E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në paraburgim kam takuar Agron Kuliqin”

26/03/2010 Dëshmia e Adriatik Colit. Gjykata i jep fund marrjes së deklarimeve nga i penduari

Coli shprehet se ka takuar zv/drejtorin e policisë së shtetit, por nuk jep motivet

TIRANË- Përfundon marrja në pyetje e Adriatik Colit. Në seancën e tij të fundit Coli i është përgjigjur pyetjeve të disa avokatëve mbrojtës. Procesi zhvillohet me dyer të mbyllura, por burimet që ishin në sallë pohuan se i penduari midis të tjerave ka përmendur për herë të parë emrin e një prej zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të policisë së shtetit, Agron Kuliqin. Emri i këtij të fundit ka dalë teksa Coli është pyetur konkretisht nga një prej avokatëve. Por kur është pyetur për arsyen e takimit, mësohet se ka pasur ndërhyrje nga prokurorët duke kërkuar ndryshimin e pyetjeve. Më pas pyetjet e avokatëve janë fokusuar te mënyra se si Coli ka ardhur në Shqipëri dhe kushtet që i janë vënë atij për të nënshkruar marrëveshjen për të bashkëpunuar me drejtësinë shqiptare. Coli ka sqaruar për herë të fundit se në Shqipëri ka ardhur nga Kosova dhe është shoqëruar nga policia kosovare. Ndërsa marrëveshjen e ka nënshkruar pasi është vënë në dijeni për kushtet që kishte. Ka më shumë se pesë seanca që u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të të pandehurve të këtij procesi. Edhe në dëshmitë e mëparshme ka hedhur dritë për vrasje, konfliktet mes bandave për interesa që përkthehen në miliona dollarë, të cilat kishin ndodhur në zemër të Durrësit. Coli ka dëshmuar për miqësinë me Lulzim Berishën. Personat që urdhëronin atentatet, vrasjet dhe drejtonin trafiqet e lëndëve narkotike. Ai ka sqaruar arsyet që detyruan ndarjen e bandës mes Lulzim Berishës dhe Indrit Dokles dhe vënia e një çmimi marramendës për kokën e secilit prej tyre. I penduari i drejtësisë, Adriatik Coli, u ka dhënë autorët për secilën vrasje pa autorë që kanë ndodhur nga viti 1998 e deri para dy vitesh, kur dhe u arrestuan. Mësohet se Coli ka përmendur edhe emra personash, të cilët nuk janë të pandehur në këtë dosje, të dhëna të cilat për Prokurorinë konsiderohen si të dhëna sekrete që do të ndikojnë në zgjerimin e kësaj dosjeje. Pas seancës së djeshme gjykata revokon vendimin e marrë për të zhvilluar gjyqin me dyer të mbyllura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›