E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, që mbahet një ditë pas miratimit nga ana e Kuvendit të Buxhetit të vitit 2005, krahas vendimeve të tjera të radhës, do të shqyrtojmë edhe disa vendime tÃ

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, që mbahet një ditë pas miratimit nga ana e Kuvendit të Buxhetit të vitit 2005, krahas vendimeve të tjera të radhës, do të shqyrtojmë edhe disa vendime të rëndësishme, që lidhen drejtpërdrejtë me rritjen e nivelit të jetesës dhe të të ardhurave të qytetarëve.

Vendin kryesor në këtë paketë e zë vendimi për shpërblimin e pensionistëve. Ky vendim vjen natyrshëm, mbi bazën e rezultateve të administrimit të suksesshëm të fondeve publike, të buxhetit, të detyrave dhe objektivave fiskalë për vitin 2004. Pra, jemi në treguesit më të lartë që nga viti '97. Krahasimet për më parë as vijnë dot në konsideratë, në realizimin e të ardhurave nga doganat, tatimet dhe gjithashtu janë afër 100% dhe treguesit e realizimit të investimeve publike të programuara në buxhetin e këtij viti.

Ndërkohë, është realizuar objektivi i menaxhimit të kontrolluar të borxhit publik krahas defiçitit të jashtëm dhe të gjitha këto janë shoqëruar me realizimin e objektivave të ekzekutivit për shkurtimin e shpenzimeve administrative të planifikuara për këtë vit dhe për pasojë kemi realizuar kursime të ndjeshme.

Qeverinë e ftoj sot, që me kursimin e realizuar nga mirëadministrimi i të ardhurave dhe fondeve publike për vitin 2004, në respekt të të gjitha objektivave të tjerë të buxhetit dhe të administrimit të financave publike të plotësuara, që këtë kursim të mos ia kthejmë thesarit, por ta japim si shpërblim për 560 mijë pensionistët, familjet në nevojë, invalidë dhe në ndihmë sociale.

Dua që ky vendim që merret për herë të parë në historinë e shoqërisë sonë demokratike dhe të shtetit të ri të merret në prag të festave të fundvitit, si një mesazh i qartë i shtetit social dhe i qeverisë që mbështet shtresat në nevojë.

Mbi bazë të këtij vendimi, do të përfitojnë shpërblimin e menjëhershëm 375.250 pensionistë të qytetit në shumën 3500 lekë secili dhe 181.400 pensionistë të fshatit në masën 1500 lekë secili. Efekti financiar është 1.6 miliard lekë ose 17 milion USD. Gjithashtu këtë shpërblim e përfitojnë dhe veteranët e luftës që nuk marrin pension, por përfitojnë vetëm nga statusi i veteranit të luftës, si dhe personat që përfitojnë pensione të veçanta. Të gjitha këto shuma përfaqësojnë mesatarisht, për gati 560 mijë vetë, rreth gjysmës së pensionit bazë mujor.

Vijmë natyrshëm tek kurorëzimi i rezultateve të zbatimit me sukses të politikave të qeverisë për kujdesin social dhe veçanërisht për brezin e artë, moshën e tretë, duke dhënë një shembull të qartë për thellimin e karakterit social të shtetit demokratik shqiptar. Unë e shoh këtë, krahas masave të tjera, edhe si një garanci tjetër që flet për zhvillimin normal dhe human të shoqërisë shqiptare.

Në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Shoqëror ne kemi arritur të realizojmë ndërhyrje të rëndësishme dhe shumëplanëshe me politika dhe programe ekonomike dhe sociale në gjendjen e mirëqenies së shoqërisë, duke synuar dhe arritur të garantojmë një jetë gjithnjë e më normale, në mënyrë të veçantë për të moshuarit.

Ky vendim merret në përputhje dhe plotësim të të gjitha masave që kemi realizuar edhe gjatë këtij viti për rritjen e pensioneve dhe për përmirësimin e skemave të mbrojtjes sociale.

Opinioni publik tashmë është në dijeni se me miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2005 do të garantohet një rritje e mëtejshme e pensioneve në masën 10%, e cila nuk përfshin vendimin e sotëm, i cili merret duke mbyllur vitin 2004.

Krahas rritjes së masës së pensioneve gjatë vitit 2005, ne si qeveri do të vazhdojmë punën për të korrigjuar vendimet e periudhës 1991-1997 në politikat sociale nga pararendësit e kësaj qeverie progresiste, të cilët me veprime inatçore dhe politika të njëanshme të karakterizuara nga revanshi klasor kanë sjellë diferenca që nuk mund të tolerohen më në pensionet midis kategorive shoqërore, por edhe në trajtimin e diferencuar të kategorive të ndryshme të moshës së tretë me pensionin e pleqërisë apo me pagesat e asistencës sociale.

Këto deformime në raportet reale midis pensioneve të larta dhe atyre minimale, pensioneve të fshatit dhe të qytetit, ashtu si deri tani në 7 vitet e fundit, ne do të vazhdojmë t'i kemi në objektiv për t'i zbutur dhe sjellë në standartet e një jete të denjë, duke shlyer edhe detyrimin e çfarëdo shoqërie dhe shteti ndaj kontribuentëve të themeleve të zhvillimit.

Më lejoni që me këtë rast edhe në emrin e Qeverisë t'i uroj të gjithë prindërve një vit të ri të gëzuar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›