që i japin Shqipërisë.
Kryeministri siguroi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të jetë harta e rrugës së Shqipërisë, projekti më serioz që do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve për anëtarësim të plotë në BE, sipas të gjitha standarteve.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Lohan bënë këto komente për mediat e pranishme:
Ambasadori Lohan: "Siç e dini, Komisioni Europian ka aprovuar sot raportin vjetor të progresit për vitin 2006 për Shqipërinë, dhe ka miratuar gjithashtu një komunikatë për Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës me sfidat kryesore për vitin 2006 dhe 2007 në lidhje me zgjerimin.
Kam nderin që tia dorëzoj këtë dokument zotit Kryeministër. Këto janë dokumenta voluminoze dhe të pasura, kanë nevojë për analizë dhe kërkojnë një kohë të caktuar për këtë.
Në këtë moment, unë dëshiroj të bëj dy komente të përgjithshme në lidhje me këto dokumenta.
Raporti i progresit përmban për cdo fushë kritere ekonomike, kritere politike dhe kritere të standarteve të BE-së. Ai ka dy lloj mesazhesh. Është një mesazh pozitiv dhe një mesazh konstruktiv për të ardhmen.
Në dokumentin për strategjinë që përmban sfidat për vitin 2006-2007, përcaktohet se Komisioni Europian do të monitorojë masën dhe shkallën në të cilën Shqipëria do të zbatojë këto kritere.
Gjithashtu Komisioni Europian do ti kushtojë vëmendje të vecantë krijimit të strukturave që nevojiten për zbatimin e shtetit ligjor."
Kryeministri Berisha: "Ishte një kënaqësi e vecantë për mua që mora nga ambasadori Lohan raportin e parë të BE-së mbi Shqipërinë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Unë e sigurova ambasadorin se qeveria shqiptare e mirëpret raportin dhe se të gjitha ministritë do të shqyrtojnë me interes të vecantë çdo çështje që ngrihet në raport dhe se për ne Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mbetet harta e rrugës për realizimin e projektit tonë më të mirë, projektit të integrimit në BE.
Nuk e kam lexuar ende raportin, por me ato që më tha ambasadori Lohan, BE-ja vlerëson arritjet në luftën kundër korrupsionit, krimit, stabilitetit makroekonomik dhe kërkon vazhdimin dhe konsolidimin e këtyrë përpjekjeve, sikundër konsideron zgjedhjet e ardhshme një test të vërtetë për demokracinë shqiptare.
Unë e sigurova zotin Lohan se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Në këtë kontekst kërkova nga Komisioni që të inkurajojë monitorimin sa më të gjerë të këtyre zgjedhjeve. Sikundër shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me opozitën, për realizimin e këtij qëllimi.
E sigurova se mbetemi totalisht të vendosur për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të cilat nuk mund të kenë të ardhme në Shqipëri. Natyrisht e njoha me dhe me vështirësitë serioze me të cilat përballemi në këtë luftë, të lidhura kryesish me sistemin e drejtësisë.
Një koment tjetër do ti bëj raportit sapo ta lexoj."
Në përfundim të deklarimit, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave.
Pyetje: Përvec lajmit të raportit, sot mediat kanë trajtuar një ceshtje shumë të rëndësishme, një vendim të djeshëm të qeverisë greke për dhënien e nënshtetësisë për të gjithë qytetarët shqiptarë minoritarë. Dje, Ministri i Brendëshëm grek iu referua një marrëveshjeje që është bërë me qeverinë shqiptare dhe ka patur mjaft reagime. Cili është pozicioni juaj?
Kryeministri Berisha: Qendrimi im është që Greqia dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së të mund t'jua japin nënshtetësinë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë emigrantëve që punojnë aty. Nuk është pasaporta ajo që ndryshon kombësinë, as dhe identitetin kombëtar. Ky është një akt që lehtëson jetën e qytetarëve me origjinë shqiptare në Greqi, në Itali, në Gjermani apo kudo që ata mund të ndodhen.
Vendimi i qeverisë greke është në kuadrin e normalizimit të mëtejshëm të jetës së tyre dhe unë mund tu them se nuk më vjen mirë që mediat e deformojnë këtë vendim, pasi ai duhet të jepet ashtu siç është marrë. Ky vendim është marrë për qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, gjë të cilën unë e shoh si një përparësi për ta.