Që lekët informalë të formalizohen
Në fëmininë e hershme, vazhdimisht më ngacmonte pyetja se përse kartëmonedha njëlekëshe, më e përdorura nga fëmijët, quhej nga të gjithë dhjetëlekëshe. Dhe kur pyesja të mëdhenjtë për këtë gjë, përgjigja që merrja, me sa mbaj mend, ishte pak a shumë kjo: Njëlekëshi i ri, para ca vitesh, ka zëvendësuar dhjetëlekëshin e vjetër, por njerëzit vazhdojnë ta quajnë si dikur dhjetëlekësh. Dhe kur pyesja pse kartëmonedhat e vjetra ishin zëvendësuar me të rejat, përgjigja ishte gjithmonë evazive. Më vonë, kur u rrita, më shkonte ndonjëherë në mendje ta gjeja përgjigjen për këtë pyetjen e dytë në librat që lexoja në shkollë, por ajo nuk gjendej në to. Dhe erdhi një ditë që sia bëra më vetes atë pyetje dhe, si gjithë shqiptarët e tjerë, e quaja të mirëqenë se në Shqipëri duhej shumëzuar me 10 çdo çmim apo shifër monetare e cituar në lekë.
Deri në vitin 1991, marifeti i të shumëzuarit me 10 funksiononte për bukuri për mua dhe për gjithë të tjerët. Por pas liberalizimit të tregut, inflacioni gjigand dhe mungesa e uniformitetit në etiketimin e çmimeve nga tregtarët filloi të krijonte probleme. Dhe këto probleme ishin të mëdha sidomos për të huajt që filluan të vizitonin Shqipërinë, si dhe për emigrantët që kalonin pushimet në atdhe. (Tuajit sinqerisht i ka bërë vaki një herë ti japë gabimisht kamarierit 10 mijë lekë të reja për një faturë që bënte vetëm 10 mijë lekë të vjetra, por, për fat, kamarieri qëlloi i ndershëm dhe nuk i mbajti paratë që si takonin.) Tani që kanë kaluar rreth 50 vjet nga dita kur leku i ri zëvendësoi të vjetrin, ndoshta ka ardhur koha që një lek “fringo i ri” të dalë në qarkullim. Dhe kjo, jo thjesht për të shmangur konfuzionin e të huajve dhe emigrantëve me dyzimin e çuditshëm të lekut — kostoja e nxjerrjes në qarkullim të një leku të ri nuk do të justifikohej vetëm me kaq. Arsyeja kryesore për nxjerrjen në qarkullim të një leku të ri do të ishte lufta kundër ekonomisë informale, nga e cila vlerësohet se vjen rreth 30% e prodhimit të brendshëm bruto shqiptar.
Sipas të dhënave në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, rreth 33% e të gjithë lekëve që qarkullojnë në ekonominë tonë ndodheshin në fund të vitit 2010 jashtë sistemit bankar. Kuptohet që jo të gjithë lekët që qarkullojnë jashtë sistemit bankar kontribuojnë në ekonominë informale, por sasia e madhe e tyre padyshim përbën një mbulesë të mirë për transaksione të dyshimta. Në këto kushte, emetimi i lekëve të reja do ishte një mjet efikas për të futur në banka një pjesë të mirë të kartëmonedhave shqiptare që qarkullojnë jashtë tyre.
Për tu realizuar ky synim, mund të caktohet një datë brenda së cilës të gjithë lekët që janë në qarkullim duhet të paraqiten për shkëmbim me lekët e reja sipas një kursi fiks. (Do të ishte mirë që leku të ankorohej në raport një me një me euron në datën e fillimit të procesit, pasi rreth 90% e import-eksportit shqiptar realizohet në këtë valutë). Për shuma mbi një kufi të caktuar, bankat mund të detyrohen me ligj të hapin depozita për klientët që sjellin lekët e vjetra për shkëmbim, ndërsa për shuma nën atë kufi, të japin lekë të reja në qoftë se klienti preferon. Në këtë mënyrë, të gjitha lekët, të pastra e të pista, nga janë e nga sjanë, do të detyrohen të kalojnë nëpër sistemin bankar. Dhe një pjesë e mirë e tyre ta do mendja se do të mbesin në të.
Por a do të bënte kjo gjë që gjithë parave të pista tu zbuloheshin padronët? Me gjasa jo. Ata që duan të fshehin lekët që kanë grumbulluar në mënyrë jo të ndershme (me trafiqe ilegale, evazion fiskal, etj) ose do ti shkëmbejnë me valutë, ose do të përdorin të afërm e miq të tyre për ti depozituar nëpër banka. Por sidoqoftë, rëndësi ka që një pjesë e mirë e lekëve që sot qarkullojnë jashtë sistemit bankar do të futen në të si depozita. Dhe pas kësaj, do të jetë më i lehtë kontrolli i daljeve të parasë nga ky sistem.
A do të ishte kushtetues një ligj që do ti detyronte qytetarët të depozitonin lekët e tyre në banka, pas kalimit të një kufiri të caktuar për shkëmbim të drejtpërdrejtë? Kushtetuta nuk ka ndonjë nen që e pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë gjë. Ndërkohë, në legjislacionin shqiptar ekzistojnë precedentë që kufizojnë qarkullimin e parasë për raste të veçanta. Për shembull, një qytetar nuk mund të transferojë paratë e veta nga banka e tij në një bankë jashtë Shqipërisë, në qoftë se shuma është mbi 20 mijë euro.
A do të justifikohej kostoja e emetimit të kartëmonedhave të reja me shtimin e depozitave në sistemit bankar? Ekonomistët priren ti përgjigjen në mënyrë pozitive kësaj pyetje, por rëndësi ka sesi mund ti përgjigjen asaj drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave. Dhe në qoftë se këta aktualët nuk i përgjigjen fare, barra u bie të përgjigjen ata që pretendojnë të vijnë në pushtet në 2013-ën. Sa për qytetarët e thjeshtë dhe për ata që vizitojnë rregullisht Shqipërinë, të gjithë do ta mirëprisnin varrosjen përfundimtare të fjalëve lekë të reja e lekë të vjetra…
*respublica.al
