Ai Weiwei, artisti më i fuqishëm

Weiwei, i cili është lëshuar në qershor pasi ishte mbajtur në arrest për më shumë se 80 ditë nga autoritetet kineze, tha për BBC se ‘nuk ndihet aspak i fuqishëm’.
Revista tha se ai është zgjedhur nga paneli për shkak të aktivitetit të tij politik, po aq sa edhe për punën e tij artistike.
Kina e kritikoi përzgjedhjen, duke thënë se ishte e bazuar në ‘paragjykime politike’.
Në një deklaratë të revistës ArtReview u tha: “Aktivitetet e tij u kanë mundësuar artistëve që të largohen nga ideja se punojnë në një zonë të privilegjuar, të kufizuar nga muret e galerisë apo muzeut”.
“Ai është duke i zgjeruar mundësitë e asaj se çfarë mund të bësh me artin dhe si artist si mund ta përdorësh zërin tënd”, thuhet në deklaratë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Liu Weimin tha: “Kina ka shumë artistë që kanë aftësi të mjaftueshme. Ne e ndjejmë se një përzgjedhje që bazohet krejtësisht në paragjykime politike i ka dhunuar objektivat e revistës”.
Revista ArtReview është përgjigjur: “Renditja në vendin e parë e artistit Ai Weiwei është rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të tij për të zgjeruar territorin dhe audiencën për praktikën e artit bashkëkohor, duke i thyer barrierat ndërmjet artit dhe jetës”.
Damien Hirst është i vetmi artist tjetër që më herët ka qenë në krye të listës, në vitin 2005 dhe 2008.
Në këtë vit, vendi i dytë shkoi te drejtorët e London's Serpentine Gallery, Hans Ulrich Obrist dhe Julia Peyton-Jones.
Glenn D Lowry, drejtor i Muzeut për Art Modern të New York-ut, u zgjodh në vendin e tretë, i ndjekur nga Larry Gagosian, pronari galerie në SHBA, i cili ka qenë në krye të listës së vitit të kaluar.