Ne nuk flasim

Misioni Europian për Rend dhe Ligj, EULEX, të premten ka lëshuar një deklaratë për media përkitazi me shkrimin e publikuar në Gazetën Express për mundësinë që së paku katër zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës të arrestohen nën dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky mision kundërshton artikullin, por nuk e demanton atë.
“EULEX’i dëshiron të kundërshtojë artikullin e publikuar në Express më datën 12 prill 2012, në të cilin pretendohet se një prokuror ndërkombëtar ka paralajmëruar arrestimin e disa zyrtarëve të qeverisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga EULEX’i të premten.
Gazeta Express, duke u thirrur në pohimet e një prokurori ndërkombëtar, ka shkruar se pritet që së shpejti të arrestohen disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Burimi i gazetës ka thënë se cak i organeve të drejtësisë do të jenë zyrtarë të rangut të lartë, ministra, por edhe një Zëvendëskryeministër.
Në komunikatë, EULEX thotë se asnjë zyrtar i saj i përgjegjshëm nuk do të fliste me gazetarët për këto tema.
“EULEX për çështje objektive nuk komenton këto pohime. Ne duam të theksojmë se asnjë anëtar i përgjegjshëm i EULEX’it ose pjesëtar i involvuar në procedura kriminale nuk do të ofronte informacione të kësaj natyre”, thuhet në komunikatë.
Më tej, misioni europian sqaron se “nuk i paralajmëron arrestimet e as nuk komenton rreth hetimeve që janë duke vazhduar”.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Express)