E Diel, 1 Nëntor 2026

Materniteti, familjarët mund të asistojnë në lindjet e fëmijëve

26/03/2010 Investimi disa milionë euro e shndërron në një spital me kushte bashkëkohore

DURRES- Të gjithë familjarët që janë të interesuar të ndjekin procesin e sjelljes në jetë të një bebeje në maternitetin e Durrësit mund të jenë të pranishëm. Për disa vite është folur se ky spital do të mundësojë edhe këtë përvojë të re për vetëm me fillimin e muajit mars ka ndodhur ajo që pritej nga bluzat e bardha. Spitali Obstetër Gjinekologji ka dy salla lindje, obstetrike dhe gjinekologjike.

Asistimi

Për të parën herë në këtë qendër shëndetësore bashkëshortë, prindër dhe fëmijë mund të jenë pranë gruas që lind. Kjo është bërë e mundur vetëm pas investimit disa milionësh. Mjedisi ku qëndron gruaja shtatzënë është me dhoma dyshe dhe gruaja që lind nuk lëviz më nga ai ambient pas lindjes bashkë me fëmijën. Një sinjal i tillë është dhënë që në kohën kur nisi investimi disa vite më parë, ndërkohë që me fillimin e këtij muaji gjithçka është bërë realitet. Materniteti në Durrës ka nisur funksionimin normal duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e veta. Investimi nga OPEC dhe qeveria shqiptare ka bërë të mundur të japë zgjidhje për një nga projektet më të rëndësishme që favorizon Durrësin në marrjen e statusit si qendër universitare, qendër e cila ka filluar tashmë të funksionojë si e tillë. OPEC dhe qeveria shqiptare kanë dhënë 8.5 milionë euro për të bërë të përshtatshme godinën e vjetër të maternitetit si dhe për të blerë pajisje. Nga shuma e mësipërme janë shpenzuar plot 7 milionë euro në rikonstruksionin e godinës katërkatëshe dhe 1.5 milionë euro për pajisje. Mjekë e specialistë në këtë spital kanë thënë se shërbimi për nënat e bebet në këtë qendër spitalore janë cilësore dhe të standardeve ndërkombëtare, ashtu si dhe pajisjet. Këto të fundit janë vendosur të gjitha të reja dhe teknologji perëndimore. Që nga data 1 mars materniteti funksionon me intensitet të plotë, duke filluar me godinën e hotelerisë, aktivitetin ambulator, pranimin e grave shtatzëna dhe deri tek sallat e lindjes, inkubatori, laboratori etj. Pajisjet janë tërësisht të reja, të përshtatura dhe të vendosura në secilin kat, i cili ka një funksion të caktuar. Mjekët janë shprehur se në lidhje me veprimtarinë dhe ekzaminimet, në maternitetin e ri kryhen që të gjitha proceset, që parashikohen në rastet e obstetrisë dhe gjinekologjisë, duke iu kushtuar më shumë kujdes interventeve endoskopike.

Investimet

Kishte shumë vite që mendohej të ofrohej zgjidhje në këtë drejtim nisur nga fluksi në rritje i vizitave dhe shtrimeve, si dhe nevoja e rinovimit dhe përshtatjet me metodat dhe parimet e reja. Që nga fillimi i këtij muaji, kohë që është legalizuar ndjekja e procesit të lindjes nga familjarë, disa bashkëshortë kanë asistuar në proces duke ndjekur nga një sallë ngjitur me atë të lindjes bashkëshortet e tyre. Pas investimit në rikonstruksion dhe në pajisje godina katërkatëshe, si dhe mjediset e saj të brendshme, së bashku me dhomat e nënës e fëmijës janë përshtatur plotësisht me standardet. Në këtë spital është futur edhe shërbimi i ndërhyrjeve të vështira endoskopike. Materniteti ka 15 mjekë kirurgë me përvojë disavjeçare dhe për herë të parë është afruar ndërhyrja endoskopike. Të gjitha pajisjet për endoskopinë dhe kolposkopinë janë të markës SHTORC. Godina ka një pavijon me 40 shtretër për gratë në proces lindje, 20 shtretër për femrat që kërkojnë trajtim spitalor në kurimin e sëmundjeve gjinekologjike dhe po aq për lindje. Pas investimit ky shërbim në Durrës ka kapur nivelet e spitaleve cilësore në rajon nisur edhe nga shkalla e plotë e kualifikimit të mjekëve, kirurgëve dhe personelit që përdor pajisjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›