Kamp i suksesshëm

Kontingjenti i përfaqësueses U-17 e U-19 të Shqipërisë është ndarë i kënaqur me kampin katërditor, të organizuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), i cili u mbajt në Kastriot, duke grumbulluar rreth 60 futbollistë të rinj nga Kosova, trevat tjera shqiptare dhe diaspora.
Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për Kosovë, Jetmir Salihu, thotë se trajnerët janë ndarë të kënaqur me kualitetin e futbollistëve dhe se janë të bindur se do të nxjerrin diçka nga ky kamp i suksesshëm.
“Kemi marrë shënime dhe pas një jave do të dalim me rezultate nga ky kamp, me të cilin jemi mjaft të kënaqur. Tashmë i njohim lojtarët, nuk përjashtohet mundësia që një ose dy prej tyre brenda 3-4 vjetësh të jenë shumë të rëndësishëm për ekipin kombëtar”, deklaroi Salihu për Express.
Sipas tij, futbollistët që do të ftohen në përfaqësuesen e Shqipërisë në grupmoshat përkatëse do të garojnë me moshatarët e tyre nga Shqipëria për të luftuar për një vend në ekipin U-17, respektivisht U-19 të Kuqezinjve.
Salihu paralajmëroi se numri i të ftuarve mund të mos jetë i madh, por me rëndësi për Shqipërinë është që ta nxjerrë një ose dy futbollistë kualitativë. Ai tregoi se vitin tjetër, FSHF mund të organizojë kamp në ndonjë trevë tjetër shqiptare për të zbuluar talentë tjerë.