Rastësisht te ROSU?

Dy xhipa me pjesëtarë të KFOR’it kanë qëndruar edhe të premten para hyrjes kryesore të bazës së ROSU, njësisë speciale të Kosovës, të vendosura në fshatin Frashër të Mitrovicës. Pjesëtarët e KFOR’it kanë qëndruar para bazës së ROSU’s vetëm duke vëzhguar.
Sipas banorëve të zonës, pjesëtarët e KFOR’it kanë qëndruar para bazës së njësive speciale të Kosovës prej të enjtes, kur ishin vendosur diku rreth orës 15:00.
“Ata janë vendos këtu të enjten kah gjysma e ditës, por po rrinë në vetura të tyre edhe po këqyrin, policia e Kosovës po hyn, po del nga baza e saj”, thotë një banor që ka një shitore pak metra larg bazës së njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Ai thotë se pas vendosjes së KFOR’it aty, situata nuk është aspak e mirë.
“Këtu në kamp kanë ardh shumë pjesëtarë të ROSU, sidomos të Pejës e Istogut. KFOR po thonë se ka ardh këtu m’i ndal pjesëtarët e ROSU që mos të intervenojnë në veri”, thotë ky shitës.
Të enjten në orët e vona dhe të premten është raportuar se KFOR dhe EULEX kanë bastisur njësitet e ROSU, lajm ky që është hedhur poshtë nga zyrtarë për media në Policinë e Kosovës.
Banorët kanë rrëfyer se besohet që KFOR’i ka pasur një informacion se njësia speciale e Policisë së Kosovës, e njohur si ROSU, do të intervenojë në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Express)