E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et e Devollit, ja përfitimet

26/03/2010 Dritan Prifti

Me ndërtimin e veprës energjetike në kaskadën e lumit Devoll, prodhimi aktual i energjisë në Shqipëri do të rritet me 20 për qind, ndërkohë që do të hapen edhe 3 mijë vende pune. Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë Dëgjesës Publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor përgjatë kaskadës së Devollit të zhvilluar dje në Gramsh. Synimi i kësaj dëgjesë ishte njohja, diskutimi dhe konsiderimi i këndvështrimit të publikut dhe grupeve të përfitimit, që kanë lidhje me vlerësimin dhe masat e propozuara për ndërtimin e projektit energjetik në fjalë. Gjatë diskutimit, ministri Prifti theksoi se projekti energjetik i Devollit, vlera e të cilit arrin në 1 miliard euro, përbën nismën më të madhe të investimit privat në Shqipërinë e viteve të tranzicionit dhe nis nga zbatimi në kohën kur shumë vende të botës, përfshirë ato të rajonit, janë duke kaluar rënie ekonomike dhe ulje të investimeve të huaja. Gjithashtu, një pjesë të këtij diskutimi e zuri edhe punësimi që do t’i sjellë kësaj zone zbatimi i këtij projekti, ku parashikohet të punojnë rreth 3 mijë persona. “Realizimi i projektit të Devollit është në përmbushje të objektivit parësor të Qeverisë për fuqizimin edhe më tej të pozitës energjetike të vendit. Mbi 300 MW kapacitet do t’i shtohet prodhimit energjetik të vendit përmes disiplinimit të rrjedhës së Devollit në tri veprat energjetike të konceptuara në të, duke shtuar me rreth 1000 GWh prodhimin vjetor kombëtar të energjisë”, përfundoi ministri i Ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›