E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën "Ligji i ri për Koncesionet, faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit". Të pranishëm në këtë konferencë ishin mini

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën "Ligji i ri për Koncesionet, faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit". Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministra të kabinetit qeveritar, Përfaqësuesi i Zyrës për Shqipërinë i Bankës Botërore, Z.Nadir Muhamed, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare në Shqipëri, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, etj,

Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Është një kënaqësi e veçantë të përshëndes këtu para jush ekipin e ekspertëve, drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjisë, Bankën Botërore, IFC-në për projektligjin që paraqesin, sot, këtu para jush, mbi koncensionet dhe partneritetin publik- privat. Ky projektligj garanton transparencë dhe zhdërvjellësi të strukturave publike të vendit të nivelit vendor dhe qendror dhe bashkërendon përpjekjet e tyre për menaxhimin me sukses të pasurive publike.

Në bazë të tij, zhvillohet koncepti i konkurimit, në formën e tij të plotë, në të gjithë sektorët ekonomik, duke siguruar dhe aplikuar standardet ndërkombëtare, si në menaxhimin e aseteve publike, ashtu edhe në luftën kundër kancerit korrupsion.

Shqipëria është në një fazë zhvillimi ku mbështetja dhe garantimi i investimeve të huaja e vendase, përbën hapin e parë dhe të domosdoshëm drejt zhvillimit. Mungesa e një infrastrukture bazë shtron domosdoshmërinë e investimeve me vlera të mëdha që duhen menaxhuar dhe drejtuar. Krijimi i një klime dhe ambienti të sigurtë biznesi kërkon instrumente e mjete që lehtësojnë, garantojnë e nxisin investimet, duke minimizuar burokracinë dhe rritur transparencën nëpërmjet pjesëmarrjes së sektorit privat në praktikat publike, duke u konkretizuar kjo në kontrata partnershipi.

Ky ligj ridimensionon më shumë se çdo gjë tjetër, mundësinë, potencialin, pjesëmarrjen e sektorit privat në shndërrimin në vlera të mëdha për mbarë shoqërinë, pasuritë enorme, të pafundme të këtij vendi.

Qeveria qe unë drejtoj, ne morine e iniciativave ekonomike e ligjore, si dhe në axhendën e ngjeshur me një numër të konsiderueshëm projektligjesh, marrëveshjesh dhe vendimesh, ka përcaktuar këtë ligj si një nga përparësitë e saj më madhore.

Historia e partneritetit publik- privat e koncensioneve, në këto 15 vite, e parë me realizëm, përveç rasteve të caktuara siç është aeroporti, apo ndonjë rast tjetër, nuk mund të cilësohet si një histori suksesi. Ndaj u konsiderua jetike, shqyrtimi, hartimi dhe miratimi i një ligji, i cili të vendoste standardet më të mira të kësaj praktike thellësisht të domosdoshme, për çdo vend, por në mënyrë të veçantë për Shqipërinë.

Në këtë kontekst, për këtë ligj u angazhuan ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ata të Bankës Botërore dhe mendoj se ata kanë sjellë këtu para jush një ligj me risi të mëdha, një ligj i cili lehtëson dhe mundëson që konçensionet dhe partneritetin publik-privat, ta shndërrojë në një histori të madhe suksesi për Shqipërinë.

Ligji është i bazuar në standardet më të mira bashkëkohore, në mënyrë të veçantë në standardet e Bashkimit Europian dhe ai përmbush kërkesat e direktivës së BE-së në këtë fushë.

Nga ana tjetër, ligji ndërton një strukturë lineare të qartë dhe përjashton tërësisht konçensionet pa konkurencë.
Sikundër, ligji përfshin lehtësirat më maksimale, duke përfshirë këtu edhe nismën "Shqipëria një euro" Baza ligjore e kësaj nisme, në vetvete është një apel miqësor ndaj investitorëve shqiptarë dhe të huaj, por jo vetëm një apel, pasi është edhe një ofertë reale në të gjitha fushat e shërbimeve dhe të biznesit për investitorët vendas dhe të huaj, në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e tyre.

Ndër risitë e tjera të këtij ligji, është fakti që ky ligj i jep një rol të caktuar edhe Ombudsman-it, i cili do të vëzhgojë, si prokurimet publike, ashtu edhe koncensionet, ashtu edhe kontratat e partneritetit publik-privat për ndershmërinë e tyre dhe respektin ligjor.

Ligji bën të mundur që partneriteti publik- privat dhe koncensionet të ushtrohen në të gjitha nivelet e shtetit, nga qeverisja vendore, tek ministritë e linjës. Ky është një hap shumë i rëndësishëm që i jep një rëndësi të madhe zgjerimit të spektrit të punëve publike, të realizuara në bashkëpunim. Unë i siguroj investitorët shqiptarë dhe të huaj se qeveria pret me padurim bashkëpunimin me ta në të gjitha fushat.

Ligji, pas këtij diskutimi që bëhet, do të kalojë për miratim në qeveri dhe në parlament. Ne do të bëjmë përpjekje që ekspertët që do të merren me zbatimin e tij në nivel lokal dhe qendror, të nisin sa më shpejt trajnimin e domosdoshëm në zbatimin e drejtë të ligjit, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë në një realitet".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›