E Diel, 1 Nëntor 2026

PS ballafaqim listash të votuesve me qeverinë

04/06/2009  Socialistët përgatitin database më vete për zgjedhësit në gjithë vendin

Lista e votuesve në shkallë vendi është një tjetër element jo pak i rëndësishëm në procesin zgjedhor ku është përqendruar Partia Socialiste. Për këtë arsye ballafaqimi mes listave që ajo disponon dhe atyre zyrtare të hartuara nga Ministria e Brendshme është hapi i radhës i ndërmarrë nga selia rozë. Prej kohësh PS-ja ka ngritur grupe pune me qëllim përpilimin e këtyre listave. Pas hartimit të tyre grupet e punës kishin si dhe një tjetër detyrë, konkretisht evidentimin e përkatësisë politike të këtyre zgjedhësve. Kështu, pas përpunimit të të gjitha të dhënave të ardhura në kupolën rozë u përgatitën listat përfundimtare për çdo qendër votimi në shkallë vendi. Gjatë këtyre ditëve selia rozë është marrë me shpërndarjen e këtyre materialeve, ku veç hartimit të listave ka mundur të përcaktojë dhe numrin e mbështetësve të tyre sipas qendrave të votimit. Por tashmë në prag të zgjedhjeve parlamentare PS-ja shkon më tej, duke kërkuara që këto lista të hartuara prej saj të mund të vihen përballë atyre që cilësohen si zyrtare. Kjo për të shmangur çdo lloj manipulimi që mund të bëhet me emrat e votuesve shqiptarë. Për këtë arsye, gjatë ditës së djeshme socialistët ripërsëritën kërkesën ndaj Ministrisë së Brendshme, ku kërkoi listën zyrtare të votuesve në shkallë vendi. “Me shkresën tonë nr. 116, datë 28.05.2009 në respektim të pikës 2 të nenit 57 të Kodit Zgjedhor, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe juve në vëmendje si ministër i Brendshëm, duke ju kërkuar konform parashikimit të ligjit të vini në dispozicion të subjektit tonë zgjedhor - Partia Socialiste e Shqipërisë - një kopje elektronike të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi sipas qendrave përkatëse të votimit”, - theksohej në letrën që sekretari për çështjet ligjore dhe koordinimin në PS Fatmir Xhafaj i dërgoi Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, ligji ka përcaktuar detyrimin e këtij institucioni, pjesë e Ministrisë, për ta dorëzuar listën brenda 3 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës, ndërkohë që edhe pse po kalon një javë PS-ja ende nuk ka marrë përgjigje. “Me shpresën për një përgjigje sa më të shpejtë dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare, ju shprehim gatishmërinë maksimale dhe pjesëmarrjen konstruktive të PS-së në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane të vendit”, - thuhet në letër.

Takimi në Kombinat

Rama kërkon votën për kandidatët e PS-së

Lidershipi i Partisë Socialiste zgjodhi Kombinatin për të zhvilluar takimin e tij të radhës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Së bashku me kandidatët për deputetë të kësaj partie për Qarkun e Tiranës, kreu socialist Edi Rama lëshoi edhe një herë tjetër thirrjen për të larguar me votë më 28 qershor qeverinë “Berisha”. Lajtmotivi që shoqëron tashmë gjithë fushatën elektorale të kësaj partie e që janë pikërisht tingujt e këngës “Çou”, kënduar nga Rama së bashku me djemtë e “West side family”, përveçse krijuan një atmosferë mjaft festive, përbënin dhe vetë thelbin e apelit të ardhur nga përfaqësuesit socialistë në takim. Tashmë kërkesa unike e pranishme në çdo takim elektoral të kësaj partie është thirrja për të votuar Edi Ramën si kryeministrin e ardhshëm të vendit. Ndërkohë nuk duhet harruar në këtë pikë dhe ekspozimi i të gjitha arritjeve që solli për kryeqytetin shqiptar kryebashkiaku Edi Rama. Në këtë kontekst, Rama u bëri thirrje qytetarëve të kryeqytetit që me votën e tyre të vetme mundësinë e vetme që demokracia u jep qytetarëve për të vendosur, të mos e ndajnë me askënd tjetër përveçse me Partinë Socialiste. Sipas tij, tashmë është koha e një ndryshimi radikal, është koha e një ndarjeje të prerë, është koha e një kapërcimi të madh për t’i dhënë fund së vjetrës në pushtet dhe për t’i dhënë jetë së resë në pushtet. Gjithashtu Rama u mëshoi fort premtimeve që ka projektuar partia e drejtuar prej tij në programin e ri qeverisës. Ndërkohë po gjatë ditës së djeshme kreu socialist nënshkroi dhe një marrëveshje me shoqatën e egjiptianëve ne vendin tonë, duke synuar kështu mbështetjen e të gjitha pakicave kombëtare.

Bode: Bashkia e Korçës pengesë për kartat

Partia Demokratike shprehet e shqetësuar në lidhje me vijimin e procesit të pajisjes së qytetarëve të Korçës me kartat e reja të identitetit. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode ka kërkuar nga Bashkia e qytetit juglindor të mos bëhet pengesë në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimet e reja elektronike. Duke folur nga qyteti i Korçës, Bode theksoi se vonesat e krijuara nga administrata lokale në dhënien e kartave të identitetit kanë ulur ndjeshëm numrin e aplikimeve nga ana e qytetarëve. Sekretari i përgjithshëm i demokratëve kërkon nga opozita që të kontribuojë në mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm.

Mëngjesin e djeshëm në Kombinat

Në polici punonjëset e Bashkisë,

hoqën posterin e Jozefina Topallit

TIRANË- Tri punonjëse të Bashkisë së Tiranës u morën në pyetje nga policia, sepse kishin hequr në Kombinat posterin e Jozefina Topallit. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se ditën e djeshme, rreth orës 10:00, në qendër të lagjes Kombinat, në rrugën “Llazi Miho”, nga punonjës të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës është hequr banderola njoftuese e subjektit Partia Demokratike mbi aktivitetin elektoral të nënkryetares së Partisë Demokratike,zonjës Jozefina Topalli. Në bazë të kallëzimit të kryer në komisariatin nr.6 të policisë së Tiranës nga përfaqësues të seksionit të Partisë Demokratike në Kombinat, nga punonjësit e këtij komisariati është bërë shoqërimi i tri punonjësve të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës. Gjatë deklarimeve të marra, të shoqëruarat kanë sqaruar se janë urdhëruar për heqjen e banderolës nga drejtues të sektorit të gjelbërimit, ku prezent në çastin e heqjes së saj kanë qenë edhe punonjës të Policisë Bashkiake. Sa sipër, materialet procedurale do t’i dërgohen prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Pengim i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, parashikuar nga nenin 325 i Kodit Penal. Drejtoria e policisë së Qarkut të Tiranës u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe njësive të qeverisjes vendore të zbatojnë dispozitat e nenit 79 të Kodit Zgjedhor në lidhje me materialet propagandistike. Nga burime të policisë mësohet se gjatë seancës së shkurtër pyetësore tri punonjëset e Bashkisë nuk kanë preferuar të japin orën e saktë kur janë urdhëruar ta hiqnin posterin, por deklaruan se ato ishin në punën e tyre dhe po zbatonin një urdhër të eprorëve. Incidente të tilla shpeshtohen sa herë nis fushata elektorale, ndërsa duket se priten tone tepër të larta kësaj radhe mes militantëve të subjekteve partiake. Disa nga format e këtyre konfrontimeve janë djegia e zyrave elektorale apo flamujve, si dhe kërcënime të ndryshme mes personave që u përkasin krahëve të ndryshëm politikë.

Mitingu i PD-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëherësh Kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar pasditen e djeshme një miting elektoral në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Gjatë këtij mitingu numri dy i PD-së e ka vënë theksin në reformat e thella të ndërmarra nga qeveria e mazhorancës së djathtë parlamentare gjatë katër vjetve të fundit. Topalli ka kërkuar votën e banorëve në Kombinatit, në mënyrë që të vazhdohen reformat e thella. Nënkryetarja e PD-së tha se ishte pikërisht qeveria “Berisha” që anëtarësoi vendin në NATO dhe e afroi akoma më shume me Bashkimin Europian. Ajo ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›