E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në përgjigje të një miku

ARBEN GJATA

Pasi e kisha pranuar me kënaqësi ftesën e PS për të kontribuar në hartimin programit të saj për shëndetësinë, kryesisht në fushën e reformimit të sistemit spitalor dhe pasi kisha dëgjuar mendimet që u shprehën në tryezën e organizuar  për shëndetësinë, e prita me shumë interes reagimin e mikut tim, prof. Tritan Shehut, në gazetën Panorama, pasi gjithmonë e kam respektuar për profesionalizmin… dhe për dëshirën për të hapur debat publik  për politikat shëndetësore. Hapja e një debati të tillë, i dashur mik, besoj gjithashtu që vetëm mirë i bën një sistemi kaq të rëndësishëm, por edhe kaq të nënvlerësuar dhe të keqtrajtuar nga politika shqiptare në këto 20 vite tranzicioni të pafund.
Sidoqoftë, mendoj që hapja e debatit bëhet me argumente dhe jo duke e cilësuar të varfër në ide e në programe një tryezë në të cilën nuk ke marrë pjesë dhe nuk ke dëgjuar apo lexuar asnjë nga materialet e paraqitura në të, përveç diskutimit të kryetarit të PS.
Hapja e një tryeze konsultative për programin e shëndetësisë është pa dyshim një risi për tu përshëndetur, aq më tepër që në të paraqitën hallet, problemet dhe propozimet e tyre shumë specialistë të fushës, me vullnetin e tyre të lirë, të pandikuar nga interesa partiake apo personale, por besoj me dëshirën e mirë për të kontribuuar në përmirësimin dhe reformimin e atij sistemi në të cilën bëjnë pjesë, për të cilin edhe ti, miku im, shkruan se ka ka probleme e dobësi serioze.
Nuk është ndonjë gjë e re të zbulojmë se sistemet shëndetësore në Europën në të cilën kërkojmë të integrohemi janë ose të modelit Bismark, pra të bazuara në sigurimet shëndetësore, ose të tipit të taksimit direkt për shëndetin.
Të dyja këto janë skema solidariteti, që do të thotë se paguajmë gjithë jetën për një ditë, paguajmë të gjithë dhe përfiton ai që ka nevojë, paguan më shumë ai që ka më shumë. Këto skema solidariteti janë pjesë e mendësisë iluministe dhe shtetit social.
Të duket se dëgjon Internacionalen kur një forcë politike propozon të zëvendësojë një skemë solidariteti joefikase, me një skemë tjetër solidariteti, të propozuar si të përshtatshme për Shqipërinë edhe nga ekspertë të Bankës Botërore dhe OBSH-së, është njësoj sikur të mendosh se anglezët e kanë kthyer Internacionalen në himn kombëtar, në vend të God save the King, apo italianët të kenë zëvendësuar himnin e Mamelit me Internacionalen, meqenëse të dyja këto vende kanë skema solidariteti për shëndetësinë, të ngjashme me ato që propozon PS në programin e saj.
Ne si profesionistë të fushës e dimë shumë mirë se këto skema, pavarësisht kritikave që mund ti bëhen njërës apo tjetrës, funksionojnë më së miri në vende të ndryshme europiane, që vetëm me socializmin real dhe komunizmin nuk kanë të bëjnë.
Në fund të fundit, çfarë propozon PS në programin e saj për të siguruar financimin e shëndetit? Për ta bërë të kuptueshme për të gjithë, propozohet që të ketë një taksim universal për shëndetin dhe paratë e përfituara në këtë mënyrë të përdoren nga ana e sistemit shëndetësor kombëtar për të financuar shëndetësinë nëpërmjet blerjes se shërbimeve që nevojiten, që do të thotë se do të paguajmë të gjithë për të përdorur pa pagesë sistemin kur të na nevojitet.
Çfarë po ndodh me skemën aktuale të financimit të shëndetësisë? Cili shtet në Europë apo rajon vë në dispozicion të qytetarëve të tij 80-90 euro në vit për kokë? Pse mendohet se kjo skemë është më e përshtatshme për Shqipërinë?
Në një studim të saj, Banka Botërore përllogarit se sot vlera e parave që shpenzohen për shëndetin në Shqipëri shkon në gati 7% të GDP, ose rreth 700 milionë euro në vit, ndërsa buxheti i shtetit vë në dispozicion 2-3% të GDP dhe bashkë me paratë e grumbulluara në formën e sigurimeve shëndetësore shuma shkon në 250-300 milionë euro.
Shqiptarët paguajnë në vit 400-450 milionë euro nga xhepi i tyre për shërbimet e munguara, në sistemin privat apo nën dorë, shërbime të cilat duhet ti kishin të siguruara nga shërbimet mjekësore publike. Këto janë ato shuma që përbëjnë tragjedinë e sistemit dhe që për ironi politika përpiqet ta mbulojë këtë nënfinancim nën petkun e show-t të akuzimit dhe denigrimit të profesionistëve të fushës.
Pra, i dashur mik, me këtë sistem që kemi sot, me këtë nënfinacim të dhimbshëm, edhe ata që kanë, edhe ata që skanë, paguajnë nga xhepi i tyre rreth 60% të parave për të marrë shërbimin shëndetësor që u nevojitet.
Pse një pjesë e specialistëve të huaj i kanë parë në mënyrë skeptike propozimet për rritjen e kontributit aktual prej 3,4% të pagës për sigurimet shëndetësore? A mos, vallë, përqindja e të siguruarve, që sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk shkon më shumë se 23% të popullatës aktive, përbën ndonjë shifër inkurajuese për të vazhduar me modelin aktual të skemës së solidaritetit? Dhe meqë shpeshherë ke qenë i interesuar me të drejtë për integrimin e sistemit shëndetësor privat me skemat e sigurimeve shëndetësore, vërtet mendon që spitale dinjitoze private, që kanë investuar miliona euro në tregun e shëndetit, do të mund të mbijetojnë në treg me paratë kesh që paguajnë qytetarët kur kanë nevojë për shërbimet e ofruara prej tyre?
A duhet të jetë e pranueshme në një shoqëri civile që shteti nuk siguron dot as skemat bazë të kimioterapisë për të sëmurët onkologjikë dhe përveç hallit të sëmundjes së rëndë, familjet e tyre dërrmohen edhe financiarisht për të paguar nga xhepi skemat e shtrenjta, por të domosdoshme, për tiu dhënë shpresë shërimi të afërmve të tyre?
Meqë kemi punuar me vite në spital së bashku, besoj se je dakord se sistemi spitalor është më i pareformuari i sistemit shëndetësor shqiptar. Në sistemin shëndetësor spitalor publik nuk është realizuar asnjë reformë e rëndësishme. Përpjekjet në vite, përpunimi i strategjive për zhvillimin e spitaleve janë lënë në harresë.
Besoj se e mban mend se në vitet 2002-2003, kur do të përpunohej plani strategjik i zhvillimit të QSUT-së dhe master-plani i saj, në komitetin e pilotazhit u ftuan të bëjnë pjesë të gjithë ish-drejtorët e QSUT-së, të gjithë ish-dekanët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të gjithë ish-ministrat e Shëndetësisë, pavarësisht nga bindjet dhe qëndrimet politike, me dëshirën dhe besimin që të realizohej një konsultim sa më i gjerë, për të realizuar një projekt zhvillimi sa më të plotë, larg influencave politike, sepse në projektet e zhvillimit mendoj se mjekët duhet ti përkasin vetëm një partie, asaj të bluzave të bardha.
Dua të të kujtoj se për tu orientuar drejt në projektet e reformës shëndetësore, Kryeministri Nano thirri në vitin 2004 një tryezë konsultative me profesionistët më përfaqësues të komunitetit shëndetësor, jashtë bindjeve apo pozicioneve politike, sepse reforma në shëndetësi është e nevojshme të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
Pse nuk u zbatuan apo u deformuan ato projekte të zhvillimit të QSUT-së, për çudi, në disa raste edhe nga vete propozuesit e tyre?
Mungesa e reformimit dhe nënfinancimit të sistemit spitalor u shoqërua, sidomos në vitet e fundit, me politika mediokre për krijimin e një klime mosbesimi ndaj mjekëve dhe personelit mjekësor, e gjetjes së fajtorëve pa faj, për të larguar nga vetja përgjegjësitë e mungesave të theksuara të medikamenteve dhe materialeve të mjekimit, të kushteve të vajtueshme të infrastrukturës spitalore, të mangësive dhe pamundësisë së realizimit të testeve diagnostikuese të kategorive të ndryshme, të promovimit nepotik apo korruptiv të personave të paaftë dhe, çka është më e rëndë, përgjegjësinë e mosreformimit të sistemit.
Një nga plagët e rënda që nuk ka lejuar formimin e një administrate drejtuese profesionaliste në mjekësinë shqiptare ka qenë mënyra e përzgjedhjes dhe e shkarkimit të drejtuesve të institucioneve shëndetësore në përgjithësi dhe të atyre mjekësore në veçanti. Jo me ndërrimin e maxhorancave, por edhe me ndërrimin e ministrave, qofte brenda një maxhorance, apo edhe me prishjen e humorit të njërit apo tjetrit, kryhen ndërrime drejtuesish nga më të habitshmet.
Me teorinë e vendosjes së menaxherëve në drejtimin

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›