E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: E ardhmja ndërtohet duke kujtuar të kaluarën

06-03-2012 / Gazeta 55

Në Muzeun Kombëtar të Tiranës, u përkujtua përmes një ekspozite “Për të mos harruar...”, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve “1833-1999”. 56 pjesëtarë të familjes Jashari u ekzekutuan nga paramilitarët serbë të Millosheviçit


Murat Jashari: “Më mirë të sakrifikohet një familje, se një komb i tërë”


Në 14 vjetorin e masakrës së Prekazit ku humbi jetën Komandanti Legjendar Adem Jashari e 56 anëtarë tjerë të familjes Jashari, dhe në përkujtim të të gjithë atyre që u vranë e u masakruan në rreth dy shekuj genocid serb, Bashkia e Tiranës ka hapur në Muzeun Historik kombëtar ekspozitën përkujtimore “Për të mos harruar…” genocidin serb ndaj popullsisë shqiptare 1833-1999. Përmes dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit, Arkivit të Kosovës, dokumenteve historike, dëshmive të gjalla e pamjeve filmike të ofruara nga RTSH, RTK dhe mediave të huaja që kanë ndjekur nga afër luftën e Kosovës, dëshmohet genocidi dhe masakrat serbe në Kosovë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ideator i kësaj ekspozite përkujtimore, ndërsa theksoi se çdo popull e ka një detyrim të thellë moral për të përkujtuar heronjtë e tij, u shpreh i nderuar që Tirana i bashkohet Prekazit, Raçakut, Krushës së Madhe e të Vogël, Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Mitrovicës e shumë shumë qyteteve e trojeve anë e mbanë Kosovës që kujtojnë bijtë dhe bijat e tyre, që nderojnë heronjtë tanë që u vranë dhe u masakruan më shumë se dy shekuj në trojet e tyre. Sipas tij, sakrifica e Jasharëve tregon vlerën e kombit, pasi kjo sakrificë ishte pikërisht për lirinë e Kosovës. “Çdo popull ka një detyrim të thellë moral për të përkujtuar heronjtë e tij, ndaj sot unë jam i nderuar që Tirana i bashkohet Prekazit, Raçakut, Krushës së Madhe e të Vogël, Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Mitrovicës e shumë shumë qytete e trojeve anë e mbanë Kosovës që kujtojnë bijtë dhe bijat e tyre, që nderojnë heronjtë tanë që u vranë dhe u masakruan më shumë se dy shekuj në trojet e tyre. 5 marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. 14 vjet më parë Prekazi dhe familja Jashari, jo për herë të parë, u vunë në shënjestër të makinerisë vrasëse të shovinistëve serbë. Për tri ditë me radhë, burra, gra e fëmijë të Jasharëve i dëshmuan botës vendosmërinë e shqiptarëve për liri. Bilanci i këtyre tri ditëve ishte i dhimbshëm. 56 Jasharë, nga Blerina 7 vjeç deri te Shabani 74, u vranë dhe u masakruan. I fundit që ra heroikisht duke çuar në fund amanetin e komandantit legjendar Adem Jashari që askush të mos dorëzohej, ishte i biri, Kushtrim Jashari, vetëm 13 vjeç. Ndaj më lejoni tu them që kjo ekspozitë është për ne vetëm një hap i vogël, vetëm një hap i parë. Ne sot jemi më të lirë se kurrë në historinë tonë por kjo s’ka qenë aspak e lehtë. Ndërsa sot po ndërtojmë të ardhmen tonë  si një komb i lirë, më e pakta që mund të bëjmë është të mos harrojmë të shkuarën dhe heronjtë tanë. Ju falënderoj për pjesëmarrjen në hapjen e kësaj këtë ekspozite e cila do të qëndrojë e hapur për dy javët e ardhshme. Në veçanti falënderoj për pjesëmarrjen në këtë ditë domethënëse për ta, përfaqësuesit e familjes Jashari”, u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranës. Për Bashën, sakrifica legjendare e Jasharëve është një nga pikat më sublime të historisë së shqiptarëve që dëshmon sa vlen liria për kombin tonë. “Ne sot përulemi me nderim e me respekt përpara çdo burri, gruaje e fëmije që u masakruan dhe humbën jetën në rreth dy shekuj të gjenocidit serb në Kosovë. Ne sot kujtojmë përpjekjet legjendare në këto dy shekuj për liri por edhe të gjithë të rënët për liri që cilët kurorëzuan me sukses amanetin e tyre me çlirimin e Kosovës. Masakrat dhe genocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës ka nisur dy shekuj më pare, me shpërngulje masive rreth viteve 1800 për të ardhur deri tek veprat barbare të vitit 1999. Kjo ekspozitë është një kontribut modest i qytetit të Tiranës për të përkujtuar një nga pjesët më të vështira por edhe më domethënëse të historisë të kombit tonë dhe për të dëshmuar se ne, nuk do të harrojmë të shkuarën tonë mbi të cilën po ndërtojmë të ardhmen”, tha më tej ai.


Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari


Përfaqësuesi i familjes Jashari, nipi i komandantit Legjendar Adem Jashari, Murat Jashari falenderoi Bashën që pas 20 vitesh ktheu sërish në Tiranë Adem Jasharin dhe familjen e tij. “Për këtë dua ta falenderoj kryebashkiakun Lulzim Basha, për këtë iniciativë sepse edhe njëherë pas pothuajse 20 vite, e ktheu prapë në Tiranë Adem Jasharin dhe familjen e tij. Gjyshi, ndjesë pastë që ishte një ndër mësuesit e parë të pas luftës së dytë botërore, thoshte se duhet ta dhamë të dhimbshmen për ta marrë të skajshmen. Më mirë të sakrifikohet një njeri dhe të shpëtojnë një familje dhe ma mirë të sakrifikohet një familje për të shpëtuar një komb të tërë”, tha Murat Jashari.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›