Në mbrojtje të Çarshisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka urdhëruar të hënën, përmes një vendimi ndalimin e menjëhershëm të punimeve në ‘Çarshinë e Madhe të Gjakovës’, për të cilat ka konsideruar se janë një ndërhyrje shumë e rënd në trashëgiminë kulturore, por po ashtu shkelin edhe Ligjin në fuqi për Trashëgimi Kulturore.
‘Çarshia e Madhe e Gjakovës’, sipas vendimit të ministrit Krasniqi është pjesë e Listës së trashëgimisë në mbrojtje të përkohshme, që është nënshkruar para disa javësh nga ministri.
Vendimi, që hyn në fuqi qysh të hënën, është marrë pas konsultimesh dhe kërkesës së një raporti në lidhje me gjendjen e krijuar. Ky vendim për ndalimin e punimeve bazohet në Ligjin për trashëgimi, në Nenin 14.
“Ministri Krasniqi ka biseduar po ashtu edhe me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj të cilit ia ka shprehur shqetësimin e thellë për këto veprime, dhe ka kërkuar që Kuvendi Komunal i Gjakovës të respektojë Ligjin për trashëgimi, e po ashtu të jetë në komunikim të vazhdueshëm me MKRS-në për çdo ndërhyrje që do të mund të bëhet në hapësirat apo objektet që janë pjesë e trashëgimisë kulturore”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga MKRS.
Ndërkohë, një nismë e të rinjve të Gjakovës, përmes një komunikate, ka ftuar qytetarët që të dalin në një ecje të qetë për të shprehur simbolikisht indinjatën e tyre. Ata kanë bërë thirrje që ditën e diel, më 11 nëntor, qytetarët të dalin pranë xhamisë së Hadum Agës, e prej aty të drejtohen në formë simbolike kah Kuvendi i Komunës së Gjakovës, ku do të shprehin pakënaqësinë e tyre simbolike.
“Qyteti ynë dhe i të parëve tanë po shkatërrohet dhe nuk të ngjallë më nostalgjinë që e kishte dikur. Çdo kalldrëm i asaj lagjeje ka një copë historie për të cilën ne ndihemi krenarë. Çarshia e Madhe në Gjakovë, është nën Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës”, thuhet në komunikatën e të rinjve gjakovarë.
Sipas tyre, zërit për ruajtjen e vlerave kulturore i është bashkuar edhe futbollisti shqiptar Lorik Cana, i cili me të dëgjuar u është drejtuar me një letër.
“Ç'janë këto iniciativa të cilat po na e shkatërrojnë të bukurën antikë?! Po a ka ligj që e mbron Trashëgiminë Kulturore në atë vend”, ka pyetur ai i habitur nga kjo ndërmarrje e Komunës së Gjakovës.