Në nëntë bashki dhe komuna të Durrësit nis procesi për shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike
Procesi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike është shtrirë ditët e fundit në nëntë bashki dhe komuna të qarkut të Durrësit. Drejtori i filialit të Postës Shqiptare, Ismail Dervishi, bëri të ditur se pas qytetit të Durrësit aplikimi për këto dokumente ka nisur edhe në pesë bashki dhe katër komuna të këtij qarku. Dervishi tha se sot paradite kanë nisur aplikimet në zyrat postare të bashkive të Krujës, Fushë Krujës, Shijakut dhe Manzës, si dhe në komunat e Rrashbullit dhe Thumanës. Ndërsa në bashkinë e Sukthit dhe në komunën e Xhafzotajt aplikimet filluan të premten e kaluar. Mësohet se mbi 12 mijë kupona janë vënë në dispozicion të zyrave postare në këto bashki dhe komuna, ndërsa ditët e ardhshme pritet që procesi i aplikimit të fillojë dhe në 6 komunat e tjera të qarkut të Durrësit dhe të Krujës. Në qytetin e Durrësit shpërndarja e kuponave ka nisur në javën e parë të muajit shkurt dhe deri janë janë shpërndarë mbi 10 mijë kupona. Pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike, një projekt i qeverisë, konsiderohet mjaft i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Prioritet në këtë proces kanë shtetasit e papajisur me pasaportë për jashtë shtetit, një dokument ky i vlefshëm në votime.
...