Këshilli i Ministrave, i mbledhur sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, në mbledhjen e radhës, miratoi disa vendime të rëndësishme, që lidhen me shpërblimin e disa kategorive shoqër
Këshilli i Ministrave, i mbledhur sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, në mbledhjen e radhës, miratoi disa vendime të rëndësishme, që lidhen me shpërblimin e disa kategorive shoqërore, në kuadër të zbatimit të politikave të qeverisë për mbështetjen e shtresave në nevojë, shpronësimin për interes publik të pronarëve të disa pasurive të paluajtshme, që preken nga investimet në infrastrukturë, si dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe.
• Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij të radhës vendimin Për shpërblimin e personave, që përfitojnë pension. (Detajet gjenden në fjalën që Kryeministri mbajti në hapje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave).
• Gjithashtu në funksion të mbështetjes dhe lehtësimit të gjendjes ekonomiko-sociale u miratua vendimi Për shpërblimin me dy paga mujore të ish punonjësve të uzinës së Ferrokromit, në Burrel.
Nga ky vendim do të përfitojnë 370 punonjës me një pagë mesatare mujore prej 12 mijë 264 lekë. Efekti financiar që rrjedh nga ky vendim është 9 milion e 100 mijë lekë dhe do të përballohet nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave. Shpërblimi i mësipërm synon t'u vijë në ndihmë dhe të ndikojë në lehtësimin e gjendjes ekonomike të këtyre familjeve.
***
Po ashtu sot Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime për shpronësimin për interes publik të pronarëve, pasuritë e paluajtshme të të cilëve preken nga investimet në infrastrukturë.
• Kështu në këtë funksion u miratua vendimi për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë.
Me anë të këtij vendimi bëhet shpronësimi për interesa publike i disa pasurive private të paluajtshme, ku do të kalojë segmenti rrugor Gjirokastër-Tepelenë, me gjatësi rreth 24 kilometra, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 128 milion e 579 mijë lekë.
• Gjithashtu miratua shpronësimi për interes publik i pronarëve, pronat e të cilët preken nga ndërtimi i ujësjellësit të ri në qytetin e Korçës.
Sipas këtij vendimi, bëhet shpronësimi i pronarëve që preken nga ndërtimi i ujësjellësit të ri me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 6 milion e 300 mijë lekë.
• Sot u miratua edhe vendimi për shpronësimin për interes publik i pronarëve, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i ujësjellësit të zonës rurale të qytetit të Durrësit.
Për ndërtimin e ujësjellësit të zonës rurale në Durrës, një projekt ky i financuar me fonde të OPEC-ut dhe që do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të kësaj zone, bëhet shpronësimi i disa pronave publike, me vlerë totale prej 2 milion e 915 mijë lekë.
• U miratua shpronësimi i pronarëve, pronat e të cilëve preken nga zgjerimi i aksit rrugor Rrapi-Kryqëzimi spital, në qytetin e Beratit.
Ky shpronësim kap vlerën e 663 mijë lekë dhe me përfundimin e këtij procesi, i hapet rruga fillimit të punimeve për zgjerimin e këtij aksi, që do të mundësojë lidhjen e dy pjesëve më të populluara me aksin kryesor rrugor të qytetit të Beratit. Ndërkohë që punimet parashikohet të përfundojë në muajin mars të 2005.
• U miratua vendimi për shpronësimin e pronarëve, pronat e të cilave preken nda ndërtimi i varrezave publike të qytetit të Kukësit.
Shpronësimi kap vlerën e 11 milion e 202 mijë e 702 lekë. Punimet për realizimin e këtij investimi parashikohet të përfundojnë në muajin qershor të vitit 2005.
• Gjithashtu u miratua shpronësimi për interes publik për Bashkinë e Divjakës të pronave që preken nga ndërtimi i një kanali kullues për të parandaluar përmbytjen e qytetit të Divjakës. Vlera e shpronësimit kap shifrën e 196 mijë lekë.
***
• Këshilli i Ministrave miratoi në parim Marrëveshjen specifike të përkrahjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë, për projektin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Shqipëri, me projekt pilot qarkun e Korçës.
Marrëveshja përcakton aktivitetet dhe procedurat që do të ndërmerren nga të dy palët për zbatimin e projektit, i cili synon organizimin dhe mirëfunksionimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Korçës.
Qeveria suedeze mbështet financiarisht zbatimin dhe monitorimin e këtij projekti në vlerën prej 15 000 000 kronor suedez. Periudha e zbatimit të tij është 36 muaj.
Objektivat e marrëveshjes janë:
- Hartimi i kuadrit ligjor të përshtatshëm për administrimin e mbetjeve urbane;
- Përgatitja e Planit Kombëtar të Administrimit të Mbetjeve të Ngurta;
- Përgatitja e modeleve të planeve lokale të menaxhimit të mbetjeve, nga komunat deri te bashkitë;
- Zbatimi i porjekteve të ndryshme pilote për riciklimin e mbetjeve dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të tyre;
- Hartimi dhe zbatimi i programeve për ndërgjegjësimin e publikut.
• U miratua projektligji "Për ratifikimin e Konvetës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Hollandës, për shmangien e tatimeve të dyfishtë dhe për parandalimin e evazionit fiscal për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalet".
Konveta krijon bazën e plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridike hollandezë apo shqiptar, që kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera dhe që trajtohen nga legjislacionet tatimore të dy vendeve.
Sipas Konvetës, e drejta për tatimin e të ardhurave i takon vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis dy shteteve, por gjithmonë pa e renduar subjektin me tatim të dyfishtë. Gjithashtu shtetet kanë të drejtë të shkëmbejnë informacione dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.
• U miratua Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federalë të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar në projektin "Shkarkimi i ujërave të zeza, Kavajë II", me vlerë prej 5.500.000 eruro.
Ky projekt, i një rëndësie prioritare, do të sigurojë përmirësimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza për Kavajën. Në këtë marrëveshje qeveritare, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i jëp mundësinë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të marrë nga KFW (Kreditanstalt fur Widerbau) shumën financiare prej 5.500.000 euro.
• U miratua Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për Bashkëpunimin finaciar në projektin "Planifikimi familjar III", me nje shumë financimi 1.000.000 euro.
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i jëp mundësinë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të marrë nga KFW (Kreditanstalt fur Widerbau) një shumë financimi grand prej 1.000.000 ( një milion) euro.
• Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për Statusin e Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ky projektligj përcakton statusin e Punonjësit Infiormativ të Shtetit, pozitën juridike, administrative, kriteret e pranimit dhe të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, detyrimet e të drejtat e punonjësit të këtij shërbimi dhe garancitë ligjore për realizimin e tyre.
Ky projektligj ka për qëllim plotësimin e kuadrit ligjor lidhur me përcaktimin e pozitës juridike e administrative të punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, marrëdhëniet e punës, detyrimet e të drejtat që ka punonjësi dhe garancitë ligjore për realizimin e tyre.
Projektligji hartohet në zbatim të kërkesave të Kushtetutës, të dokumentit të "Strategjisë së Sigurimit të Republikës së Shqipërisë, të Programit të Qeverisë, të prioriteteve të përcaktuara nga Kryeministri, të programit trevjeçar të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të përafrimit ligjor të këtij shërbimi me shërbimet homologe të vendeve Euro-Atlantike.
• U miratua projektligji Për mbarështrimin e blegtorisë.
Qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja përmirësimi dhe ruajtja e cilësisë së burimeve gjenetike shtazore, me synim nxitjen e fermerëve për shtimin e prodhimeve blegtorale, përmirësimin e cilësisë së produkteve shtazore dhe ruajtjen e ndryshueshmërisë gjenetike të kafshëve të fermës.