Dita e Verës, një peshqesh nga Fatos Nano dhe Sali Berisha
Nga Mero Baze
Shumëkush ndoshta e ka harruar, por Dita e Verës si Festë Kombëtare u shpall në vitin 2004 dhe për arsye tërësisht politike. Më 7 mars në Tiranë, opozita organizoi një manifestim të madh, ndoshta më të madhin kundër Fatos Nanos si kryeministër prej vitit 1997. Dhjetëra- mijëra vetë mbushën bulevardin Dëshmorët e Kombit deri tek Universiteti nën parullën Nano ik. Ky ishte dhe rikthimi më i fortë i opozitës kundër tij.
Pavarësisht komenteve pro dhe kundër, protestat shqetësuan seriozisht qeverinë dhe faktorin ndërkombëtar. Lobistë të qeverisë Nano, të cilët për koincidencë në disa raste janë të njëjtë me ata të qeverisë Berisha, mbërritën në Tiranë për të neutralizuar më tej aksionin politik. Vetë Fatos Nano ndërmori një gjest, që në të vërtetë tentonte të zhvleftësonte aftësinë për të mbushur bulevardin me mijëra njerëz. Dy ditë pas protestës së opozitës ai dekretoi Ditën e Verës si Festë Kombëtare dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës organizoi për herë të parë Ditën e Verës në Tiranë. Gjithçka shkoi sipas parashikimit. Më 14 mars 2004, për herë të parë mijëra vetë rivërshuan në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial, jo për të protestuar, por të festuar. Sfida e Bulevardit ishte neutralizuar. Sali Berisha i zemëruar bëri një deklaratë të ashpër kundër prishjes së traditës së Ditës së Verës, e cila duhet të mbetej si festë e Elbasanit dhe vetë shkoi në Elbasan. Armiqësinë e tij me sjelljen e kësaj feste në Tiranë e ka ruajtur ende, por armiqësia e tij me Fatos Nanon është zhdukur. Sot pas tetë vitesh Sali Berisha është kryeministër, Edi Rama që promovoi i pari këtë festë është lider i opozitës, ndërsa Fatos Nano, një ish politikan në pension, në dispozicion të pushtetit. Sali Berisha po përpiqet ta çojë atë deri kandidimi për president, duke mos e bërë president. Kërkon ta fusë atë në garë për president formalisht, për të tërhequr opozitën në votim dhe për të legjitimuar presidentin që do të zgjedhë vetë.
Sot kur shikoja mijëra vetë që nuk reshtnin së ardhuri nga rrethinat, sidomos Paskuqani dhe Kamza drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe kodrave të Liqenit mu kujtua 14 marsi i tetë viteve më parë, kur kjo festë u prodhua nga grindja politike në Tiranë. Bulevardi i zbukuruar me “lule kallçuku” nga Kunati i Kryebashkiakut, është i vetmi detaj artificial që të kujton se kjo nuk është festë e këtij qyteti, por një ditë pushimi plot diell, e prodhuar nga një sherr politik. Është e vetmja festë e prodhuar nga inati i kundërshtarit. Deri këtu shkonte e keqja e kryeministrit më jetëgjatë socialist.
Po mendoja kryeministrin aktual, i cili i tërbuar nga protesta e opozitës së sotme në të njëjtin bulevard, me po aq njerëz sa ai në lëvizjen Nano Ik, prodhoi katër arkivole dhe një gjëmë për të ardhmen e shtetit ligjor në Shqipëri. Diferenca e tij me paraardhësit e vet dhe kundërshtarët e vet është se të parët nga inati i tij prodhonin festa ti hiqnin atij fuqinë e turmës, kurse ky nga tërbimi që pëson kur shikon se populli shkon pas kundërshtareve të tij, nxjerr armët nga dritaret e kullës së tij në kryeministri dhe vret. Nëse Fatos Nano dhe Edi Rama prodhuan këtë festë, qesharake për një kryeqytet, por të shumëpranuar për shkak të dëshirës për pushim dhe aheng që ka ky pellg, Sali Berisha ka prodhuar arkivole dhe një datë zie kombëtare vetëm nga tërbimi se qindra- mijëra njerëz kanë parakaluar para zyrës së tij të zemëruar. Kjo është diferenca reale mes tij dhe gjithë atyre që kanë qeverisur në këtë vend. Askush si ai nuk e ka çuar tërbimin ndaj popullit të vet kur proteston kundër tij duke prodhuar një ditë zie kombëtare. Peshqeshi i kundërshtarëve të tij është kjo festë, që nuk na hyn shumë në punë. Peshqeshi i tij është një ditë zie kombëtare që do të na dhembë për shumë vite, derisa ky vend të ringrejë në këmbë drejtësinë dhe të ndëshkojë ata që vrasin nga frika e popullit në rrugë.
