Dy grabitje bizhuterish brenda një jave në Tiranë, një grua në kërkim
TIRANE Policia e Tiranës ka nisur procedim penal për dy persona, një grua dhe një djalë adoleshent, pasi akuzohen se kanë vjedhur bizhuteri floriri ndaj disa qytetarëve. Sipas burimeve nga Drejtoria e Tiranës, mësohet se ka filluar procedimi penal dhe po punohet për arrestimit e shtetases Neriman N., e cila dyshohet të ketë vjedhur një sasi bizhuterish floriri dhe 200 euro në banesën e një 38-vjeçareje në rrugën Isa Boletini. Ngjarja ka ndodhur të premten dhe është denoncuar në Policinë e Tiranës nga e dëmtuara Albana N. Në kallëzimin e saj qytetarja e dëmtuar nga vjedhja pretendonte se i kanë vjedhur në apartament disa bizhuteri floriri, si dhe shumën prej 200 eurosh. Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e policisë rezultoi se autore e dyshuar e kësaj ngjarjeje është pastruesja e pallatit, Neriman N., e cila është shpallur në kërkim. Gjithashtu, pas një kallëzimi të bërë mëngjesin e së premtes nga 33-vjeçarja, Artida H., se në rrugën Asim Vokshi, pranë shkollës Harry Fultz, i kanë vjedhur varësen e floririt nga qafa, Policia ka arritur të zbulojë autorin e ngjarjes. Sipas burimeve nga Komisariati Nr. 3 i Policisë, mësohet se autor i dyshuar i ngjarjes është 18-vjeçari Lorenc Haldeda, nga Lura dhe banues në Fushë-Mëzes, i dënuar edhe më parë për vjedhje. Pas identifikimit policia ka shpallur në kërkim adoleshentin dhe ka nisur hetimet për arrestimin e tij. Ndërkohë, një tjetër grabitje ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme në fshatin Fushë-Domje të Tiranës. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit Veli Mata, ku kanë marrë dy unaza dhe një byzylyk floriri. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka fiksuar disa gjurmë që dyshohet se u përkasin autorëve duke nisur hetimet për identifikimin e tyre.
Identifikimi me gjurmë
Dy personat e shpallur në kërkim për vjedhjen e bizhuterive në Tiranë janë identifikuar nga shenjat e gishtave të gjetura në vendngjarje. Burimet nga Policia thanë se pas denoncimeve, grupi i hetimit ka shkuar në dy vendngjarjet, ku pas kryerjes së veprimeve të para është arritur që të gjenden shenja gishtash në njërën prej tyre. Gjurmët në fjalë, por edhe deklarimet e personave të dëmtuar, kanë dhënë ndihmëse në identifikimin e dy personave që tashmë janë shpallur në kërkim me akuzën e vjedhjes.