E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PS, numërimi i votave edhe me dy anëtarë

04/06/2009  KQZ miratoi me 6 vota udhëzimin për funksionimin e GNV-ve

LSI propozon shtimin e vëzhguesve kur prishet kamerat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arriti të gjejë gjuhën e përbashkët lidhur me debatin e zhvilluar mes tij dhe përfaqësuesve të partive politike për procesin e numërimit të votave nga grupi e numërimit të votave kur ai funksionon edhe me dy anëtarë. Në këtë mënyrë, pas disa ndryshimeve të bëra me propozim të përfaqësuesve të partive politike, KQZ-ja miratoi me 6 vota “pro” udhëzimin për funksionimin e grupeve të numërimit të votave gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas propozimeve, për të cilat palët ranë dakord, kur grupi i numërimit të votave funksionon me 4 anëtarë dhe kamerat dalin jashtë funksionit, procesi i numërimit do të vijojë nën vëzhgimin e partive që nuk kanë anëtarë në grupin e numërimit të votave. Nëse për arsye të ndryshme kanë mbetur vetëm dy anëtarë, procesi ndërpritet dhe nis pas vënies në punë të teknologjisë. “Në rastin kur grupi i numërimit të votave funksionon me dy anëtarë, sipas përcaktimit të nenin 95, pika 3 e Kodit Zgjedhor, KZAZ-ja organizon punën që ky proces të jetë detyrimisht i monitoruar dhe i regjistruar nga kamerat e teknologjisë mbështetëse të instaluara në ambientet e vendit të numërimit të votave. Në rast se për çdo arsye nuk bëhet i mundur monitorimi dhe regjistrimi i procesit të numërimit sipas paragrafit të mësipërm, atëherë procesi detyrimisht ndërpritet derisa të sigurohet monitorimi dhe regjistrimi nga kamerat ose të jetë plotësuar numri i anëtarëve të grupit të numërimit të votave me më shumë se dy anëtarë. Në rastin kur teknologjia nuk funksionon dhe numërimi i kutisë përkatëse nuk ka përfunduar, atëherë numëruesit të përfundojnë numërimin e kësaj qendre votimi dhe procesi ndërpritet deri në monitorimin ose plotësimin e GNV-së. Koha e ndërprerjes së regjistrimit dhe rifillimi i procesit të regjistrimit nga kamerat shënohet në librin e protokollit të KZAZ-së. Në përfundim të votimit përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, i kërkoi kryetarit të KQZ-së që të kërkonte falje për akuzat që ai ka adresuar këto dy ditë ndaj PS-së për bllokim procesi. Ndryshe nga mbledhja e pasdites, ajo e paradites ishte pak më e vrullshme. Përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, i pakënaqur me ndryshimin e udhëzimit, duke iu referuar votës së pestë që kërkonte ky udhëzim për t’u miratuar, thumboi anëtarët e PS-së, veçanërisht nënkryetaren Dëshira Subashi. “I ashtuquajturi ‘konsensus i votës së pestë’ nuk është konsensus, por është veto. Duhet të mendojmë të gjejmë zgjidhje për të procesin dhe jo për të gjetur artifica”, - tha ai. Në përgjigje të kësaj, Subashi e cilësoi komentin e përfaqësuesit politik si presion ndaj saj. “Përfaqësuesi i PD-së, edhe pse nuk përmendi emrin tim, më komentoi. Në njëfarë mënyrë përbën një lloj presioni për punën dhe pozicionin tim për këtë çështje”, - tha ajo.

A.Lika

BMM raporton para KQZ-së

Bordi i Monitorimit të Medies u vlerësua dje për punën e tij nga anëtarët e KQZ-së pas prezantimit që iu bë raportit të radhës nga kryetari i tij Basir Çollaku. Pasi sqaroi se javën e ardhshme raportet e këtij bordi do të jenë më të hollësishme, Çollaku dha garancinë se bordi mbetet i hapur për të marrë në shqyrtim çdo ankesë apo kërkesë nga çdo subjekt i interesuar, si dhe të sqarojë çdo pasaktësi. Ndërsa anëtarët e komisionit dhe përfaqësuesit e partive politike, pasi shprehën vlerësime për punën e BMM-së, këkruan që në raporte të pasqyroheshin edhe mendimet e pakicës. KQZ-ja shmangu komentet lidhur me punën monitoruese të BMM-së, duke u sugjeruar atyre të sjellin secili propozimet e tyre pranë këtij institucioni.

Presidenti Topi niset drejt Malit të Zi

Forumi rajonal, Vujanoviç s’fton Sejdiun

Kosova përjashtohet sërish nga aktivitetet rajonale. Disa ditë më parë nga Maqedonia dhe sot nga Mali i Zi, presidenti i shtetit më të ri të Ballkanit, Fatmir Sejdiu, nuk është ftuar në forumin rajonal për korridoret kulturore në Evropën Juglindore “Administrimi i shumëllojshmërisë kulturore dhe promovimi për qëllime turistike”. Ai do të mungojë në këtë aktivitet, edhe pse në të është parashikuar të flitet për kontributin e UNESCO-s edhe në Kosovë. Për atje është nisur dje Presidenti i Republikës Bamir Topi në krye të një delegacioni zyrtar. Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë forum të tetë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore do të marrin pjesë krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë etj., të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç. Gjithashtu në forum do të jenë të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Terri Devis dhe drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s Koiçiro Macura. Kreu i shtetit shqiptar do të mbajë fjalën në një nga sesionet plenare të forumit, ku do të përshëndesë organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm për rajonin e Ballkanit, si dhe do të vlerësojë rëndësinë që ka për rajonin tonë promovimi i vlerave kulturore e turistike në mbarë Evropën. Gjatë punimeve të forumit, të organizuar nga UNESCO-ja –organizata më e madhe ndërkombëtare e angazhuar në sektorin e edukimit, shkencës dhe kulturës – do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri, Kosovë etj. Takimet dypalëshe të drejtuesve dhe delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe bashkëpunimit reciprok në kuadër të aspiratës integruese të vendeve tona në BE, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.

Topi e Vujanoviç

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit që pati me presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviç vuri në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, gjë që do të pasqyronte realitetin e ri gjeopolitik të rajonit tonë dhe do t’i kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë. Presidentët ndanë mendimin e përbashkët se vizitat e takimet e nivelit të lartë të zhvilluara kohët e fundit si dhe kontaktet e rregullta kanë pohuar këto qëndrime, si shprehje e vullnetit për marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve e për t’i shndërruar ato në shembull pozitiv në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›