E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon puna për ndërtimin e veprave të artit në rrugën Plepa-Kavajë

Tre firma ndërtuese, që po realizojnë projektin e zgjerimit të rrugës Plepa (Durrës) -Mali i Robit (Kavajë), me gjatësi 6.5 km, kanë nisur punimet edhe në veprat e artit, si ura, nënkalime dhe mbikalime. Projekti me një vlerë të përgjithshme prej mbi 1.3 miliardë lekë, financuar nga qeveria shqiptare, po zbatohet në një nga segmentet rrugore me qarkullimin më të dendur në shkallë vendi, sidomos në stinën e verës kur qytetarë të shumtë i drejtohen bregdetit që shtrihet në këtë zonë. Rruga që do të përfundojë më 30 qershor do të ketë katër korsi, me një trafikndarëse në mes, për të parandaluar aksidentet rrugore. Për ndërtimin e saj po punojnë firmat Albavia, Salillari dhe Kirchberger. Burime zyrtare nga firma ndërtuese Salillari, bënë të ditur se tashmë ka nisur puna për dyfishimin e gjerësisë së urës së Plepave, 7 km në jug të Durrësit. Ura do të ketë gjerësi 30 metra, njësoj si rruga në të gjithë gjatësinë e saj, ndërsa për përfundimin në kohë të saj po punohet edhe gjatë ditëve të pushimit. Sipas të njejtave burime, në këtë segment rrugor do të zgjerohet dhe ura mbi Përroin e Agait, pikërisht aty ku ndahet rrethi i Durrësit nga ai i Kavajës. Në zonën turistike të Golemit janë parashikuar të ndërtohen katër nënkalime për automjetet dhe po aq mbikalime për kalimtarët, që shfrytëzojnë hotelet dhe motelet në të dy anët e rrugës automobilistike dhe të trasesë hekurudhore. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›