E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova do ta dridhë botën

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk është e pranuar në UEFA e FIFA, por kreu i saj, Fadil Vokrri, i ka idetë e qarta. Ai paralajmëron se përfaqësuesja e Kosovës në një të ardhme të afërt do ta dridhë botën e futbollit. Kreu i futbollit kosovar është i bindur se krahas futbollistëve të tjerë, Fatos Beqiraj dhe Arijan Ademi do të luajnë për Kosovën. Vokrri do ta mirëpriste një ndeshje të Kosovës me Kroacinë. Nga Express më 29 prill 2011 në ora 13:43

Edhe pse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është pranuar në UEFA e FIFA, kreu i saj, Fadil Vokrri ka paralajmëruar se përfaqësuesja e Kosovës në një të ardhme të afërt do ta dridhë botën e futbollit. Krerët e futbollit kosovar po bëjnë përpjekje maksimale që futbolli kosovar të dalë nga izolimi dhe të pranohet ndërkombëtarisht.

Pasi kjo të ndodhë, kryetari i shtëpisë së futbollit kosovar ka paralajmëruar se krahas shumë futbollistëve që luajnë me sukses në ekipe të njohura evropiane, pjesë e përfaqësueses së Kosovës do të jenë edhe përfaqësuesi aktual i Malit të Zi, Fatos Beqiraj dhe përfaqësuesi i ekipit U21 të Kroacisë, Arijan Ademi.

“Beqiraj e Ademi në të ardhmen do të luajnë për Kosovën”, ka thënë Vokrri për revistën kroate Max.

Legjenda e futbollit kosovar nuk e ka fshehur dëshirën e tij që përfaqësuesja e Kosovës në të ardhmen të luajë me Kroacinë.

“Me Kroacinë kanë dëshirë të luajnë Brazili dhe Franca, normalisht edhe ne do të ishim të nderuar dhe krenarë po ta kishim rastin të takoheshim me Kroacinë. Kur të pranohemi, përfaqësuesja e jonë ka se çka të tregojë”, vazhdo ai.

Në të kaluarën, dy herë ishte paralajmëruar se do të vinte Dinamo Zagrebi në Kosovë dhe dy herë ishte anuluar një gjë e tillë. Vokrri nuk sheh arsye pse ka ndodhur kjo, por thotë se në të ardhmen, nëse gjiganti kroat dëshiron të vijë për të luajtur në Kosovë, mund të jetë vonë.

“Sinqerisht nuk shoh arsye pse Federata e Futbollit e Serbisë ka mundur të bëjë presion mbi kryetarin Zdravko Mamic. E nëse kjo ka ndodhur, atëherë me të vërtetë është për të ardhur keq. Dinamo gjithmonë ka pasur tifozë në Kosovë, ndërsa pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ka edhe më tepër. Mamic na ka refuzuar, por kam frikë se herën tjetër, kur Dinamo të ketë termin të lirë për një ndeshje të tillë, ne do të jemi shumë të zënë”, vazhdoi Vokrri.

- “Stadiumi i Prishtinës është duke u rinovuar e Mamic nuk ka pranuar që ndeshja të zhvillohet në Mitrovicë, edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Ka vlerësuar se siguria nuk është në nivel dhe kjo është e tëra”, tha në fund Vokrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›