E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në polici punonjëset e bashkisë,hoqën posterin e Jozefina Topallit

04/06/2009  Mëngjesin e djeshëm në Kombinat

TIRANË- Tre punonjëse të Bashkisë së Tiranës u morën në pyetje nga policia sepse kishin hequr në Kombinat posterin e Jozefina Topallit. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se ditën e djeshme, rreth orës 10.00’, në qendër të lagjes Kombinat, në rrugën “Llazi Miho”, nga punonjës të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, është hequr banderola njoftuese e subjektit Partia Demokratike, mbi aktivitetin elektoral të N/Kryetares së Partisë Demokratike zj. Jozefina Topalli. Në bazë të kallëzimit të kryer në Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, nga përfaqësues të seksionit të Partisë Demokratike në Kombinat, nga punonjësit e këtij komisariati është bërë shoqërimi i tre punonjësve të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës. Gjatë deklarimeve të marra, të shoqëruarit kanë sqaruar se janë urdhëruar për heqjen e banderolës, nga drejtues të Sektorit të Gjelbërimit, ku prezent në momentin e heqjes së saj, kanë qenë edhe punonjës të Policisë Bashkiake. Sa sipër, materialet procedurale do t’i dërgohen Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, parashikuar nga nenin 325 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u bën thirrje të gjitha Subjekteve Politike dhe Njësive të Qeverisjes Vendore, që të zbatojnë dispozitat e nenit 79 të Kodit Zgjedhor në lidhje me materialet propagandistike. Nga burime të policisë mësohet se gjatë seancës së shkurtër pyetësore tre punonjëset e bashkisë nuk kanë preferuar të japin orën e saktë kur janë urdhëruar ta hiqnin posterin, por deklaruan se ato ishin në punën e tyre dhe po zbatonin një urdhër të eprorëve. Incidente të tilla shpeshtohen sa herë nis fushata elektorale, ndërsa duket se priten tone tepër të larta kësaj radhe mes militantëve të subjekteve partiake. Disa nga format e këtyre konfrontimeve janë djegia e zyrave elektorale apo flamujve si dhe kërcënime të ndryshme mes personave që u përkasin krahëve të ndryshëm politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›