Në prag të luftës qytetare

Komisarja e lartë e OKB’së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, paralajmëroi të premten se “represioni i pamëshirshëm” ndaj demonstruesve sirianë do të mund ta shpijë vendin drejt një lufte qytetare.
Sipas Pilay, numri i viktimave të protestave deri më tani ka tejkaluar shifrën 3,000, dhe se në mesin e tyre janë edhe 187 fëmijë.
“Është obligim i bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarr masa mbrojtëse, para se represioni i pamëshirshëm dhe vrasjet e vazhdueshme të shpijnë vendin drejt një lufte qytetare”, theksoi ajo.
Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit në Siri janë vrarë të paktën 100 persona.
Gjatë konflikteve të fundit në veri të vendit, vetëm të enjten janë vrarë 36 persona, në mesin e të cilëve 25 janë ushtarë, njoftoi grupi sirianë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ndërkaq të premten në Homs u vra një civil dhe 10 të tjerë, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë, u vranë në qytetin Banash, në provincën Idlib.