Rruga djathtas e Edi Ramës
Kur kryetari i opozitës shqiptare shpreh një opinion të tijin, qoftë edhe nëpërmjet editorialeve, ai ofron një lëndë të parë, e cila përpunohet më pas nga mediat, analistët, politikanët etj., sipas këndvështrimeve… të tyre. Se sa efikase janë mënyrat e zgjedhura për tu shprehur, kjo është çështje që e gjykon vetë personi në fjalë. Por, nëse në Partinë Socialiste ka mbetur dikush që vërtet mendon seriozisht për të ardhmen e saj, duhet menjëherë ti kërkojë Edi Ramës të mos shkruajë më. Ose të paktën të shkruajë opinione, qëndrime, komente politike, dhe jo analiza si kjo e fundit për tri të djathtat, që e nxjerr zbuluar atë vetë si aguridh politik dhe, për shkak se është kryetar partie dhe jo gazetar, krijon efekte elektorale të çorientuara për partinë që drejton.
Në këtë analizë të pazakontë, ku kryetari i një partie studion me zë të lartë lëvizjet e kampit kundërshtar, shihet qartë edhe nga lexuesi më i pavëmendshëm frika që ka Edi Rama se mos votat e së majtës shkasin drejt partisë së pritshme të Bamir Topit apo asaj të Kreshnik Spahiut. Marrëdhënia e Ramës me frikërat dhe ankthet e tij nuk është fort lehtë e shpjegueshme, por a është nevoja që në rastin në fjalë ajo të bëhet publike? Pse duhet që lideri i partisë, që pretendon të vijë në pushtet, frikën e tij tua dëshmojë të gjithëve nëpërmjet një analize politike? Pikërisht kjo frikë e demonstruar hapur është ajo që mund ti prishë punë PS duke u nisur nga arsyetimi se nëse vetë kryetari dyshon se votat mund ti rrjedhin, atëherë në funksionimin e partisë së tij apo të koalicionit të majtë ka diçka që nuk shkon. Ramës i djeg shumë fakti që Spahiu nuk harron asnjëherë të thotë se mbron edhe interesat e ish-komunistëve të ndershëm dhe u bën thirrje atyre të mos gënjehen dhe ta hedhin votën jashtë kutisë së koalicionit të PS. Vetë fakti që Rama nuk është i sigurt se si do të votojnë ish-komunistët e ndershëm komprometon ose ngre një pikëpyetje të madhe se sa partia e tij sot i përfaqëson realisht ish-komunistët e ndershëm apo shtresat e varfra. Se janë pikërisht ata që më shumë kanë dyshime në premtimet e tij. Droja se mos ata mund të votojnë për një parti tjetër populiste nxjerr në pah kompleksin e largimit nga ky përfaqësim dhe afrimin e PS në dhjetë vitet e fundit me interesat e grupeve të mëdha të biznesit. Dhe kur kjo gjë pranohet publikisht në një analizë të vetë kreut të opozitës, nuk mund të mos ketë pasoja elektorale për gjithë të majtën. Edi Rama, i cili as paguhet për këto analiza, mund tia kishte kursyer partisë së tij një gafë të tillë. Ajo nuk është e vetmja.
Duke u rrekur ti bindë lexuesit (votuesit) se Bamir Topi nuk ka lidhje me të majtën, Rama shkruan se angazhimi i tij politik ka në fokus pronarët, të përndjekurit e regjimit komunist dhe në përgjithësi vlerat e pikëpamjet e asaj pjese të shoqërisë që zemrën e ka djathtas. Një analist sigurisht mund ta konstatojë këtë, por kryetari i një partie që kërkon të shtojë sa më shumë vota dhe shtresa përfaqësimi nuk ka sens të bëjë një ndarje të tillë publikisht, të pranojë se zemra e kësaj pjese të shoqërisë, pra diçka që vështirë se ndryshon, do të rrahë gjithnjë në anën e kundërt të tij. Kardiologu Rama, edhe me këtë pjesë të analizës nuk është se i hap ndonjë mundësi të re për shtim votash partisë tij, përkundrazi. Pasiguria për të mbrojtur votat që ka, nuk e lejon të mendojë për ti shtuar ato.
Kjo pasiguri përshkon të gjithë analizën e tij të fillimjavës dhe e detyron të rrëshqasë në plot lajthitje të tjera. Për të bindur të majtët të mos votojnë Topin dhe Spahiun dhe se ata janë të djathtë, Rama nxjerr si argument se ata nuk kanë pasur lidhje as me Partinë e Punës, duke nënkuptuar monopolin e PS në këtë vazhdimësi, gjë që nuk e ka pranuar asnjë prej kryetarëve të tjerë socialistë. E nëse këtë e nënkupton, thirrjen drejtuar ish-komunistëve për të mos u ndalur në stacionin e Aleancës Kuq e Zi e bën hapur. Kjo ndarje historike nuk është as e kohës dhe as produktive për një lider që deri dje ka telendisur figura kryesore në PS për shkak të trashëgimisë komuniste.
I komanduar prej frikës (një tipar dallues në karrierën e tij politike) Edi Rama rrëshqet deri në diversion banal kur e paraqet Kreshnik Spahiun si mik të ngushtë të Azem Hajdarit, madje me një profil politik të ngjashëm me të. Mirëpo dhe diversioni, sado i shëmtuar që është, duhet të ketë një farë mbështetjeje në fakte dhe krahasime të gjetura, përndryshe të bën qesharak. Kjo në planin personal të Edi Ramës, ndërsa në planin politik, një diversion i tillë vetëm lë shije të keqe. Ai është një model i njohur, i stërpërdorur abuzivisht nga Berisha dhe që dëshmon se Rama jo rilindje, por as një lindje normale nuk është në gjendje të prodhojë.
Pasi ka bërë gjithë këtë analizë, pasi ka konstatuar pa as më të voglin dyshim se çarja më tresh e PD është një fakt… dhe lufta vëllavrasëse në kampin e djathtë sapo ka nisur, Edi Rama arrin në verdiktin e tij historik se: Janë kushtet për rithemelimin e së djathtës shqiptare. Pasi ripërtëriu PS, pasi riorganizoi koalicionin e majtë, pasi rifreshi FRESH-in, pasi ka marrë përsipër të rilindë Shqipërinë, pra pasi i vuri në vijë gjithë punët e veta, Rama ka caktuar se duhet të rithemelohet e djathta. Këtu qëndron edhe problemi kryesor i Edi Ramës, jo si analist, por si lider. Rruga e tij e fitores nuk duhet të kalojë patjetër nëpërmjet Berishës, por drejtpërdrejt te zemrat e majta. Edi Rama duhet ti bindë ato dhe të gjithë atë pjesë dyshuese të shoqërisë jo që Berisha nuk di të qeverisë, por që ai vetë është i aftë ta bëjë si duhet një gjë të tillë. Me analizën e fundit vetëm sa ka shtuar dyshimet.
