E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mbrojtje të pronës intelektuale

Në Prishtinë u mbajt konferenca “Pronësia intelektuale në Kosovë”, në të cilën morën pjesë udhëheqës të institucioneve si dhe krijues të fushave të ndryshme. Nga Alfred Beka më 29 prill 2011 në ora 09:56

Prona intelektuale në Kosovë tash e dhjetë vite vazhdon të mbetet një prej çështjeve më delikate edhe pse tashmë ekziston Ligji për të Drejtat e Autorit, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës që në vitin 2006. Pirateria dhe mosrespektimi i të drejtës autoriale vazhdojnë t’i shqetësojnë autoritetet dhe institucionet që merren me këtë çështje, megjithëse shumë pak është punuar për t’i ndalur.

Lidhur me këtë çështje, në Grand Hotel në Prishtinë, të ënjtën, u organizua konferenca “Pronësia intelektuale në Kosovë”, në të cilën morën pjesë Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Khaldoun Sinno, u.d. i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Mimoza Kusari –Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë si dhe artistë, biznesmenë e përfaqësues të institucioneve tjera relevante që kontribuojnë në këtë proces.

Ministri Krasniqi, në fjalën e tij, u shpreh se mbrojtja e të drejtës autoriale është prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Lidhur me hapat që institucionet do të ndërmarrin në drejtim të avancimit të gjendjes aktuale në fushën e pronësisë intelektuale, ministri Krasniqi u shpreh se kjo do të bëhet në partneritet me krijuesit.

“Participimi direkt i krijuesve dhe asistenca e tyre në angazhimin lidhur me përmirësimin e gjendjes ekzistuese në lidhje me pronësinë intelektuale është mëse e nevojshme, sepse vetë komuniteti në fjalë është forca lëvizëse për t’i avancuar gjërat më tej”, tha Krasniqi.

Duke falënderuar Komisionin Evropian për ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim, ministri Krasniqi premtoi angazhim maksimal që çështja e pronës intelektuale të jetë pjesë e proceseve ndërkombëtare.

“Periudha e ardhshme do të shënojë pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, nënshkrimit të marrëveshjeve të konventave në këtë fushë dhe vendosjes së një sistemi funksional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtës së autorit”, tha ai. Duke folur për këtë çështje, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, tha se krijimi i një sistemi dhe i kapaciteteve që e mbrojnë pronën intelektuale ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik. Ndërkaq, u.d. i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sinno, premtoi përkrahjen e institucionit që ai përfaqëson. “Nga mbrojtja e pronësisë intelektuale do të fitojnë të gjithë”, u shpreh Sinno. Z. Sinno tha po ashtu se është shumë e nevojshme një fushatë vetëdijësuese për gjithë shoqërinë për rëndësinë e mbrojtjes së pronës intelektuale.

Në anën tjetër, krijuesit dhe botuesit shprehen se duhet respektuar prona intelektuale.
Poeti dhe botuesi Sali Bashota, lidhur me këtë çështje, u shpreh për Express se prona intelektuale është vlerë për një shoqëri demokratike.

“Prona intelektuale, në një mënyrë, në Kosovë nuk mund të them se është e rrezikuar por është e shpërfillur. Në këtë drejtim institucionet kulturore, shkencore dhe arsimore mund të kenë mbështetje më të madhe që në radhë të parë prona intelektuale të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të institucioneve”, tha Bashota.

Ai theksoi se duhet marrë shembull nga vendet perëndimore se si ato e kanë të rregulluar çështjen e pronës intelektuale. Po ashtu, Bashota e theksoi nevojën e debateve lidhur me këtë çështje, të cilat, sipas tij, mungojnë. Ai gjithashtu e theksoi nevojën e sanksioneve ndaj atyre që e keqpërdorin pronën intelektuale.

“Në Kosovë ka forma të shumta të piratërisë, nuk ka stimulim të krijuesve të fushave të ndryshme të dijes, shkencës dhe kulturës. Nëse ka sanksione ndaj atyre që e keqpërdorin pronën intelektuale të individëve dhe institucioneve shkencore dhe nëse këto janë të garantuara me të drejtën ligjore atëherë faktikisht i rritet vlera pronës intelektuale”, tha Bashota.

Ndërkaq, botuesi Behxhet Bici tha se në Kosovë ka probleme në këtë fushë, por jo në përmasa të mëdha siç ka pasur më herët. Ai tregoi se si para tri apo katër viteve, një libër që ai e kishte botuar, për të cilin edhe kishte paguar një shumë të caktuar për të marrë të drejtën e botimit, i ishte botuar pirat në Tetovë. Pas disa hulumtimeve, ai e kishte zbuluar se kush e ka bërë këtë dhe i kishte kërkuar tërheqjen e librit nga tregu gjë që edhe kishte ndodhur. Nëse ndodh prapë një rast i tillë, Bici tha se do t’iu drejtohej organeve kompetente.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›