Në përkujtimin e Epopesë së UÇK-së, s’duhen harruar protagonistët
Aty nisi, aty filloi, në Prekaz nderimi i heronjve të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një moment përkujtimi i akteve vendimtare të atyre njerëzve që kontribuuan me çfarë mundën për çlirimin e Kosovës dhe arritjen e pavarësisë. Emblemë e kontributit më të madh është dhënia e jetës për atdheun, për vendit, siç e dëshmuan Jasharët e mëdhenj. Kjo familje, si shumë familje të tjera kosovare, sakrifikuan gjithçka për gjetjen e lirisë së një populli të mbajtur për peng për shumë kohë. Trimi Adem Jashari është sot simboli i të gjithë luftëtarëve të lirisë së Kosovës nga zgjedha Serbe. Në emër të familjes Jashari, nipi i Komandantit Legjendar Bekim Jashari bëri thirrje që në këto kohë vendimtare për të ardhmen e vendit, të gjithë të jenë të bashkuar për ta forcuar shtetin e Kosovës. “Populli ynë sot 14 vite ishte në luftë, Kosovën e kishte kapluar tymi dhe flaka, por ishim bashkë i ndihmuam njëri tjetrit, që ne sot të gëzojmë. Pse vallë ne sot e kemi aq të vështirë të jemi bashkë, ta duam njëri tjetrin, ta ndihmojmë njeri tjetrin që ta çojmë këtë vend përpara, ta bëjmë një shtet të fortë dhe konkurrent me shtetet e tjera”- tha ai. Sigurisht me apo pa shënime në fund Kosova është një realitet i pamohueshëm për këdo, pavarësisht çdo gjeje, liria vepron dhe frytet e saj do të duken një ditë.
Megjithatë në ditën kur kujtohet epopeja e UÇK-së, një mendim patjetër duhet të shkojë edhe për z. Ramush Haradinajn, një nga komandantët kryesorë të kësaj force çliruese, që sot përballet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për akuza të pabaza. Padrejtësisht z. Haradinaj po vuan një burgimin pa një vendim gjykate. Luftëtari i lirisë po përballet për herë të dytë me heqjen e lirisë. Herën e fundit që e kam parë z. Haradinajn ka qenë në fundmarsin e 2010: ishte në një restorant të thjeshtë të Prishtinës me familjen e tij, znj. Anita dhe dy fëmijë të vegjël (një djalë Gjini) dhe një (vajzë Hana). Pa trima dhe pa kamera përreth dukej një njeri i zakonshëm. Për një që nuk e njihte do të thoshte ja një familjar i qetë, korrekt dhe i butë që gëzon një drekë bashkë me të dashurit e tij. Dhe kështu mund të ishte në qoftëse Kosova do të kishte qenë gjithmonë e lirë. Por ne e dimë se Ramush Haradinaj - dhe më shumë se ne e dinë luftëtarët e lirisë së Kosovës, që e kanë pasur komandant në Rrafshin e Dukagjinit – e dinë se është i jashtëzakonshëm. Me të gjitha kuptimet e fjalës: i jashtëzakonshëm. Ai është një prej simboleve të rezistencës kosovare, bir i njërës prej fiseve më patriotike të Kosovës (ndoshta e dyta në renditje pas legjendarëve Jashari), i cili filloi dhe drejtoi luftën në njërën prej zonave operative më sensitive, për themeluesin e një partie politike që theu mitin e PDK-së dhe që e para hyri në aleancë me rivalin tjetër të spektrit politik, LDK-së. E, ndërsa qeveria serbe e cilësoi si terrorist, funksionarë të lartë ndërkombëtarë janw shprehur zyrtarisht dhe jo zyrtarisht se mbetet edhe sot e kësaj dite tepër i rëndësishëm për ekuilibrat politikë dhe strategjikë të Kosovës; madje i domosdoshëm, për të nxitur bashkëjetesën dhe mirëkuptimin.
Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt nisi në muajin gusht të vitit të kaluar. Tre të akuzuarit ishin liruar më 3 prill të vitit 2008 nga Tribunali, nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa rigjykimi i pjesshëm thuhet se nisi për shkak të paraqitjes së dëshmive shtesë në procesin kundër tyre. Procesi i rigjykimit të z. Haradinajt është i pari i kësaj natyre të cilin Tribunali i Hagës po zhvillon që nga themelimi i këtij mekanizmi në vitin 1993. Rigjykimi aktual bëhet për shkak se, siç thuhej, gjykimi origjinal kishte qenë i dëmtuar nga frikësimi i dëshmitarëve. Në anën tjetër, ekipi i mbrojtjes vazhdimisht ka mohuar çfarëdo lidhje me frikësimin e pretenduar të dëshmitarëve, duke sugjeruar se disa nga dëshmitarët i përdorin këto pretendime për të mbuluar gënjeshtrat e tyre. Gjatë vendosjes për kërkesat e ndryshme për lirim të përkohshëm të Haradinajt që nga viti 2005, kolegjet e ndryshme gjykuese të Hagës kanë konstatuar se ai nuk paraqet rrezik ndaj dëshmitarëve ose viktimave.
Kuptohet vetiu se mbajtja në paraburgim që nga viti i kaluar dhe procesi i rigjykimit në tërësi i tij u vunë në qendër të kritikave edhe në debatet e ekspertëve ndërkombëtar të drejtësisë. Sepse, në thelb, gjykimi për së dyti i z. Haradinaj për akuza për të cilat ka dalë një herë i pafajshëm kundërshton drejtpërdrejt parimin e njohur në Perëndim (E drejta Romake, ne bis in idem - jo dy herë për të njëjtën gjë) ose e njëjta gjë (double jeopardy, Common Law) në të Drejtën Anglo-Saksone, që shpreh qartë se asnjeri s’mund të ndiqet penalisht sërish për një çështje të gjykuar më parë. Është sipas thënies latine “Absurdum videbatur Pisonem id fecisse”, duke perifrazuar se është absurde që Gjykata favorizon prokurorinë kundrejt të akuzuarit, që derisa provat ta gozhdojnë me fakte është ende një njeri i lirë, me të gjitha të drejtat.
Sidoqoftë Ramush Haradinaj është i vetmi kryeministër në botë që vullnetarisht shkoi në Hagë për t’u gjykuar ndaj akuzave. Prandaj ai ka pasur besim tek pastërtia e shpirtit të tij, dhe ka qenë i vendosur të pranojë çdo verdikt i dalë nga Gjykatësit e drejtë të Hagës. Një herë fitoi. Herën e dytë, i akuzuar për të njëjtën akuzë të mëparshme, i mbetet Gjykatësve të respektojnë parimet e tyre, që një çështje e gjykuar nuk mund të gjykohet një herë të dytë. Të presim.
L. Lita